Dashuria vë në lëvizje gjithçka, është lokomotiva e të qenit. Catherine Dunne, shkrimtare shumë e njohur irlandeze dhe profesore në University College Dublin, duket se nuk dyshon aspak për këtë, përkundrazi, është shumë e sigurt dhe mbi baza të një sigurie të tillë të paepur ngre romanin e saj më të ri me titull Në kërkim të Xhulias, ku një grua brilante dhe pragmatike, Xhulia Sejmur, në një moment të caktuar të jetës çekuilibrohet dhe krejt papritur gjendet në rrethana aspak të njohura, tashmë e humbur brenda vetes, e humbur në brishtësinë e saj. Janë të shumëfishta temat që Dunne trajton në veprat e veta: nga rëndësia e bioetikës te koncepti i individit, nga llojet e ndryshme të dashurisë – ajo e vërteta, e sinqerta, dhe ajo e sëmura, gati obsesion – te koncepti i bukurisë që shpesh kontraston me paradigmat sociale. Në kërkim të Xhulias ka në qendër Xhulia Sejmurin, një grua inteligjente me një jetë të mbushur me emocion, e cila vendos një ditë tetori të acartë të braktisë gjithçka: shtëpinë, të bijën, të dashurin, pa thënë asnjë fjalë, si të mos donte ta kthente më kokën pas…