“Thyer”, ekspozita që ndërgjegjëson shoqërinë mbi dhunën ndaj grave – Taulanda Jupi

Dhuna ndaj grave ka marrë përmasa shqetësuese, duke e tronditur gjithnjë e më shumë opinionin publik mbi historitë e rënda, ku shumë gra shqiptare kanë humbur edhe jetën nën duart e burrave dhunues, të cilët shpeshherë nuk e kanë ndalur vrullin dhe mllefin e tyre as nga prezenca e fëmijëve.
Pikërisht sepse jetojmë në një shoqëri ku dominon “forca” e burrit dhe ku gruaja përballet me pamundësinë për të zgjedhur të ardhmen e saj, Taulanda Jupi, së bashku me Egli Tako, Elios Shuli, Sindi Mila, Erina Lazi, Xhoana Karaj, Orestia Stefani, me kurator Petraq Papën dhe mbështetjen e fotografit Ergys Zhabjaku, servirin “Thyer”, ekspozitën e cila rreket të ndërgjegjësojë shoqërinë shqiptare mbi rolin dhe rëndësinë e gruas dhe rolit që ajo merr në çdo aspekt jetësor, duke qenë një vajzë, motër, nënë, bashkëshorte, bashkëpunëtore, kolege dhe grua.
Dhuna është e papranueshme dhe ne duhet ta ndalim, që viktima e radhës të mos jetë më një vajza, motra, nëna apo gruaja, e cila e trembur dhe e pambrojtur e dorëzoi jetën në grushtet e pamëshirshme të një burri që nuk e di se nuk ka asnjë të drejtë të dhunojë e për më tepër, të marrë një jetë.
Gruaja është forca më e madhe, ajo që edhe pse mban të gjithë peshën e botës mbi supe, sërish arrin të frymëzojë dhe të bëjë më të mirën për veten dhe për shoqërinë.
Elegance ka shkëputur një intervistë me artisten dhe pedagogen Taulanda Jupi, e cila na rrëfen më shumë mbi “Thyer”.

Taulanda Jupi

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Ekspozita juaj sjell në vëmendje një prej plagëve më prezente dhe shqetësuese në shoqërinë tonë dhe jo vetëm. Sipas mendimit tuaj, cilat janë rrënjët e kësaj plage dhe çfarë mund të bëjmë ne si shoqëri për t’i shkulur këto rrënjë?
Nuk është një dukuri vetëm shqiptare, por pa dyshim në Shqipëri dhuna jo vetëm ndaj gruas, ka një sërë faktorësh të shtuar që mund t’i konsiderojmë si rrënjë, por vështirësitë ekonomike të individit në shoqërinë tonë, veçanërisht të gruas në Shqipëri mendoj se është shkaku kryesor i cili gjeneron dhunë. Në kontekstin e dhunës ndaj gruas ndikojnë edhe faktorë të tjerë që kanë të bëjnë më edukimin e trashëguar, ku roli i gruas dhe burrit është përcaktuar në ligje të shkruar dhe të pashkruar. Unë mendoj se do të mjaftonin disa pyetje për të bërë një skaner të realitetit psiko-social në Shqipëri.

Sa e rëndësishme është në jetën e gjithsecilit prej nesh prania e një nëne, e një gruaje, motre, vajze, po kaq i vlefshëm dhe i rëndësishëm duhet konsideruar edhe roli i tyre në shoqëri. Është detyrë e të gjithëve ne ta ndërmarrim dhe të përballemi me këtë sfidë duke iu përgjigjur disa pyetjeve:

A punësohen burrat më shumë dhe më lehtë se gratë?
A paguhen burrat me shumë se gratë?
A drejtojnë dhe vendosin burrat më shumë se gratë?
A zotërojnë burrat më shumë se gratë?
A ndihen burrat më të sigurt se gratë?
A ndihen burrat më të lirë dhe më të pavarur se gratë?
A dhunohet gruaja ne Shqipëri?

Derisa përgjigjia të jetë PO, ne nuk duhet të ndalojmë mbrojtjen, ndihmën, mbështetjen, kujdesin, vëmendjen për gratë dhe vajzat shqiptare, për nënat, bashkëshortet dhe bijat, për koleget dhe bashkëpunëtoret tona.
Derisa përgjigjia të jetë PO, ne nuk duhet të ndalojmë hartimin e politikave, programeve dhe strategjive për ndryshimin e këtij realiteti.


Mendoni se fjala “thyer” do të luajë kuptim të dyfishtë, pra, nuk do të thyejë vetëm heshtjen, por do të na rikujtojë edhe njëherë fatin e grave të dhunuara për të na ndërgjegjësuar në të dyja kahet?
Në momentin që po kalon shoqëria shiptare, ku mungesa e shpresës për të ardhmen, mungesa e sigurisë për jetën, pamundësitë për realizimin individual në një relitet gjithnjë e më centrist, e ka bërë individin gjithnjë e më të mbyllur, gjithnjë e më të përqëndruar në unin e tij, ndaj është vështirë të depërtosh për të tërhequr vëmendjen. Fjala “THYER” në fakt ka një kuptim më të gjerë se ekspozita, duket sikur të gjithë jemi nga pak të thyer. Mendoj se rezonanca e kësaj fjale me atë çfarë individi përjeton çdo ditë në këtë realitet do ta bëjë të “kthejë” kokën nga mesazhi që ekspozita “THYER” kërkon të përcjellë.

Mendoni se gratë e dhunuara gjejnë mbështetjen e duhur në dyert ku trokasin? Çfarë mund të bëjmë ne më shumë për t’u ndërgjegjësuar mbi traumën e tyre, por edhe për t’i larguar nga dhuna?
Kjo pyetje ka shumë dimensione në vetvete, por e para nga duhet të fillojë i gjithë reagimi është që dhuna nuk duhet të pranohet si një realitet. Dhuna dhe aq më tepër dhuna në familje, qoftë ajo psikologjike, qoftë ajo fizike, nuk duhet dhe nuk mund të merret si një gjë që ndodh. Pra gjithçka fillon nga ndërgjegjësimi si në kuptimin social, por veçanërisht në terma konkretë të individit, gruas në këtë rast. Nuk na mungojnë ligjet, por në realitet sa zbatohen ato? Edhe ndryshimet e fundit në ligjin e dhunës në familje, mendoj se nuk sjellin zgjidhjet përtej denoncimit. Por faktet tregojnë se dhuna më e egër dhe viktimat nga kjo dhunë kanë ndodhur pikërisht nën urdhrat mbrojtës. Faktet që në shtatë vitet e fundit kemi një rritje të ndjeshme të viktimave të dhunës në familje, aq sa radhitemi në vend të parë në Europë për këtë, tregon se diçka nuk funksion.

Ju jeni njësuar me Manjolën, Dritën, Enkelejdën dhe të gjitha gratë e dhunuara, por a jeni përballur ndonjëherë me histori dhune, të rrëfyera nga studentet (duke qenë se jeni pedagoge) apo edhe nga personat që ju rrethojnë?
Nuk mund ta quaj njësim. Kam dashur të sjell edhe njëherë në vëmendje humbjen e tyre. Ato ishin nëna të vrara në sytë e fëmijëve të tyre. Disa prej tyre kishin urdhër mbrojtje, por nuk u mbrojtën dhe kjo është vërtet e rëndë, sepse duket sikur drejtësia për gratë dhe vajzat është një opsion i pamundur në Shqipëri.


Cili është mesazhi që përcillni ju, si një zë i cili ngrihet për gratë e heshtura dhe i bën thirrje burrave që ta ndalojnë dhunën kundrejt grave?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje më lejo të citoj Dom Gjergj Metën, nuk mund ta them e shkruaj më qartë se ai këtë mesazh:

“Mos të fshihemi pas egoizmit tonë.  Të bëhemi bashkë që nënat e bijat, gratë dhe vajzat të kenë vendin që u takon dhe gjithë dashurinë tonë”.

Arti gjithmonë depërton te shpirti human, ndaj natyrshëm më lind pyetja se cilat janë synimet dhe pritshmëritë tuaja nga ekspozita “Thyer”?
Ekspozita ka ardhur në një moment të vështirë, por unë gjatë gjithë këtyre muajve kam përsëritur vazhdimisht edhe në shkrimet e mia se arti nuk mund të ndalojë, as krijimtaria nuk mundet të ndalojë .Nëse situata dhe zhvillimet e COVID-19 do të na lejojnë, ekspozita do të hapet dhe do të lëvizë në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë dhe më pas në Prishtinë.