Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Aktualisht, jam në Tiranë dhe po merrem me provat e “Këngës Magjike”, edicioni i 18-të! Po ndihem shumë mirë në shoqërinë e artistëve, që janë përzgjedhur për të performuar në skenën e këtij festivali të madh.
Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Kjo lidhet me muzikën! Fakti që vendosa të marr pjesë në kompeticionin muzikor “Star Academy”, ku edhe fitova vendin e parë. Ky angazhim më pas më hapi shumë dyer të karrierës sime në muzikë, ku vijoj të investoj bindshëm vokalin dhe talentin tim.
Kur e ndjeni veten më të lumtur?
Sa herë që performoj në skenë, apo gjatë netëve me muzikë live! Përpara fansave dhe gjithë artdashësve të muzikës sime. Ndihem vërtet i lumtur!
Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Nëse më ndodh të zhgënjehem nga njerëzit e mi të afërt, ndjej trishtim të madh.