A film by Erenik Beqiri

Kinemaja shqiptare bëri një hap galopant dhe për këtë duhet t’i jetë mirënjohëse Erenik Beqirit, regjisori i cili falë “The Van”, një film shqiptaro-francez, trajton në mënyrë unike një nga plagët e shkuara, por edhe aktuale të shoqërisë sonë: emigrimin. Filmi ka hasur vështirësitë e tij deri në realizimin final, por këto vështirësi zerohen përpara arritjes dhe renditjes në listën e kandidatëve për çmim në Festivalin e Kanës, evenimenti që bashkon filmat më të mirë të vitit.

Për më tepër rreth vështirësive, produksionit, suksesit dhe planet në vijim kemi pyetur regjisorin Erenik Beqiri, i cili na rrëfeu mbi eksperiencën e jashtëzakonshme të pjesëmarrjes në Kanë. Kemi bindjen se një eksperiencë të tillë, regjisori Beqiri nuk do ta harrojë kurrë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

 
 “A film by Erenik Beqiri” na dërgoi zyrtarisht për herë të parë në Kanë, na shpalli kandidat për çmim dhe shënoi një arritje shumë të madhe për kinematografinë shqiptare, por si lindi ideja e krijimit të një filmi të tillë, me një subjekt interesant, i cili njëkohësisht cek një prej tematikave më të ndjeshme të Shqipërisë: emigrimin?
Ideja fillestare lindi nga një dokumentar të cilin rastisa ta shihja në TV shumë vite më parë. Ngjarjet e dokumentarit zhvilloheshin diku në Amerikë, ku persona të ndryshëm mblidhnin qentë dhe i vendosnin për dyluftim brenda bagazhit të një makine, mbyllnin bagazhin dhe më pas makina bënte një xhiro rutinë nëpër qytet. Në momentin që kthehej, hapnin bagazhin për të kuptuar cili nga qentë kishte fituar; në këtë mënyrë vendoseshin edhe bastet midis tyre. Nga ai moment vazhdimisht mendoja sesi mund ta përshtasja ngjarjen ku ndeshjet t’i bënin njerëzit. Rrjedhimisht, hapësira e ndeshjeve duhet të ishte e mjaftueshme për dy persona dhe në të njëjtën kohë të jepte ndjesi klaustrofobike.

Pjesa e emigrimit fatkeqësisht vazhdon të jetë një temë delikate e shoqërisë sonë, e cila nuk duket sikur ka gjasa të zhduket së shpejti. Që fëmijë mbaj mend të rriturit që vazhdimisht kërkonin të largoheshin në Itali ose në Greqi. Kjo vazhdoi edhe vite më vonë gjatë periudhës së shkollës dhe e ndiej se akoma vijon të jetë prezente në një pjesë të rinisë së sotme.

 

“The Van” ka si subjekt historinë e një djali të ri, i cili punon një punë të rëndomtë dhe pa të ardhura, pastaj na transmeton një përballje fizike në një mjet transporti, me qëllimin e vetëm që djali të gjejë para dhe të udhëtojë drejt mundësive të reja. A paraqet ky realitetin shqiptar në sytë e tu dhe të aktorëve?
Siç e përmenda më sipër, emigrimi vazhdon të jetë pjesë e realitetit tonë në forma të ndryshme, por fatmirësisht jo në formën e paraqitur në film. Edhe pse disa nga ngjarjet që kam dëgjuar duken akoma më tronditëse. Besoj se edhe për aktorët vlen e njëjta gjë; ata do të dinë ta tregojnë më mirë mendimin e tyre, por këndvështrimi ynë ishte i njëjtë përsa i përket paraqitjes së këtij realiteti në film.

Të jesh regjisori I një film është padyshim një punë e vështirë, veçanërisht në vendin tonë, andaj cilat janë vështirësitë që janë hasur që prej fillimit të filmit deri në përfundimin e tij?
Mendoj se pjesa më e vështirë e regjisorit është të mbajë të gjithë ekipin në një drejtim të caktuar, ku të gjithë janë duke realizuar të njëjtin film. Kjo është një vështirësi qe hasin të gjithë regjisorët në set, por duhet të them se puna dhe sakrifica e ekipit dhe aktorëve ka qenë gjithmonë aty, për të realizuar filmin më të mirë të mundshëm.
Të them të drejtën, vështirësia më e madhe ka qenë për të arritur deri në fazën e xhirimeve, nga shkrimi i skenarit deri në përfundimin e tij kanë kaluar pothuajse tre vite.
Filmi është xhiruar në ditët e ftohta të janarit, pasi vetëm atëherë të gjithë mund të mblidheshim së bashku për ta xhiruar.

“The Van” është një prodhim shqiptaro-francez, I realizuar me fonde franceze. Ishte kjo një zgjedhje e jotja apo një pamundësi e shtetit tonë për të financuar një film me metrazh të shkurtër?
Ishte një zgjedhje e detyruar, pasi projekti nuk u zgjodh për t’u financuar në Shqipëri dhe kjo e bëri akoma më të vështirë gjetjen e fondeve në shtetet e tjera. Si rrjedhojë, dy coproduksione të tjera u tërhoqën, kështu që ngeli vetëm produksioni francez, të cilit i jam shumë mirënjohës pasi besoi te projekti që në fillim dhe insistoi në realizimin e tij. Filmi arriti të xhirohej pasi producentët nuk hoqën dorë, duke u munduar për disa vite që të krijonin buxhetin e përshtatshëm për xhirimin e filmit dhe më në fund ia arritëm.

Filmi është realizuar për një kohë relativisht të shkurtër, por kjo nuk e ka cënuar aspak realizimin e mirë të tij. Ishte i pritshëm suksesi, apo erdhi krejt rastësisht?
Xhirimi dhe e gjithë pjesa e post-produksionit janë kryer brenda dy muajve. Zakonisht ky proces zgjat disa muaj më tepër, por qëllimi ynë ishte të arrinim datat e festivaleve. Besoj se të gjithë kishim pritshmëri për filmin, por për mua personalisht pritshmëria e vetme ishte të realizoja filmin më të mirë të mundshëm brenda mundësive që u krijuan. Gjatë gjithë procesit, nga shkrimi i skenarit deri në mbylljen e montazhit, fokusi mbeti vetëm te filmi dhe si mund ta përmirësoja atë, pjesa tjetër pothuajse nuk ekzistonte gjatë kësaj kohe.
Përzgjedhja e ekipit dhe aktorëve ka ndikuar në krijimin e një ambienti profesional dhe bashkëpunues, gjë që ka lejuar që të gjithë të japin maksimumin në secilën fushë. Rrjedhimisht, kualiteti i filmit ishte mëse i dukshëm dhe si pasojë erdhi edhe suksesi i tij.
Unë nisem me dëshirën për t’i dhënë jetë ideve të mia dhe të krijoj diçka që mua mund të më pelqejë, por nëse pëlqehet edhe nga të tjerët, në këtë rast Festivali i  Kanës, është sigurisht shumë motivuese dhe jam realisht mirënjohës për feedback-un pozitiv që kam marrë atje.

Një tjetër pasion i yti, të cilin nuk ngurron ta shfaqësh në rrjetet sociale është fotografia, shkrepja e situatave të cilat i gjen në rrugët ku kalon. A ka ndikuar fotografia në artin kinematografisë, në teknikat e ndriçimit, “stërvitjes së syrit” dhe preceptimit të një bote përmes lentes, aparatit apo ekranit?
Të them të drejtën, kohët e fundit nuk jam marrë me fotografinë aq sa do të doja.
Për mua është e rëndësishme mënyra si e fotografon një kast, këndi, pozicioni i aktorit në kuadër etj.
Zakonisht gjatë fazës parapërgatitore marr skenarin dhe mendoj si mund ta tregoj vizualisht një skenë duke hequr dialogun, nëpërmjet planeve dhe madhësisë së planit. Kjo i jep mundësinë dhe fuqinë shikuesit të vendosë emocionet e tij, të cilat mund të jenë më të forta sesa verbalizimi i skenës.
Gjithashtu, para çdo xhirimi krijoj një koleksion me fotografi dhe piktura, të cilat i ndaj me drejtorin e fotografisë dhe pjesën tjetër të ekipit. Kështu arrijmë të krijojmë një ide për gjuhën vizuale që i përshtatet filmit.

Në fakt nuk është hera e parë që një film nga ti kalon kufijtë, madje na ke dërguar edhe në kontinente të tjera, ke fituar edhe çmime të rëndëishme, i referohem “Bon Appétit”, por të kandidosh në Festivalin e Kanës, në një event të përmasave të tilla, krah yjeve të kinemasë botërore është një tjetër ndjesi. Çfarë do të thotë të shkosh në Kanë? Si mund të përshkruhet si ndjesi?
Është shumë e vështirë ta përshkruash me fjalë. “Kënaqësi”, “magjepsje” do ishin mbase fjalët e duhura, edhe pse mendoj se nuk krijojnë ndjesinë e saktë të të qenurit pjesë e Festivalit.
Pjesëmarrja në Kanë është vlerësimi maksimal për mua dhe një shtysë e fortë drejt rrugës së realizimit të filmave të tjerë në vijim.

Përpos Kanës, “The Van” ka rrëmbyer deri tani disa çmime të tjera si: “Best Short Fiction” dhe “Best International Film” dhe këto arritje janë padyshim shumë të rëndësishme në karrierën tënde, por edhe në botën e filmit për vendin tonë. Si ndikon ky sukses te ti, te kreativiteti dhe mundësitë e reja që shpalosen?
Filmi ka kaluar në disa festivale duke marrë goxha vemendje dhe kjo ka bërë të mundur që të krijohen kontakte me persona të cilët kanë shfaqur interes për projektin e radhës. Siç e thashë edhe më sipër, për mua është e rëndësishme të arrij t’i dedikoj kohën e duhur krijimit të filmit pasardhës.

Sipas një mendimi personal dhe profesional, pse gjatë gjithë këtyre viteve emri i Shqipërisë nuk është thirrur në Kanë?
Është e vështirë të arrish në një konkluzion të saktë, pasi gjithçka që lidhet me filmin ngelet subjektive. Mund të them që interesi për filmin shqiptar është prezent në shumë festivale, si edhe në Kanë. Tematikat dhe ngjarjet nuk mungojnë në Shqipëri, por mënyra sesi tregohen këto ngjarje është ajo që bën ndryshimin.
Gjithashtu filmi si formë arti kërkon që të eksperimentosh dhe të dalësh jashtë zonës së komfortit duke i vënë sfida të reja vetes.

Dhe të rikthehemi te “The Van” dhe planet e tua për krijimin tënd. Cilat janë premisat e tua për të ardhmen e “The Van”? Çfarë pret prej filmit dhe suksesit të tij?
“The Van” është ende duke udhëtuar nëpër festivale të ndryshme nëpër botë. Por për mua tashmë është një kapitull i mbyllur dhe jam i fokusuar më tepër në filmin e radhës dhe mundësitë për realizimin e tij. Gjatë fesivalit te 41-të të Cinemed, projekti i radhës mori çmimin e parë për zhvillim, gjë që më motivon shumë për të vazhduar punën.