Udhëtimi nëpër botë, peizazhet fantastike dhe “dokumentimi” i subjekteve arkitektonike të objekteve që mbartin bukurinë e vetë artit janë gjithnjë në fokus të Dorian Pëllumbit, fotografit profesionist, i cili me talentin e tij të jashtëzakonshëm “gjurmon” vendet më mahnitëse, për t’i dhuruar publikut pjesëzat e të gjithë globit.

Dorianin e njohim edhe përmes bashkëpunimeve të suksesshme me gjigantë si: Sony, Samsung, Jaguar, etj, andaj Elegance ka shkëputur pak nga koha e fotografit, i cili na shfaq pasionet dhe frymëzimet e tij, të cilat gjithmonë e dërgojnë në “skuta” të reja.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Duomo i Milanos në momentin e lindjes së diellit, Itali

Si lindi pasioni për fotografinë e mandej, si u kthye në profesion?
Faktikisht, pasioni për fotografinë ka qenë gjithmonë i rrënjësuar tek unë që në moshën e fëmijërisë edhe pse në një formë më të përgjithshme, drejt arteve vizive the figurative.
Piktura dhe vizatimi kanë qenë paraardhësit e fotografisë, nëse mund t’i quajmë kështu, nëpërmjet të cilave unë shprehja idetë dhe vizionet e mia.
Pas përfundimit të shkollës së mesme “Faik Konica” në Korçë (vendlindja ime), m’u dha mundësia për të vazhduar studimet e larta në vendin fqinj, në Itali. Orientimi im ka qenë drejt fakultetit të arkitekturës edhe ka qenë pikërisht ky momenti kyç i afrimit tim edhe më tepër me fotografinë dhe instrumentet e ndryshme për realizimin e imazheve.
Nga ky moment e tutje, përkushtimi im kundrejt fotografisë ka qenë konstant dhe gjithmonë në rritje. Me kalimin e kohës, rritej edhe interesi i publikut kundrejt imazheve që unë realizoja.
Një tjetër moment thelbësor ka qenë ai i shfaqjes së rrjeteve sociale, të cilat kanë shërbyer si vitrinë dhe u kanë hapur dyert e të gjithë botës fotografive të mia.
E kam thënë në shumë raste të tjera, por dua ta theksoj edhe këtu: Potenciali i “internetit” në ditët e sotme është një nga instrumentet më efikase për të pasur sukses në fusha nga më të ndryshmet.

Cili ishte fiks ai momenti në të cilin vendose t’i përkushtohesh totalisht fotografisë? Lidhet me ndjesitë apo me një ngjarje të caktuar?
Që prej afrimit tim me fotografinë, mund të themi se ky pasion u shndërrua tërësisht në një profesion.
Kërkesat nga klientë të ndryshëm bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Gjithashtu, edhe niveli i prestigjit rritej, duke arritur edhe bashkëpunime me brand-e si: Sony, Jaguar, Samsung, etj. Në të gjitha rastet, janë agjencitë dhe firmat që vihen në kontakt dhe shprehin interesin për të punuar së bashku.

Pamje nga Piazzale Michelangelo në Firence, Itali

 

 

E mban mend aparatin dhe foton tënd të parë?
Aparati i parë fotografik që kam pasur mundësinë të përdor ka qenë një “Canon Ftb” manual me film edhe me objektiv standard 50mm 1.8. (Ende është pjesë e koleksionit tim të mjeteve të punës).
Përsa i përket fotografisë së parë është pak vështirë për ta kujtuar saktësisht, por me siguri ka qenë një portret, pasi në momentet e para i jam përkushtuar kësaj lloj fotografie, duke studiuar dritat edhe hijet mbi subjektin.

Çfarë të frymëzon?
Gjatë këtyre viteve, burimet që më kanë frymëzuar kanë qenë të ndryshëm. Midis tyre, konstantja dominuese që ende vijon të më inspirojë përfshin ngjyrat e ngrohta të lindjes apo perëndimit. Ato kanë aftësinë të nxjerrin në pah disa detaje krejtësisht të padukshme gjatë ditës dhe arrijnë të ekzaltojnë karakterin e çdo objekti, duke e bërë atë më interesant dhe tërheqës.

Ke ndonjë fotograf/ e të preferuar tek i/ e cili/ a gjen koncepte apo stil të ngjashëm me tëndin?
Mendoj se frymëzimi dhe inspirimi janë “ushqimi” thelbësor i një artisti. Rritja profesionale varet se tepërmi nga talenti, përkushtimi, por edhe nga inspirimi dhe ballafaqimi.
Një nga kolegët të cilët shpesh herë kanë qenë frymëzues për mua dhe që mund të përmend, është më siguri Michele Sidofsky nga Kanadaja, i cili ka një përdorim mjeshtëror të dritës dhe të ngjyrave në çdo punim të tij.

Momente nga perëndimi i djellit në Dolomitet e Italisë

Përpos dritës, lentes dhe një sërë mjetesh të tjera, që të prodhohet një fotografi mahnitëse duhet patjetër të ngjallë ndjesi te fotografi e më pas, t’i transmetojë ato te publiku. Cilat janë ndjesitë që ti synon të përcjellësh?
Elementet që përmendet sigurisht janë të domosdoshëm për prodhimin e një imazhi. Po aq i dobishëm, ndoshta edhe më tepër, është stili i përpunimit të imazhit dhe aftësia e fotografit për ta realizuar e për ta përcjellë atë te publiku.
Ndjesitë që unë synoj të transmetoj nëpërmjet imazheve të mia janë të përqendruara se tepërmi te “thelbi dhe esenca” e subjektit.
Qëllimi im është krijimi i një dimensioni nëpërmjet dritës dhe ngjyrave tek i cili publiku mund të “transportohet” për të shijuar në maksimum vlerat e një peizazhi, një subjekti arkitektonik apo një objekti.

Jashtë portofolit tënd, cila është fotoja që gjithmonë të impresionon?
Ka vërtet shumë fotografi që më kanë impresionuar, nga ato klasiket tek ato ekstremet, por është njëra në veçanti që meriton të përmendet.
Po flas për një fotografi bardhë e zi, të realizuar në datë 20 shtator të vitit 1932 në New York, autori i së cilës nuk është i ditur fatkeqësisht. Fotografia në fjalë rafiguron një grup punëtorësh ndërtimi të cilët po drekojnë 250m pezull mbi një tra çeliku! Diçka sa absurde po aq edhe mahnitëse.

Cili është stili yt i fotografisë?
Gjatë 10 viteve të fundit kam bërë disa eksperimente në lidhje me stilet e ndryshme të fotografisë, përgjithësisht për të ushqyer kuriozitetin dhe për të fituar një eksperiencë të mjaftueshme the gjithanshme. Gjithsesi, mund të them me bindje se aktualisht stili im orientohet me së tepërmi te fotografia e peisazheve natyrale, atyre urbane, po ashtu dhe arkitekturës.

Sigurisht, në pasionet e tua nuk mungojnë peizazhet e vendeve që ke vizituar. Mund të ndash me ne 5 vendet të cilat janë “parajsa” e një fotografi?
Peizazhet janë faktikisht një nga subjektet e mia të preferuar, sidomos kur ato ndërthuren edhe me elementë të krijuar nga vetë njeriu. Një shembull konkret është padyshim qyteti i Venecias në Itali i cili është një përrallë e vërtetë jo vetëm për fotografët, por për të gjithë!
Disa vende të tjera që mund të përmend janë: Barcelona në Spanjë, Porto në Portugali, vendet përreth liqenit të gardës në Itali, Dolomitet e Veriut të Italisë gjithashtu, Zvicra ka padyshim një potencial të konsiderueshem në aspektin e peizazheve, etj.

Mali i Moraves, Korçë

Çfarë të pëlqen më së shumti në profesionin tënd?
Kjo është pyetja më e thjeshtë për, sepse unë e adhuroj profesionin tim në çdo aspekt të tij.
Fakti që më jep mundësinë për të udhëtuar nëpër botë është padyshim një nga aspektet e preferuara, edhe pse shpeshherë ky aspekt fsheh mbrapa një tjetër. Ky aspekt i fshehur konsiston me lodhjen dhe përgatitjen, qoftë fizike po ashtu dhe psikologjike për të ndërmarrë çdo “ekspeditë” apo projekt.
Gjithsesi, pa lodhje nuk do të kishte sodisfaksion. Ky i fundit është pikërisht ajo gjëja që më pëlqen më shumë nga profesioni im i fotografit. Ai momenti final i çdo pune e projekti, kur mbërrin aprovimi i publikut dhe i klientit.

Si ka ndikuar pandemia në punën tënde? Të ka ndihmuar kjo periudhë për të reflektuar dhe programuar udhëtimin e radhës dhe natyrisht, serinë e re me foto?
Shfaqja e pandemisë, sidomos në Itali, në vendin ku banoj unë aktualisht, ka pasur një ndikim negativ në shumë aspekte të jetës, duke kufizuar edhe ato me jetiket. Si rrjedhojë, pasojat në mënyrë të pashmangshme janë reflektuar edhe në profesionin tim.
Personalisht kam anuluar një sërë projektesh në lidhje me udhëtimet, sidomos jashtë Italisë. Të gjitha datat do të riprogramohen për vitin e ardhshëm, ndërsa për momentin fokusi është përqendruar në projekte të tjera me firma nga fusha e elektronikës si: Huawei dhe Sony.
Si shumica e profesionistëve të tjerë, pres edhe unë përmirësimin dhe stabilizimin e situatës për të programuar sërish udhëtimin e radhës që besoj se do të jetë në Belgjikë.

Cilat janë planet për të ardhmen?
Në kohë të vështira si këto që po përjetojmë ne sot është disi e komplikuar të bësh plane për të ardhmen. Sinqerisht, mund të them se për momentin, dëshira ime më e madhe është padyshim ajo për t’iu rikthyer sa më shpejt normalitetit që na mungon prej muajsh tashmë.
Më tej besoj se mund të flasim sërish për plane dhe synime.

error: Content is protected !!