Një emër i njohur i artit pamor në Evropë dhe SHBA, së fundmi pjesë e kryeqytetit shqiptar, me të parën ekspozitë vetjake. Nga ndikimet ekspresioniste tek influencat e realitetit shqiptar, figura njerëzore, peizazhi dhe copëza të prekshme të përditshmërisë sonë
Kur gjendesh përpara tablove të këtij piktori, duket sikur koha ka ndalur, ndërsa reminishencat e regjimit të kaluar, shfaqen sakaq si copëza të formësuara mjeshtërisht në artin pamor. Nga peizazhet tek portretet, tek loja e ngjyrave dhe konstrateve, Alkan Nallbani, artisti që ka jetuar mes Italisë dhe Amerikës, vjen përpara publikut shqiptar me të parën ekspozitë tijën personale. “Shpresoj që publiku të ketë mundësinë të eci sado pak në “rrugën time” duke mbathur “këpucët e mia” e për të kuptojë sa influencuese kanë qenë kujtimet e lëna mbrapa në Shqipëri e ato të gjetura në vendet që më kanë mirëpritur gjatë mungesës së gjatë në vendlindje”, thekson ai. I tërhequr gjithnjë nga figura njerëzore, kjo e fundit është fokus absolute në thuajse gjithë punimet e tij artistike. Ato të kujtojnë ikjen, vallëzimin e dashurisë, shpesh identifikohen me çiftin, burrin e gruan, punën, sakrificat e gjithçka tjetër është e prekshme si pjesë e realitetit dhe përditshmërisë sonë.