Ai i takon gjeneratës së re të piktorëve, atyre që respektojnë traditën, por shpesh duan të thyejnë tabutë. Në mbarim të edicionit të fundit të “Onufri 2010”, ku edhe konkuroi me dy fotografi, piktori Genti Korini, tenton në skajin e të (pa)mundurës të kryejë një mision gati religjioz: Të pastrojë artin. Por nga kush duhet të pastrojë artin: nga hijet e artit komercial apo lufta për të arritur majat e suksesit nga kushdo me çdo kusht? Sa arrin ai që me konceptet e tij të përmbushë një mision gati të pamundur, si e sheh evoluimin e pikturës moderne shqiptare, përplasjet mes brezave dhe padyshim mundësitë e artistëve tanë për të qenë pjesë e eventeve prestigjioze…!
Sapo ka mbaruar “Onufri 2010”, keni bërë një bilanc të aktivitetit më të rëndësishëm të artit pamor shqiptar?
Normalisht! Artisti bën bilancin e punës së tij nëse mund ta quajmë kështu, e në këtë aspekt, “Onufri 2010” është një skenë e konfirmuar tashmë e zhvillimeve të artit bashkëkohor në Shqipëri dhe pjesëmarrja në këtë aktivitet për mua është një moment shumë i rëndësishëm për krijimtarinë time.
Cilat ishin punët e tua në “Onufri 2010” dhe pse pikërisht zgjodhët të prezantoheshit me fotografinë?
Në “Onufri 2010” kam ekspozuar dy fotografi ojektesh, që funksionojnë si artifakt i ideve që përfaqësojnë dhe jo si fotografi në vetvete.
Të dyja punët e tua tentojnë drejt një simbolike të fortë, si mund ta përktheni atë për lexuesin tonë?
Po ndalem vetëm tek njëra nga punët: “Pastro Papastërtinë” (Clean the Dirt). Në një nga intervistat e bëra artistes shumë të njohur franceze “Louise Bourgeois” marrë në studion e saj në New York, në një sekuencë të intervistës, pyetjes së gazetarit: cili është misioni i artit? – ajo i përgjigjet shumë thjeshtë: Arti duhet të “Pastrojë Papastërtinë” (Art must Clean the Dirt) dhe ndërkohë, ajo me një gjest shumë të zakonshëm vazhdon pastron tavolinën e saj të punës.
Kjo shprehje e saj më ka ndjekur prej kohësh dhe ka qenë gjithmonë e pranishme tek unë në procesin tim kreativ. Vendosa ta merrja këtë sekuencë, ta përdorja e ta ktheja në një vepër ku kjo përmbajtje të ishte vetë vepra. Fotoja e objekti me këtë shprehje të inçizuar mbi të qëndron si artifakt i konceptit tim, duke e bërë të parëndësishëm paraqitjen e vetë objektit fizik. Mendoj se është një moment reflektimi personal mbi vetë procesin e të bërit art. Do të doja që dhe publiku ta përjetonte këtë vepër si një reflektim të tillë.
Sa realiste janë kompeticionet mes artistëve në vendin tonë, shpesh ka pasur edhe debate në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së tyre?
Do doja të bëja një parantezë mbi këtë pyetje; Problemi kryesor që shoqëron artin pamor prej vitesh në Shqipëri, është mungesa e një sistemi të mirëfilltë arti. Kjo bën që të gjithë aktorët e kësaj skene si artistë, institucione, sistemi i financimit të artit, galeritë private, koleksionistë dhe i fundit, por jo nga rëndësia, publiku, të mos jenë aktivë në ndërtimin e infrastukturës së artit. Kompeticione të tilla si “Onufri” kanë një strukturë të qartë, ku është kuratori ai që vendos platformën konceptuale dhe artistike, gjithashtu edhe përzgjedhjen e artistëve. Kështu që një aktivitet mund të gjykohet për kualitetin ose jo të tij dhe debatet janë shumë të nevojshme për të hapur problematikën e artit shqiptar ndaj publikut.
Ju keni qenë pjesëmarrës në ekspozitën kolaterale të “Pavionit Shqiptar” Bienale e Venecias në 2007, si u gjendët aty?
Bienalja e Venecias është një eksperiencë unikale për vetë dimensionin global të skenës së Artit Bashkëkohor që ajo përfaqëson. Pjesësmarrja në këtë event është shumë e rëndësishme për çdo artist vizual. Përsa i përket procesit tim krijues mund të them që ka qenë një moment ku fotografia bëhet pjesë e rëndësishme e krijimtarisë sime, po aq sa dhe piktura.
Si nis një proces krijues për ju, frymëzoheni dhe e mbaroni me një frymë apo kaloni një kohë të çmuar për ta sjellë veprën në formën e plotë?
Mund të them që nuk kam një formulë të saktë për këtë, por mund të them se të dyja proceset që përmendët ju janë pjesë e procesit tim.
A ndiheni i dyzyar mes pikturës dhe fotografisë, cilat janë ato detaje që bëjnë diferencën mes të dyja disiplinave?
Formimi im ka qenë shumë i lidhur me pikturën dhe fotografia ka qenë më shumë një lloj hobi dhe një botë ku unë eksploroja pa përgjegjësinë e të qenit “artisti”, ndërsa më vonë këto dy procese erdhën dhe u bënë pjesë të pandashme të punës time. Nuk mund të pikturoj sot, pa pasur parasysh imazhet fotogafike dhe nuk mund të fotografoj si një fotograf “profesionist”, por si një artist vizual. Mund të them se për mua është e rëndësishme ajo ç’ka do të thuash me veprën tënde dhe pastaj forma që ti zgjedh për ta materializuar atë ide, mund të jetë gjithçka.
A ekziston edhe në Shqipëri lufta e brezave dhe si ndodh konkretisht?
Nuk do ta quaja “luftë”, më shumë do ta quaja ndryshim brezash dhe kjo është normale, por artistët e rinj them se duhet me patjetër të jenë aktivë në të gjitha format e mundshme, edhe pse realiteti s’është aspak i favorshëm për ta bërë këtë.
Punët tuaja kanë qenë të pranishme në galeri prestigjioze në SHBA, Greqi, apo Itali, Kinë. A janë fitimprurëse apo për një artist mjafton vetëm motivacioni, pra vlerësimi i kritikës?
Thashë që çdo gjë varet se në ç’formë ekspozon dhe në ç’pjesë të sistemit futet arti yt. Kur ekspozon në galeri private, normalisht pjesa e menaxhimit dhe marketingut bën punën tënde pjesë të tregut, pastaj dhe galeritë kanë hierarkitë e tyre dhe për të rritur interesin e galerive që realisht janë serioze dhe më pak komerciale, duhet që puna jote të jetë e pranishme nëpër eventet e mëdha të artit bashkëkohor. Pra, është një sistem që jep dhe merr me njëri-tjetrin, i mirë-organizuar, që fatkeqësisht nga Shqipëria bëhet shumë i vështirë të ndjekësh dinamikën e zhvillimeve, pikërisht prej mungese të skenës lokale.
Sa rrezikohet arti shqiptar nga komercionalizimi, sidomos piktura, riprodhimet janë kthyer në një modë të re, por shumë fitimprurëse?
Komercializmi ka ekzistuar dhe do të vazhdojë të ekzistojë, ashtu si në çdo fushë të artit si muzika, kinemaja, letërsia, por kjo nuk është problemi kryesor për artin, thashë mungesa e sistemit profesional sjell keqkuptimet e publikut ndaj vlerave të vërteta dhe atyre komerciale artistike.
Shumë mendojnë se piktura bashkëkohore po rend pas një abstraksioni të theksuar, shpesh i pakuptimtë, sa e shqetëson ky fakt një piktor?
Ky është një nga keqkuptimet më të zakonshme për publikun shqiptar, qoftë dhe për atë më të kualifikuarin. Piktura abstrakte është një formë shprehje brenda gjuhës së pikturës ashtu siç mund të jenë qindra forma të tjera shprehjeje që operojnë në pikturë. Për këtë do duhej një intervistë më vete besoj.