E re, sportive, krenare, inteligjente, me zemër të madhe, gjithmonë e njëjta, jashtëzakonsisht e bukur, tmerrësisht tërheqëse: të gjitha virtytet më të mira përmblidhen te bukuroshja e cila na prezantoi dhe valëviti denjësisht flamurin shqiptar në Miss Universe, Cindy Marina.
Magjia e tipareve të saj mahniti jurinë dhe botën, duke e promovuar bukurinë e vendit tonë dhe duke e lartësuar edhe njëherë emrin e Shqipërisë.
Por, përtej emocioneve të jashtëzakonshme të “garës” për kurorën e bukurisë, Cindy është shumë më tepër se një fytyrë e bukur; është një volejbolliste shumë e talentuar, një aktiviste në mbrojten e planetit, një vajzë me zemër të madhe dhe dëshirën për të ndihmuar dhe sigurisht, shembulli i duhur i frymëzimit.
Elegance ju fton të ndiqni intervistën e Miss-it e cila u rendit në Top 20 të femrave më të bukura në univers.
Cindy, korre sukses të padiskutueshëm në Miss Universe, duke na bërë të gjithëve krenarë. Pas fitores së kompeticionit në Shqipëri dhe renditjes në Top 20 si një ndër vajzat më të bukura në univers, natyrshëm na lind pyetja: Si ndihesh pas këtij vlerësimi maksimal? Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde?
Jam kaq e lumtur, por mbi të gjitha ndihem shumë krenare që arrita ta dërgoj Shqipërinë në Top 11 e kompeticionit të bukurisë. Miss Univers është një konkurs tepër i vështirë, për shkak të pjesëmarrjes nga vajzave të bukura nga e gjithë bota dhe për mua ishte një nder të isha vajza fatlume, e cila u përzgjodh për të përfaqësuar flamurin dhe vendin tonë në botë.
Ndiej se jeta ime ka ndryshuar kaq shumë gjatë gjithë këtij rrugëtimi, sepse kam mësuar shumë rreth vetes, si të perfeksionohem në marrjen e vendimeve dhe si të përfaqësoj veten dhe Shqipërinë.
Por sërish, ndihem e njëjta Cindy, edhe pse jam e ndërgjegjshme për përgjegjësitë e zërit tim dhe titullit të ri.
Në mënyrë të përgjithshme themi se është një eksperiencë e jashtëzakonshme, por askush më mirë se ti nuk mund ta definojë pjesëmarrjen në Miss Universe. Si mund ta përshkruash eksperiencën në konkursin më të madh të bukurisë?
Ishte e mrekullueshme! Sinqerisht, është një nga përvojat që përjetohen njëherë në jetë dhe padyshim, nuk do ta harroj kurrë. Pata kënaqësinë të ndaja dhomën me Miss Kosovën, u bëmë shoqe të ngushta dhe i kaluam të gjitha ditët së bashku.
Gjatë 10 ditëve në Atlanta, takova vajza të mrekullueshme nga e gjithë bota. Më pëlqeu shumë fakti që munda të mësoj rreth kulturave të tyre, ndërkohë ndava edhe bukurinë e mahnitshme të kulturës shqiptare. Mund të them se krijova miqësi jetëgjata dhe kemi planifikuar të bëjmë udhëtime dhe të njohim vendet e njëra-tjetrës.
Një ditë e zakonshme gjatë Miss Universe ishte e gjatë, plot energji dhe thjesht e paharrueshme. Çdo ditë zgjohesha, vendosja shiritin me emrin “Shqipëri” dhe ndihesha me fat që ndaja të njëjtën eksperiencë me 90 vazja të mrekullueshme nga e gjithë bota.
Si mund ta përshkruar suksesin tënd? E prisje, apo ishte një surprizë shumë e bukur edhe për ty?
Të jem e sinqertë prisja të dilja mirë, për shkak se gjatë përgatitjes dhe rrugëtimit në Miss Universe, kam punuar vërtet shumë, kam investuar kohë dhe jam dedikuar plotësisht për të dhënë një performancë të përkryer. Besoj se çdo përpjekje shpërblehet.
Të përfaqësoja Shqipërinë në kompeticionin më të madh të bukurisë është një privilegj për mua, njëkohësisht edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme, ndaj nuk mund ta merrja lehtë. Doja t’i tregoja botës se cilët janë shqiptarët, t’i tregoja kulturën tonë, njerëzit tanë të dashur, bukurinë e relievit që të lë pa fjalë dhe e dija se e vetmja mënyrë për të realizuar synimin tim ishte të angazhohesha me zemër dhe me të gjitha forcat e mia. U trajnova me 2 Miss-et të cilat kishin përfaqësuar SHBA dhe më përgatitën për fjalimin publik dhe për intervistat. Kjo më ndihmoi vërtet shumë.
Të dëgjoja Steve Harvey-n të lexonte të parin emrin e Shqipërisë në renditjen e Top 20 femrave më të bukura në univers, ishte një emocion surreal dhe mund të them se ndjeva flutura në stomak. Pashë familjen dhe miqtë e mi të cilët njëherazi ngritën flamurin shqiptar dhe postera për mua dhe këtë moment nuk do ta harroj kurrë!
Si të priti publiku shqiptar dhe ai i huaj?
Të gjithë më mirëpritën. Kur ndodhesha në Atlanta, shumë fansa nga e gjithë bota prisnin të më shihnin çdo ditë dhe suporti i tyre më ngrohu zemrën.
Publiku shqiptar më mbështeti shumë dhe e ndjeva dashurinë e tyre gjatë gjithë rrugëtimit në Miss Universe. Fuqia e rrjeteve sociale sot është e paarritshme dhe më dha mundësinë e madhe të kontaktoj me fansa në Instagram dhe në rrjete të tjera dhe kjo lidhje e sinqertë e bëri edhe më speciale eksperiencën time.
Sinqerisht, mbështetja e fansave, miqve dhe familjes e shumëfishoi me miliona herë lumturinë e përvojës që do e mbaj mend për të gjithë jetën.
Cilat janë standardet e tua për bukurinë?
Në fakt, nuk kam pse të vendos standarde për bukurinë. Unë përpiqem të shoh bukurinë te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë jemi unikë në mënyrën tonë; kjo është edhe ajo që adhuroj te vajzat shqiptare; të gjitha janë të veçanta dhe të bukura në trajta të ndryshme. Nuk ka vetëm një “look” apo “standard bukurie”, por një numër të madh dhe kjo është ajo që e përbën bukurinë, sidomos atë më të veçantën për mua, bukurinë shqiptare. Nuk mendoj se duhet ta definojmë bukurinë, përkundrazi, duhet të vlerësojmë njerëzit për atë çka janë realisht, jo të përpiqemi t’i bindim të ndryshojnë apo të përshtaten me të ashtuquajturat “standarde”.
Volejbolli është një tjetër pasion i madh i yti. Si e manaxhon kohën që të japësh 100% tënd në gjithçka që bën?
Balancimi i gjithçkaje ka qenë i vështirë, por kam mundur ta praktikoj volejbollin edhe në shkollë dhe kjo më ka ndihmuar shumë.
Je e re, e bukur, e suksesshme dhe e përmbushur në të gjitha drejtimet. Mendon se po shërben si një model për femrat shqiptare dhe jo vetëm?
Titulli Miss Albania më ka dhënë “aksesin” të jem një model për të gjitha femrat, pavarësisht moshës.
Kam patur fatin të punoj me organizata të ndryshme bamirësie në Shqipëri dhe në Kaliforni (atje ku edhe po studioj) dhe shpresoj që të kem shërbyer si një shembull frymëzimi për të tjerët, që falë pasioneve të tyre të ndikojnë në komunitetet ku bëjnë pjesë. Po bashkëpunoj me “Shtëpinë e Fëmijës” në Shkodër, me “Animals Needs Me”, gjithashtu me punë vullnetare për të reduktuar mbetjet plastike dhe për pastrimin e plazheve dhe oqeaneve.
E gjitha kjo ka qënë shumë e rëndësishme për mua, sidomos gjatë Miss Universe Albania, sepse dëshiroj shumë të frymëzoj njerëzit që të ngrihen dhe të bëjnë ndryshimin, të kujdesen për veten, për të tjerët dhe për planetin tonë.
Të kemi parë aktive në sfilata e pasarela, kjo sepse edhe kompeticionet e bukurisë lidhen shumë me botën e modës. Cilat janë ofertat dhe projektet e fundit?
Gjatë muajve të Miss Universe isha tmerrësisht e zënë, ndaj pas përfundimit të kompeticionit, mora pak kohë për t’u qetësuar dhe për të qëndruar pranë familjes.
Planet e ardhshme janë të mbaroj shkollën dhe të nënshkruaj një kontratë me një agjenci modelingu. Kështu do të nisë karriera ime si modele.
Do të doja shumë ta ndërmerrja këtë hap dhe të shikoj ku do më dërgojë!
Cilat janë synimet që ke vendosur për dekadën e re?
Gjatë dekadës së re dua të vijoj të nxjerr veten nga zona e rehatisë, sepse vetëm kështu mund të rritem. Një dekadë është një kohë relativisht e gjatë, por shpresoj për një karrierë modelingu të suksesshme dhe pse jo, nisjen e biznesit tim.
Comments