E keni gjetur ndonjëherë veten përpara një pjesëze arti e cila duket tejet mbresëlënëse, aq sa asnjë mënyrë nuk mund ta përshkruajë? Nëse përgjigjja është negative, duhet patjetër të njiheni me punët e fantastikes Zaria Forman, e cila pikturon me pastel, në teknikën super realistike, duke lidhur njeriun me natyrën dhe duke i treguar individit impaktin e jashtëzakonshëm të ngrohjes globale.
Ajsbergë, oqeane, ujëra të turbullta dhe dallgë që përplasen në brigje janë disa prej peizazheve fantastike që do të gjeni në portofolion e saj të pasur. Përpos qetësisë dhe meditimit që mund të ndieni përpara pikturave të saj, mos harroni se qëllimi është ndërgjegjësimi për ngritjen e nivelit të deteve në shifra alarmuese, si dhe për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët.
Në ndjekje të dritës
E lindur në Natick, Massachusetts, në vitin 1982, Zari Forman u rrit në New York.
Frymëzimi për piktura të tilla nisi në fëmijërinë e hershme, kur artistja, së bashku me familjen udhëtuan në vende të ndryshme të botës, duke vizituar peizazhe të mahnitshme, të cilat u dokumentuan nga e ëma e Zarias, e cila ishte fotografe.
Kështu, që fëmijë, Zaria zhvilloi sensin e së bukurës, por edhe dëshirën për ta pasur gjithmonë pjesë të jetës dhe të artit të saj. Më shumë, sytë e një vogëlusheje kurioze, i mahniste ndryshimi i qiellit dhe ai i detit, stuhitë e shkretëtirave, shirat e Indisë, aurorat mbresëlënëse të Greenlandës dhe në përgjithësi, fuqia e pashtershme dhe e pandalshme që posedon natyra.
Sot, artistja shprehet se arti është një formë meditimi dhe shpreson se admiruesi i veprës do të ndiejë të njëjtën qetësi dhe eksperiencë si Zaria në procesin e punës.
Mesazhet e ndërgjegjësimit
Pjesa më e madhe e punëve të Forman na lajmërojnë për kërcënimin që na kanoset nga ngrohja globale. Pikturat e saj hiper-realiste, duket sikur lëvizin dhe reflektojnë tensionin që ekziston mes njeriut dhe natyrës. Problemet që ne hasim çdo ditë, nuk janë të ndryshme nga ato të planetit, pasi njëjtë si individi, natyra ndien të njëjtën dhimbje dhe “turbullim” nga impakti i ngrohjes globale. Tranzicioni, turbulencat, qetësia dhe peizazhet që Forman sjell janë fantastike, por mbartin mesazhe të forta mbi vuajtjet e planetit.
Të pikturosh pa penela
Kudo që shkon, në çdo vend të botës, Zaria fotografon dhe vizato skica, të cilat më pas e frymëzojnë për të krijuar pikturat e saj mahitëse. Gjatë përkthimit të fotografisë në pikturë, Zaria nuk përdor kurrsesi penela apo furça, por duart e saj, pëllëmbët dhe gishtrinjtë. Ajo krijon imazhe të plazheve, peizazhe me akuj që po shkrijnë dhe dallgë të larta, për të krijuar efektin e ngrohjes globale.
Prezenca në publik
Krijimet fantastike të Forman janë tashmë tepër popullore, madje edhe për gjigantin Netflix, si dhe për serialin më të ndjekur “House of Cards”, me regji të David Fincher, në seritë e të cilit do të gjejmë pikturat e Zarias. Madje, 10 piktura të saj janë prezente në “Giselle”, premierën klasike, e cila hapi siparin në “Teatrin e Madh të Gjenevës”.
Gjithashtu, Zaria ka udhëtuar e shoqëruar nga NASA në misionet operative mbi Antarktidë, Greenlandë, si dhe mbi Artikun e Kanadasë.
Forman nuk është aspak një emër i panjohur, pasi e kemi hasur në fjalimet e saj publike për gjigantët si: Google, Amazon, por edhe në llogari të NASA, duke shpjeguar eksperiencën e saj të veçantë në udhëtime, por edhe rrugëtimin e saj në art.
“Në punën time, kujtoj shpesh sa të vegjël dhe të parëndësishëm jemi përballë forcave të plotfuqishme të natyrës”, shprehet artistja, ndërkohë që pikturon.
Sot, Zaria Forman jeton dhe punon në Brooklyn dhe synon të ndërgjegjësojë publikun, me shpresën se jemi ende në kohë për të shpëtuar çdo cep të globit.