Mirela Nurçe: Vishu me “pafajësi”…

Stilistja e njohur, është bërë pjesë e dy projekteve të modës, duke përcjellë përpos stilit dhe tendencave, mesazhe të forta, nisur edhe nga kauza sociale të  shoqërisë sonë. Nga simbolet e historisë dhe artit të Izraelit, tek projekti i frytshëm me fëmijët që nuk dëgjojnë në Institutin e Nxënësve në Tiranë

Të mbartësh në trup një histori, një traditë, një simbol që emeton një kauzë sociale, është shpesh një hap më i vlefshëm se sa posedimi i një veshje të shtrenjtë, e cila feks së largu, por në fund mbetet një zgjedhje thjesht luksoze që iu ndihmon të dalloni ndër pak të tjerë. Mendoni të vishni një fustan me prodhime agrumesh të  freskëta nga fushat e Izraelit, apo një tjetër krijim tip mozaiku me një gamë punëtorësh të djersur që punojnë për të vjelë “frytet e arta” të  tokave të tyre pjellore. Këto, por edhe shumë simbole të tjera të shtetit izraelit, stilistja Mirela Nurçe i ktheu në copa mëndafshi dhe krijime të spikatura, pjesë e një koleksioni të plotë prej 22 fustanesh, të cilat së fundmi janë prezantuar edhe në një sfilatë në Ankara, të organizuar nga ambasada e Izraelit në vendin tonë. “With Israel On”, është emri i këtij projekti, në të cilin stilistja Nurçe u bë krejt rastësisht pjesë, por që duket se pati një sukses të përbotshëm, tanimë në Ballkan, por edhe më gjerë. “Synimi im është që t’i kthej në brande këto veshje, dhe ta vazhdoj si projekt më tutje me të tjera stilime. Njerëzit tashmë mund t’i blejnë dhe mund t’i veshin këto fustane në çdo vend që ata dëshirojnë. Ideja me krijimet mbi Izraelin, erdhi në kuadër të 67 vjetorit të krijimit të këtij shteti, ku simbolet më unike të tij u materializuan në copa mëndafshi. Kam kërkuar fusha me domate, disa fabrika, pastaj një mozaik me punëtorë të ndryshëm që punojnë arën dhe vjelin prodhimet vendase. Është një maket i Jeruzalemit, muzeu i artit në Telaviv, Ylli i Davidit, etj”, thotë stilistja.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code