“I ka dhuruar shekullit të 20-të një prej hapësirave më të bukura të interior dhe eksterior”,- do të shprehej juria e Pritzker më 1983 kur vlerësoi me çmimin më të madh të arkitekturës Ieoh Ming Pei, arkitektin më të madh të një gjenerate.
I lindur në Suzhou dhe i rritur në Hong Kong, Pei gjatë rinisë së tij ndërmori hapin që do t’ ndryshonte jetën dhe u shpërngul në ShBA për të studiuar arkitekturë. U inspirua nga e bukura dhe arriti ta kthejë të bukurën në ndërtesa tejet funksionale dhe të bukura.
Jeta
Ieoh Ming Pei ka lindur më 26 prill të 1917 dhe unanimisht është konsideruar si një prej arkitektëve më modernë të gjeneratës së shekullit të kaluar. Në Hong Kong dhe Shanghai kreu studimet dhe më pas mori një formim më të zhvilluar në ShBA, ku u orientua drejt arkitekturës. Fillimisht, nuk gjente aspak frymëzim nga praktikat e mësimdhënies, por një profesor e bindi se në fakt, arkitektura ishte “krijuar” për të. Mbaroi studimet Bachelor më 1940, por lufta e detyroi të braktiste ShBA dhe të kthehej në atdhe. Pas luftës, u bashkua me një grup të rinjsh të cilët ndanin të njëjtin pasion: artin pamor dhe arkitekturën. Në këtë grup menjëherë ra në sy talenti i tij, i cili i hapi dyert drejt Harvard-it dhe fushës së dizenjimit.
Karriera
Artisti kinez filloi të punonte me projekte personale më 1955, duke krijuar edhe studion e tij të njohur si “I.M. Pei & Associates” (më vonë ndryshoi emrin në “Pei & Partners”, e më pas në “Pei Cobb Freed & Partners”). Në 6 dekada histori, firma e tij u njoh për projektet madhështore në të cilat punoi, ku mund të përmendim: Banka e Kinës në Hong Kong, shtesën e kristaltë në Louvre, Paris, gjithashtu edhe influencën e madhe në Galerinë e Arteve në Washington DC dhe Librarinë Presidenciale në Boston. Edhe pse në 1990-ën arkitekti hoqi dorë nga puna me kohë të plotë dhe reduktoi ndjeshëm projektet që firma e tij punonte, përsëri jep një kontribut të jashtëzakonshëm në llogari të “Pei Cobb Freed & Partners”.
I mirënjohur si një pioner i modernizmit dhe gjithmonë duke sjellë risi, Pei shfrytëzonte format e figurave të thjeshta gjeometrike si: tekëndësh, rreth dhe katror. Duke qëndruar besnik i formave të thjeshta dhe funksionit të tyre e kanë larguar nga faktori artificial, konteksti i përparimit falso dhe variatetit të ekzagjëruar.
Rëndësia e arkitekturës qëndron midis stilit dhe dizenjimit, analizës që i bën procesit, e cila me kalimin e kohës merr formë dhe zë hapësirën e duhur. Sipas këtij koncepti, Pie do të ndërtonte të gjitha ndërtesat që i janë besuar, duke iu referuar shumë stilit të tij. Më 1974, në një konferencë në Kinë do t’u bëntë thirrje arkitektëve të rinj që të dëgjonin thirrjen e traditës dhe të përcillnin jehonën e saj.
Pei i ka dhuruar arkitekturës kaq shumë, një larmishmëri që simbolizon mendjen e tij të ndritur. Është nderuar me një numër të madh çmimesh, ku vlerësimi maksimal është bërë prej jurisë së Pritzker.
Disa nga veprat e tij vijojnë: “Libraria e Kennedy”, “Plani i Pei” për Oklahoma-n, “Augusta” në Gjeorgji, “Korridori” në Dallas, “Kulla Hancock”, Boston, “Galeria e Artit” në Washington DC, “Banka e Kinës” në Hong Kong dhe një numër i madh muzeumesh, të cilat zakonisht kanë si vendndodhje Kinën dhe Japoninë.
Stili
Stili i arkitektit kinez është konsideruar si modern, me shumë inspirime nga kubizmi. Është njohur për kombinimin e elementeve të arkitekturës tradicionale, por e orientuar drejt figuracionit gjeometrik që i shton faktorin e modernizmit. Pei ka aplikuar një kombinim shumë të gjetur mes traditës dhe modernes, duke u identifikuar me këtë metodë. E gjithë çështja e kryeveprave të tij qëndron në shërbimin e komunitetit. “Gjithmonë kur krijoj, mendoj se a i shërben kjo vepër komunitetit?”, – dhe të gjithë biem dakord se po, i shërben, madje i shërben shumë edhe arkitekturës.
Comments