Njihuni me Marinel Sheun, artisti që kthen përditshmërinë në art

Në lëmin e pafundmë të artistëve, ata që bien në sy janë gjithmonë guximtarët që nuk bëjnë kompromis me konceptet dhe artin e tyre, por kanë aftësinë fantastike për të sjellë krijime që i qëndrojnë një të mesmeje të artë, duke plotësuar të gjitha objektivat personale, por duke respektuar edhe dëshirat e publikut. Në një botë komerciale, me shumë rëndësi është të mos krijosh thjesht kontent, por të bësh art.
Një prej artistëve të jashtëzakonshëm është edhe Marineli, një i ri plot pasione, i cili frymëzimet e jetës së përditshme i përkthen në ilustrime mbresëlënëse, shumëngjyrëshe, të cilat përcjellin çdo ndjesi.
Elegance ka shkëputur pak nga koha e tij për të njohur më mirë rrugëtimin e Marinelit në art. Për t’u prezantuar më gjerësisht me punën e tij dhe bashkëpunimin me “Vice”, ju ftojmë të lexoni rreshtat e mëposhtëm:

Si nisi e gjitha? Pse ke zgjedhur pikërisht fushën e design për të shprehur kreativitetin tënd?
E gjitha ka nisur nga një gënjeshtër faktikisht. Kur isha 15 vjeç, mora kompjuterin tim të parë dhe po përdorja disa website online për të modifikuar fotot e mia personale dhe ngaqë nuk doja t’i ndaja me shokët, i gënjeja dhe u thoja që po punoj me Photoshop. Një ditë, një prej miqve të mi më tha se donte të vinte në shtëpinë time për të mësuar Photoshop-in dhe m’u desh që të eksploroja gjithë natën dhe ta mësoja që mos të dilja si gënjeshtar.
Duke eksploruar, mësova se si përdoren brushes, si krijohen shapes dhe më pas zbulova Deviantart dhe një ndër forumet e vetme shqiptare, “Zoumz” (i cili nuk ekziston më). Pas kësaj, kurioziteti im më shtyu që ditë për ditë të mësoja dhe ia nisa me dizajn grafik dhe përfundova me manipulation. Më pas zhvillova aftësitë dhe nisa të bëja matte painting. M’u desh të kaloja në shumë fusha të ndryshme që të arrija të shprehesha në punët e mia personale. Të gjithë miqtë e mi po merrnin rrugë të ndryshme dhe kur sheh shokët, ndonjëherë hutohesh sepse duhet të shohësh çfarë të bën ty të lumtur dhe jo të tjerët.
Unë isha në një pikë që doja të bëja VFX, të punoja për Gaming Companies dhe më pas, kur kuptova si funksiononte industria, vendosa të punoj me ilustrime dhe kjo më bën të lumtur.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code


Çfarë të frymëzon për të sjellë punë me kombinime fantastike ngjyrash, ndjesi pozitive dhe një risjellje unike të realitetit?

Mendoj që punimet e mia janë bazuar në momente që i ndiej në jetën e përditshme. Ato kanë disa elemente mistike ose një dozë magjike le të themi. Për mua, arti është ngjyra dhe propocione, nuk ka rëndësi sa shumë ai evoluon. Këto janë dy faktorët kryesorë të artit dhe prandaj fokusi im është te ngjyrat. Nuk mund të vijoj një punim nëse nuk i ndiej ngjyrat. Kaloj shumë kohë duke testuar kombinime ngjyrash, por tani besoj se më vjen më natyrshëm që t’i vendos ngjyrat bashkë. Ka raste që bëj foto të ambienteve që shoh përditë dhe më pas i përdor në punimet që krijoj. Kjo është diçka shumë e bukur dhe eksperimentale.

Cilët janë artistët që kanë shënjuar karrierën tënde?
Besoj se inspirimet e mia kanë qenë goxha të ngjashme me shumë artistë në fillimet e tyre. Jam fans i madh i Van Gogh, Dali, Picasso, Munch, Jean Leon Gerome, por mendoj se më shumë se me artin, kam qenë shumë i lidhur me historinë e tyre.
Artistë që kanë influencë të madhe në artin tim janë: Hiroshi Nagai, Jean Giraud, Ejin Suzuki. Ka diçka në artin japonez të viteve 80’-90’ që më frymëzon shumë. Mendoj se disa nga artistët më të mirë të të gjitha kohërave kanë dalë në këtë periudhë. Gjithmonë mundohem të bëj kërkime në fushën e artit pikërisht në këtë epokë dhe të fokusohem më shumë në natyrën dhe në momentet e thjeshta që më bëjnë nostalgjik.


Cilët janë brand-et e tu të preferuar?

Në botën e fashion admiroj shumë designer që po bëjnë gjëra që nuk janë bërë kurrë më parë. Më pëlqen se si Jacquemus luan me detajet e vogla në minimalizëm dhe paletat e tij që përbëhen nga ngjyra shumë relaksuese. Më pëlqen shumë miksi i klasit me sportin që Aime Leon Dore krijon. Një prej brand-eve të mia të preferuara është Casablanca, edhe pse ka shumë energji mesdhetare dhe duken shumë të shtrenjta, por besoj se janë të inspiruar nga natyra dhe sjellin një energji të re në botën e modës. Një tjetër markë e preferuar që më karakterizon shumë si person është edhe Comme Des Garcons, sepse janë gjithmonë duke menduar “jashtë kornizave” dhe nuk bazohen vetëm në një kulturë, por në shumë elemente.

 Mund të më përshkruash procesin tënd krijues?
Mendoj se shumë artistë kanë më shumë se sa një proces krijimi, sepse disa skicojnë direkt nga një ide që i vjen në mendje dhe disa nga moodboards/ referenca gjë që është tepër normale. Çdo gjë nis me një skicë dhe mundohem që ta kem perspektivën të qartë, sepse ajo është primare për mua. Ka raste që në fillim nuk e ndiej çfarë po krijoj, por i kam ngjyrat në mendje dhe pasi nis të ngjyros skicën, e ndiej punimin. Jam njeri që i dashuron shumë detajet e vogla dhe gjithmonë fokusohem deri në detaj në çdo krijim, kështu që ndonjëherë është shumë e vështirë ta kënaq veten me diçka të thjeshtë, gjithmonë mundohem t’i jap një kuptim krijimit, duke mos u ndalur vetëm me ndjesitë pozitive. Pas mbaroj me skicën dhe ngjyrat, hijëzimi dhe ndriçimi janë pjesa ku unë vuaj ndonjëherë, sepse mendoj shumë opsione të ndryshme. Prekjet e fundit kanë disa tekstura që e bëjnë më realist punimin.



Si lindi bashkëpunimi me “Vice” dhe si ka ndikuar në karrierën tënde?
Drejtorja Kreative e “Vice” më dërgoi një e-mail një muaj para se të lançonin projektin e tyre dhe më tha se e adhuron stilin tim dhe kishte shumë dëshirë që të punonte me mua në disa seri për një serial që do të publikohej së shpejti. Nuk e mendova dy herë, edhe pse isha goxha i zënë dhe mendoj se kam qenë paksa i nxituar në disa punime, por ishte një eksperiencë e bukur dhe klientët mbetën të kënaqur. Kjo e fundit ka shumë rëndësi për mua pasi më jep mundësi bashkëpunimi për të ardhmen. Nuk besoj se ka pasur impakt të madh në karrierën time, pasi është paksa herët për ta gjykuar, por mendoj se ishte një përvojë e bukur dhe diçka ndryshe nga çka marr pjesë zakonisht.

Cilat janë tematikat dhe projektet që të intrigojnë dhe të interesojnë më shumë për të krijuar?
Mendoj se fakti që mund të krijoj diçka që kap humorin e dikujt dhe i transmetoj një ndjesi, qoftë melankoli, moment, mërzi ose gëzim, nuk ka rëndësi për mua; rëndësi ka fakti që dikush e shikon diçka që unë kam krijuar dhe jep një ndjesi. Mendoj se një nga gjërat që më intrigon më shumë është izolimi dhe çdo artist që krijon nga izolimi sepse ato minutat që ti jeton në botën e jashtme kur je i izoluar, tregojnë se ti e imagjinon botën nga brenda dhe e gjej diçka shumë të sinqertë, prandaj shumica e punimeve të mia ndodhin nga izolimi, ku unë gjej paqe në brendësi dhe në një moment, shoh sa mrekulli ka jashtë botës sime.


Shumë shpesh artistët përballen me një “block” kreativiteti. Si ia del ta mposhtësh këtë ngërç?
Dhe vetë përballem çdo ditë me këtë pjesë, por mendoj se nëse je një artist i vërtetë, çdo gjë që të rrethon është art, duke nisur që nga arkitektura, natyra, njerëzit, etj. Sytë tanë nuk janë normalë, pasi në çdo moment mendojmë për të krijuar. Duke e thënë këtë, arrij të kuptoj se nuk është se kemi një bllokim te pjesa e krijimtarisë, por kjo barrierë lidhet me pjesën e zhgënjimit me atë çka krijojmë, sepse kemi gjithmonë pritshmëri të mëdha nga vetja. Askush nuk lind duke e ditur se çfarë po bën në jetë, por e gjen atë duke punuar fort dhe mendoj se edhe artistët vuajnë te kjo pjesa e frymëzimit të përditshëm, por e luftojnë atë duke besuar në kreativitetin dhe punën e tyre.
Personalisht, kur ndihem i bllokuar, udhëtoj dhe më pas vij në studio me shumë resurse dhe ide të reja. Sytë duan të shohin gjëra të reja dhe ndonjëherë, edhe zemra do të përjetojë ndjesi të ndryshme dhe që të mos bllokohesh, është shumë e rëndësishme që të qëndrosh aktiv.

Cilat janë interesat e tua, përpos ilustrimeve dhe artit digjital?
Përpos artit që bëj, kam shumë dashuri për muzikën, sportet dhe udhëtimet. Mund të ngjajë sikur jam njeri që rri në shtëpi gjithë ditën dhe punoj, ama ditët që i marr pushim, vendos të jem super aktiv dhe kam qejf të shkëputem pak nga bota ime, të mos mendoj shumë, por vetëm të jetoj momentin. E gjej gjithmonë të vështirë pjesën që të menaxhoj orët e punës që duhet t’i kem vetëm për veten dhe shëndetin tim dhe mendoj se po ia dal mirë.

 Cilat janë cilësitë pozitive dhe negative të karakterit tënd, të cilat ndikojnë edhe në procesin tënd krijues?
Besoj se gjërat pozitive që kam janë: kur bëhet fjalë për punën nuk ankohem shumë dhe jam shumë ëndërrimtar. Besoj shumë në vetvete dhe bëj gjithçka pa pasur frikë se çfarë do të ndodhë.
Gjëja që kam më shumë inat te vetja është fakti që nxitoj shumë sepse pres shumë nga vetja. Mendoj se po arrij ta ndryshoj këtë pjesë pak nga pak, por jam njeri që mendoj goxha. Më duket sikur kam shumë ide në kokë dhe nuk mund t’i mbaj në sirtar, por të krijoj sa më shumë dhe të lëviz. Por, po arrij të kuptoj se kjo nuk është shumë gjë e keqe, sepse tregon se nuk besoj shumë në perfeksion, prandaj nxitoj te punimi i radhës.


Si ka evoluar procesi yt krijues nga design i parë e deri më sot?
Kjo është një nga ato gjërat që as vetë nuk arrij ta kuptoj sepse vitet ikin shpejt dhe gjithçka që mëson nuk të bën më përshtypje, sepse realisht është një proces që nuk mbaron kurrë. Arti bazohet në ide dhe stile, jo vetëm në aftësi. Por kur e kam nisur, nuk e kam filluar me mendje artistike, sepse kam qenë vetëm 15 vjeç dhe jam munduar të mësoj teknika të ndryshme. Fillimisht, bëja dizajne posterash dhe covera për muzikantë dhe futbollistë. Më pas, arrita ta kuptoja veten pak më mirë dhe dola nga ajo botë dhe hyra te pjesa që do krijoja vetëm për veten dhe do bëja vetëm punime që më dhurojnë lumturi. Por besoj se në një vit, njeriu mund të ndryshojë ekstremisht, imagjino për dhjetë vite, ndaj kjo është diçka që nuk arrij ta shpjegoj dot.

 Cilat janë raportet e tua me kritikën?
Nuk jam sensitiv te kjo pjesë. Kur punon shumë, një kritikë nuk mund të të vrasë, sepse mund të marr një kritikë për një krijim, por për një muaj, mund të sjell dhjetë punime të tjera që do të jenë të ndryshme dhe është mëse normale që do shikosh shumë avancim. Mendoj se kritika shërben si benefit vetëm për artistin dhe jo për kritikun, kështu që duhet parë si gjë shumë pozitive, ose nuk duhet konsideruar fare, sepse në fakt, opinioni yt për artin tënd është ai që ka më shumë rëndësi. Besoj se arti është diçka personale dhe nëse ty të bën të lumtur, kjo ka rëndësi. Ne duhet t’i bëjmë gjërat për veten dhe jo për opinionet e të tjerëve. Gjithsesi, do të rekomandoja që kritikat të merreshin me më shumë pozitivitet.

 Në një epokë ku rrjetet sociale janë marketingu më i mirë dhe komercializmi është i pashmangshëm, do të bëje kompromis me artin tënd?
Të them të drejtën, kjo është një tematikë që unë e vuaj shumë, por mendoj se jam krijues shumë aktiv dhe mundohem ta balancoj pak pjesën time autentike me pjesën e marketingut dhe realisht, punët që krijoj vetëm për veten time, pa menduar për sytë e publikut janë ato që kanë më pak pëlqime, ndërsa punimet që bëj për publikun më ndihmojnë të kem më shumë audiencë. Kështu, e kam më mirë të punoj fort dhe të kuptoj të dy perspektivat, sesa të tregohem arrogant dhe të shikoj vetëm atë që unë dua të shoh. Në fund të ditës, audienca është ajo që më mbështet dhe më bën të ndihem i vlerësuar.  


Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

Planet për të ardhmen janë të shumta, por disa gjëra që dua të arrij në vitet e ardhshme janë:
Të kem një studio timen diku në Europë dhe të punoj në brand-in tim.
Të kem një rreth kreativ që punojnë me mua.
Të udhëtoj pak më shumë që të ilustroj sa më shumë momente që përjetoj.
Të krijoj sa më shumë, duke qenë i shëndetshëm.
Besoj se kam kaluar plot vite duke krijuar në situata të pashëndetshme. Vitet e fundit, arti im ka marrë trajtën e lumturisë dhe kjo ka vlerë të madhe për mua. Për sa kohë mund të ndihem plot konfidencë dhe në paqe me artin, e kam bërë punën time.