I pashëm! I suksesshëm! Një burrë i adhuruar nga shumë gra! Nik Xhelilaj është sot një prej atyre artistëve, që na bën të ndihemi vërtet krenarë. Interpretimet aktoriale, nuk dalin jashtë lëkurës dhe karakterit të tij si njeri. Duket si diçka e ngjizur që herët, që i përket!
Qoftë në pjesën e asaj që ai e quan sedër të mirëfilltë prej shqiptari, diçka që e ka promovuar herët në interpretimin në filmin “Der Albaner”, por edhe në rolin e fundit, që e ka vendosur në fokusin e medieve gjermane dhe ato evropiane.
“Një hero në film, por edhe në jetë”, ky ndoshta do të ishte përcaktimi më i saktë për Nikun, për të cilin po flasin të gjithë! Prijësi indian, me tipare të veçanta, që vjen në figurën e një protagonisti jo si gjithë të tjerët!
“Gjatë audicioneve, mendoja se shanset për ta fituar këtë rol ishin thuajse zero”, thotë ai, ndërsa nuk e fsheh befasinë për gjithçka ju besua.
E konsideron veten me fat, por edhe një njeri të cilit vetëm talenti, nuk i mjafton! Përkushtimi, puna e palodhur, duhet shumëçka për të plotësuar mjeshtërisht figurën e një aktori të suksesshëm. Nuk jeton çdo ditë me mendimin në kokë të të qenit i famshëm, madje mendon se është vetë publiku dhe media që ta jep ose ta heq këtë status.
Nuk harron fillimet e brishta, dhe ata persona që e shtyn në botën e artit, ku pas një pune të palodhur e me pasion, suksesi është tashmë bashkudhëtar në rrugëtimin e tij të përditshëm.
Në këtë intervistë, ai shprehet edhe për raportin e veçantë me të ëmën, të cilën nuk ngurron ta quajë një mama tipike shqiptare që “lë kokën pas të birit”, ashtu si edhe për marrëdhënien speciale me gratë, ku sot preferon të shijojë një bisedë të gjatë, krejt ndryshe nga çka shihte dhe vlerësonte dikur tek aspekti femëror.
Flet për rolin e fundit, për projektin e ri kinematografik që është ende në fazën e bisedimeve dhe pritet të finalizohet së shpejti! Një rrëfim ndryshe i aktorit simpatik!