Ajo rrëmbeu “zemrën” e Sarajevës, duke u vlerësuar si aktorja më e mirë e këtij festivali prestigjioz të filmit. Nga rolet me të cilat bie në dashuri, tek profili i psikoterapistes për të cilën është diplomuar në Londër. Një aktore jo si gjithë të tjerat, ku rregullat në artin që lëvron ia dikton vetë personazhi…
E futur thellë në lëkurën e figurës që interpreton, përzgjedhëse në rolet që i ofrohen dhe me një karrierë artistike e cila është zhvilluar më shumë nëpër botë, dhe më pak në Shqipëri, Ornela Kapetani dëshmon se është një aktore jo si gjithë të tjerat. Sapo ka “rrëmbyer” zemrën e Sarajevës, në kompeticionin kinematografik më të suksesshëm atje, dhe assesi nuk e fsheh entuziasmin. Në rolin protagonist të Letës në filmin “Dita zë fill” me regji të Gentian Koçi, ajo përcjell një dramë të fortë njerëzore që zhvillohet brenda katër mureve të shtëpisë, e mandej përcillet mjeshtërisht tek audienca. Leta është në një konflikt të vazhdueshëm midis asaj që ajo ndien, por dhe asaj që ajo përjeton. Mund të jetë jeta kaq e zezë? Çfarë na jep shpresë? Si vazhdojmë kur humbasim shpresën dhe dinjitetin? Ornela, ka aftësinë të futet në çdo skutë të shpirtit dhe personazhit që interpreton, edhe për faktin se ajo është thelluar në studime të specializuara si një psikoterapiste kreative, kjo për të ndihmuar individin të kuptojë më thellë vetveten. “Të përballojë errësirën njerëzore dhe atë çka na bën të veçantë. Sigurisht që vazhdoj të ushtroj këtë profesion, kjo më jep lirinë të zgjedh kur më propozojnë një rol”, thekson ajo. Nga Londra në Greqi, aty ku ka “rrënjët” e gjenezës së familjes së saj të vogël, e cila përbëhet nga bashkëshorti dhe djali që për të duket se janë mbështetja më e madhe, Ornela Kapetani vjen në këtë rrëfim për Elegance, për aktrimin, për dy projektet e mëdha të radhës, për Shqipërinë dhe raportin e saj me artin këtu, etj.