Në krijimtarinë e saj, ka lëvruar zhanre të ndryshme të letërsisë, por gjithherët librat e saj kanë qenë subjekte të zëshme që kanë bërë vend në shoqërinë shqiptare, mes admiruesve të penës së saj, ose edhe lexuesve të rastit. E fundit, është Ftesë për Flirt nga Flutura Açka.
Një ftesë për ta pasuruar jetën tonë me emocion, për t’i bërë higjienë dashurisë sonë me sensualitet dhe ndjeshmëri, për ta çliruar thelbin tonë nga zori për të folur për “mundimin” ndjesor dhe sensual. Por, bashkë me të, në të ka një dhimbje të hapur për kohët e reja shqiptare, për kaosin, për humbjet e përditshme, për plagët e reja që kemi shkaktuar gjatë tranzicionit. Ka poezi sociale të thukëta, që kanë mveshur shqetësimin prej një qytetareje, një qytetare që ka një medium ta thotë me zë të lartë. Poezia është më afër thelbit, ndaj edhe artikulon më shumë nga thelbi yt. Kësisoj shprehet, shkrimtarja e njohur Flutura Açka, ku mendimet dhe qasjet përtej letërsisë, artikulohen qartë në poezitë e fundit të librit “Ftesë për flirt”. Një autore ndryshe, që shprehet pa doreza, e që siç e thekson ka fatin që përmes penës të sëmbojë çështje ulëritëse, që bëhen pjesë e botës prej shkrimtare, pse jo si femër, si nënë, etj. Me librin e radhës ndër duar, të zhanrit prozaik, një tekst mbi rrekjen për të ruajtur dhe krijuar një identik të ri të njeriut mes dy kulturash. Një libër që në dukje të parë tingëllon si autobiografik, por në tharm tijin flet ër shqiptarët e tranzicionit. Por, deri sa të kemi në dorë, botimin e ri të shkrimtares Açka, le të mësojmë përmes këtij rrëfimi detaje të reja nga bota e saj e letrave, krijimtaria, martesa, raporti me të birin, etj.
“Ftesë për flirt” është libri juaj më i fundit. Poezi të ndjera, që në tharm tyrin kanë esencë erotike, që ngjallin kërshëri, ëndje për të lexuar çdo rresht. Si erdhi ky libër në listën e botimeve të radhës tuajat?
Me poezinë e kam nisur këtë rrugëtim me fjalën, por e magjepsur nga proza nuk isha kujdesur prej vitesh t’i mblidhja. Gjithkohë kam shkruar poezi, por tek redaktoja “Ftesë për flirt”, vërejta se kishin kaluar tetë vite nga vëllimi i fundit “Zbathur”. Diku nga pranvera e vitit 1993 u botua “Tri vjeshta larg”, një libër modest i imi, por që shënjoi një ogur i mbarë. Ishin vite të vështira për poezinë dhe për letërsinë në përgjithësi, për shkak të asaj prurjeje të madhe të madhe që solli liria në letrat shqipe. Atëherë mbase shkruhej më shumë poezi, por kishte edhe një vëmendje me të madhe për poezinë mbase. Edhe pse në thelbin e saj poezia ime ndiej se nuk ka ndryshuar (në metaforë, në konstrukte, në ritëm, në strukturë), ajo ka një maturim të dukshëm, që lidhet me vetë pjekurinë time. Tani është më e menduar, më filozofike, më pak spontante, më e rafinuar, por mbetet ende poezi e një fryme.
Pse e quajtët “Ftesë për flirt”?
Jo me ndonjë qëllim të caktuar, ndoshta ato f-të kanë një tingëllim zbutës, që mund të kompensojë disi edhe përmbajtjen e tij, saç edhe mund të japin edhe idenë se flitet për një vëllim erotik. Po, në të ka poezi sensuale, por nuk është i gjithi ashtu. Ne jetojmë në një kohë dhe në një vend flirtesh të shumta, ku ato erotiket janë pakogjë. Por titulli është thjesht titull, kurrsesi një grackë.
Për çfarë tjetër bëni ftesë në këtë libër?
Një ftesë për ta pasuruar jetën tonë me emocion, për t’i bërë higjienë dashurisë sonë me sensualitet dhe ndjeshmëri, për ta çliruar thelbin tonë nga zori për të folur për “mundimin” ndjesor dhe sensual. Por, bashkë me të, në të ka një dhimbje të hapur për kohët e reja shqiptare, për kaosin, për humbjet e përditshme, për plagët e reja që kemi shkaktuar gjatë tranzicionit. Ka poezi sociale të thukëta, që kanë mveshur shqetësimin tim prej një qytetareje, një qytetare që ka një medium ta thotë me zë të lartë. Poezia është më afër thelbit, ndaj edhe artikulon më shumë nga thelbi yt.
Sa herë ju sillni diçka të re në lëmin e botimeve shqip, sakaq ndizni një vorbull diskutimesh dhe debatesh rreth historive që lëvroni. Çështje atakimi, apo rastësi?
Nuk më ka ndodhur gjithmonë kështu. Ndoshta temat që zgjedh, të cilën në fakt nuk i zgjedh, por thjesht më zgjedhin, gjatë atij procesi kur subkoshienca të prin kah një rrjedhë, në të cilën saç ke drojë edhe magjepsje. Duke u marrë me temën e Kanunit në kohë të reja, me temën e diktaturës, me Shqipërinë sot, veçmas Tiranën nga drejtohet ky vend, pa asnjë lloj kujdesi se kush lëndohet ose jo, duke përdorur sarkazmën si mjet që të jep mundësinë të thumbosh, kam hyrë në ujëra që të shtyjnë të përballesh edhe me një lloj rezistence. Por fundja shkrimtari nuk i mendon këto, liria e tij ia jep mundësinë që ta eksplorojë kohën që jeton, ta kthejë atë në kohë rrëfimore, e pse jo, nëse vepra e tij e përfshin kohën me dimensionin e saj edhe të kujtesës, përse të mos e trajtojë veprën e vend si dëshmi të kohës së tij. Ndeshja me kohën tënde, do të thotë ta kapërcesh pragun e autocensurës, unë jam përpjekur ta bëj, pa menduar se rezistenca do ta anonte këtë sens të rrëfimit tim.
Në vargjet tuaja, ngjan se i thurni himn çështjeve më të ndjera, atyre të dashurisë, pështjellimeve që shpesh trazojnë individin, e bashkë me to, shkruani edhe për botëkuptimin e shoqërisë shqiptare, për kauza të qenësishme, e pse jo për problematika shqetësuese. Si arrini t’i rendisni me veten, e mandej në radhët e librave këto detaje të letërsisë suaj?
Shkrimtari nuk është një krijesë e bërë për t’u marrë vetëm me këndelljen nga letërsia e vet, ai është edhe një qenie sociale, është bartës i mentalitetit dhe psikologjisë së shoqërisë së tij, ndaj nuk mund të jetë aq shpërfillës ndaj saj. Ai është zëri i saj, por me një regjistër të lartë arsyetimi, dhe me një dozë mjaftueshëm psikologjike në artikulimin e tij. Historia shpesh i referohet letërsisë për disa te vërteta të mëdha, dhe duke i shtuar këtyre të vërtetave edhe magjinë e rrëfimit, përftesa është një peizazh me të gjitha laryshitë e kohës (kalendarike e shkrimore) kur jeton dhe kohës me të cilën merret shkrimtari. Ai ka një sy tjetër për ta vëzhguar botën, më të kujdesshëm, por aq ka edhe një aparat tjetër të përpunimit të asaj që për qytetarin e zakonshëm, nuk është objekt kureshtjeje. Por, duke qenë i lidhur me fjalën, shkrimtari ka edhe një mundësi më të thjeshtë komunikimi, mbase më të thjeshtin prej arteve.
Mendoni se libri ka aftësinë të tjetërsojë ngjarje e situata të ndryshme, pse jo edhe raporte mes individësh?
Libri ka aftësi t’i fiksojë në një formë të lartë narracioni ngjarjet dhe situata të caktuara, por jo të diktojë fatet e tyre. Letërsia është imitim i realitetit, jo realiteti. Ajo ka karakter estetik, prej saj mund të përftosh praninë e realitet, ta ripërsëritësh emocionin duke u përfshirë në rrëfimin e saj, mund të ndikojë të emanciposh sjelljen tënde, por kurrsesi të ndryshojë fatin e njeriut.
Cilat janë pritshmëritë personale në lidhje me lexuesin shqiptar?
Ta shohë atë si një urë të re komunikimi me mua, ta shohë si një mundësi për të zgjuar një kënaqësi të re estetike, ta personalizojë atë dhe ta kapërcejë atë unin tim në të. Shpesh shkruaj në vetë të parë në poezi, por nuk është për vetë të parë, nuk është ky thelbi i letërsisë.
Çfarë mendoni për femrën shqiptare?
Femra shqiptare është ajo që e ka emancipuar shoqërinë shqiptare. Sigurisht ky emancipim nuk ndoqi rrjedhën normale të emancipimit të historisë së feminizmit, për shkak të izolimit, gjë që do t’ia kishte bërë më të lehtë rrugën. Madje pati në jetën e saj edhe deformime të natyrës së burrëzimit të saj në socializëm, të prirjes së një lloj konkurrimi për të marrë vendin e tjetrit përballë, një femër me muskuj e kominoshe. Por pavarësisht kësaj, në kushtet e një shoqërie që me shekuj ka vepruar me kode kanunore, femra shqiptare ka bërë kapërcime të mëdha. Vetë më vete, e pandihmuar nga shpura e burrave. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që ende vriten gra për nder, ende fajësohen gratë edhe për bëmat e burrave, ende paragjykohen gratë për tradhtitë. Kemi ende rrugë për një profilim të plotë dhe me dinjitet të partneritetit me burrat, gjë që nis nga ne vetë.