Albërie Hadërgjonaj: “Kush është motivi i jetës sime”

Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Jam në Tiranë prej disa muajsh, për shkak të angazhimit në spektaklin “Dance With Me”. Më mjaftoi ky projekt që unë të ç’mallesha me kryeqytetin shqiptar, që më kishte munguar aq shumë këto vite, për shkak se kam jetuar për një kohë të gjatë në Amerikë. Krahas punës, projekteve artistike, gjej momentin e duhur për të takuar miq të ndryshëm, të afërm, kolegë, etj.

Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Mendoj se vendimet më të mira në jetë, më kanë ardhur pa menduar fare…Besoj në shprehjen, “Ti bën plane, kurse Zoti qesh me ty”! Asnjëherë nuk i dihet çfarë na rezervon e nesërmja, fati, por jam e bindur për diçka: vendimet më të mira i kam marrë me zemrën plot dhe me shumë dashuri.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Kur e ndjeni veten më të lumtur?
Kur ndodhem pranë familjes sime, pranë vajzave, pranë njerëzve të mi të dashur. Tek ta kam gjithçka, sigurinë, dashurinë pa kushte, etj. Tanimë, kam një tjetër ndjenjë të bukur që nuk përshkruhet me fjalë, e që kalon çdo limit: kjo është mbesa ime Elektra, e cila është motivi i përditshmërisë dhe jetës sime.

Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Këtë ndjenjë e përjetoj vetëm kur humb njerëzit e dashur…Lutem që çdo ikje të jetë me moshë, edhe pse çdo humbje është e pazëvendësueshme dhe e trishtë. Me gjithë shpirt uroj që mos të shoh fatkeqësi tek njerëzit e mi më të afërt.

Çfarë nuk do kishit hedhur kurrë poshtë?
Punën dhe gjithë sakrificat që kam bërë ndër vite për të qenë në stadin aktual. Vlerat njerëzore, mirënjohjen, respektin reciprok, bashkëpunimin, besimin janë pikërisht këto baza të forta që qëndrojnë në themel të ndjenjave humane, e të cilat nuk do i hidhja kurrë poshtë.

Kë doni më shumë?
Fëmijët e mi, mbesën time(qesh).

Cila është ajo gjë për të cilën do të thoshit: nuk do ta bëj kurrë?
Gjërave që më mërzisin, apo një zhgënjim i vogël, i zeroj direkt. E dua shumë veten time, ndaj dhe kam aftësinë për të kontrolluar gjithçka rrotull ajrit tim. Gjërat pa rëndësi, i largoj nga vetja shumë shpejt.