Një dekor special që përcjell atmosferë magjike në çdo detaj tijin! Nga lulja e Krishtlindjeve, tek bredhi i zbukuruar i Vitit të ri! Babagjysh porcelani si suvenire, jastëk dekorativ, drerë të drunjtë, mbulesa të kuqe dhe një ambient i gjithi për t’u jetuar maksimalisht. Sepse nuk janë vetëm festat ato që i japin kuptim ditëve të fundvitit, por edhe dekori unik. Manjola Afezolli, sipërmarrësja e dyqaneve “Dolce Casa” dhe “Aromë Indie”, si edhe studio arkitekturore O. Plasa, tregojnë të gjithë elementët e përfshirë në këtë apartament, kaq të veçantë!
Ambienti i ndenjes & kuzhina e gatimit.
“Një nga synimet ishte eliminimi i fasadës së pastër të xhamit, e cila u realizua në mënyrë shumë natyrale me aplikimin e një tjetër paneli kuadratik, shoqëruar dhe me elementin e gjelbëruar që ndan këto dy fasada. Edhe biblioteka e integruar me kolltukun ishte shumë impenjative dhe goditi që në nisje duke i dhënë kështu të gjithë ambientit origjinalitetin e vet”, vijojnë arkitektët e studio Plasa. Një pjesë dërrmuese e mobilieve janë të Dolce Casa dhe Aromë Indie, ashtu si edhe perdet dhe shumë aksesorë që i kanë dhënë ngjyrë dhe energji të gjithë ambientit. Kolltukët janë Roche Bobois, ndërsa të tjerat janë ideuar nga arkitektët për t’u realizuar më pas me shumë pasion.