Divat e kinemasë, skenës dhe ekranit nëpër botë grumbullojnë më shumë se kurrë popullaritet, por edhe po kaq të ardhura në ndihmë të kategorive në nevojë. Pas faqeve plot ngjyra dhe tendencave që reflektojnë revistat, fshihet realiteti gri, duke dhuruar padashur një parajsë artificiale.
Kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur që këtë herë të jemi shumë afër njerëzve në nevojë duke bashkuar për një kauzë të madhe tre artiste të dashura. Producentja Zana Çela, aktorja Elvira Diamanti dhe këngëtarja Rovena Dilo, nuk e kishin harruar kurrsesi se përveç misionit artistik, ato fshihnin thellë në zemër një kauzë fisnike, atë ndjenjën e pastër të humanizmit që vlon brenda çdo gruaje dhe shfaqet në të përditshmen, ato vendosën ta katalizojnë së bashku drej një kauze më të madhe.
Pas festave, atmosferës familjare dhe pushimeve këto tre gra u frymëzuan duke ndier shpirtin e mirëbërjes: rikujtuan se teksa gëzonin me të afërmit dhe pasi kishin bërë bilancin e sukseseve, diku në Veri të vendit dhjetra fëmijë kishin mbetur pa dhurata, të tjerë natën e ndërrimit të viteve nuk e kishin kaluar në shtëpitë e tyre. Së bashku bëmë një premtim: një të tretat e të ardhurave që do të grumbullohen nga shitjet do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve në veri të vendit.
“Elegance” i falenderon, pasi këto tre gra ringjallën një virtyt të çmuar të shpitarëve: bamirësinë!
Elvira Diamanti
Karriera e shkëlqyer kinematografike ndoshta nuk do t’i kishte mësuar asaj kaq shumë rreth bamirësisë në krahasim me pesë vitet në krye të Teatrit të Kukullave. Elvira Diamanti iu bashkua kauzës së “Elegance”, duke rrëfyer se jo gjithçka që shkëlqen është e tillë nga afër edhe në jetën e një artisti. Ajo rrëfehet me sinqeritet në vend që të fajësojë ndokënd se mund t’i jetë bërë pengesë përgjatë karrierës së saj, duke theksuar me bindje, se e vetmja pengesë për të kanë qenë më së shumti barrierat që i ka ngritur vetes. Gjithsesi ajo ka ditur t’i kalojë edhe këto momente, duke pasur afër vetes njerëzit e duhur që kanë dhuntinë të dëgjojnë dhe të japin këshilla të vyera. “Përgjithësisht i kaloj me qetësi momentet kritike, gjithmonë i them vetes se e nesërmja do të jetë ndryshe, do të jetë më e mirë. Dhe vërtet kështu ka ndodhur”. Kjo shpresë e pafundme, e cila ka rrjedhur natyrshëm, ka lindur edhe për shkak të faktit se ajo ka ditur të marrë këshilla tek njerëzit e duhur. “Motrat e mia kanë qenë gjithmonë dhoma ime e rrëfimit. Nga familja kam marrë dashuri dhe mbështetje maksimale në çdo rast. Vitet e fundit ndihem mjaft mirë dhe ia them gjithçka Edrës, vajzës sime”- rrëfen aktorja.
Diamanti pranon se shpesh e ka provuar atë ndjesinë e papërsëritshme që të thërret drejt një kauze të madhe dhe kjo ka ndodhur shpesh në jetën e saj, sidomos gjatë 5-viteve që drejtoi Teatrin e Kukullave. “Puna ime më bëri të njoh dhe të ndërgjegjësohem për fëmijët. Shfaqjet e teatrit u shpërngulën në reparte spitalesh me fëmijë të sëmurë rëndë apo qendra me fëmijë pa prindër, kopshte dhe qendra të fëmijëve me zhvillim të vonuar. Ishte një periudhë ku dhimbja që përjetoja, shoqërohej nga emocione të bukura kur shihnim sadopak gëzim në sytë e fëmijëve”. Kjo lidhje e fortë me fëmijët, padyshim është arsyeja që aktorja beson fort se kauza që duhet mbështetur sot në Shqipëri është ajo ndaj fëmijëve që nuk kanë fëmijëri normale dhe të moshuarve, janë ata të cilët kanë nevojë për një fjalë të ngrohtë, kujdes dhe dashuri, për të mos u ndier të braktisur. Tani mes rreshtash e kuptojmë vërtet pse Elvira Diamanti nuk nguroi t’i bashkohej kauzës sonë. “E vetmja mëdyshje që kisha kur më propozuat ishte nëse kam bërë diçka për të merituar kopertinën tuaj”. Oferta jonë ka qenë edhe një mënyrë për të kuptuar se sa e rëndësishme është jo vetëm të ndihmosh të tjerët, por edhe të kujtosh ata që të kanë ndihmuar ty. “Sigurisht, dhe në jo pak raste në jetë kam ndier një dorë të zgjatur kur kam pasur nevojë për ndihmë. Është shumë e bukur të ndjesh mirësinë e dikujt kur ke nevojë për të. Është kjo ndjesi që më bën përherë të gatshme të bëj gjithçka që kam në dorë për dikë që ka nevojë për ndihmën time”. Për Elvirën ka shumë pak rëndësi nëse ajo që ke bërë për dikë apo atë që dikush ka bërë për ty, duhet apo jo t’a thuash me zë të lartë. Ajo është e bindur se një akt bamirësie duhet të zgjojë të tjerët, t’i kujtojë ata se dikush ka nevojë për ty, vetëm atëherë duhet ta thuash atë që bën me zë të lartë.
Aktorja e kinemasë këmbëngul se është plotësisht e mundur që artistët t’i bashkohen nismave të bamirësisë, madje vetë ajo nuk do të ngruronte të ishte pjesë e tyre. “Kurrë nuk është vonë në se bën diçka të mirë që do t’i shërbejë atyre që kanë nevojë. Kurrë nuk është vonë për të bërë dikë të ndjehet më mirë”- rrëfen ajo. Formula e përdorimit të imazhit të artistëve për të mbledhur fitime në ndihmë të njerëzve në nevojë, sot mbetet një ndër detajet e vogla, por që ngrenë shumë peshë për kauzat e mëdha. “Imazhi i një artisti për njerëzit që e duan, është gjithsesi një kontribut më shumë drejt qëllimit. Dhe pa dyshim që vetë qëllimi të bën edhe më të mirë, të ndihmon dhe ty vetë të ndihesh më i vlerësuar dhe në fund të fundit, me më shumë vlera”. Sipas aktores, nëse deri tani artistët nuk kanë mundur t’i bashkohen kauzave sociale, duke i bashkuar vetëm në fushata politike, ky nuk është aspak faji i tyre: ata kanë nevojë t’i përfshijë dikush…!
“Elegance” ishte e para që e bëri, duke thyer çdo barrierë, duke u shtrirë përtej çdo dimensioni.