Arti është mënyra më e mirë për ekspresionin e emocioneve, identitetit dhe kreativitetit. Është e mrekullueshme ideja që një telajo mund të përmbajë një botë të brendshme, koncepte njerëzore dhe shumë imagjinatë. Në rubrikën “Art” do t’ju prezantojmë tri motra unike dhe shumë eksperimentuese përsa i përket pikturës. Natasha, Elsa dhe Fatma janë tri vajza me imagjinatë shumë të pasur, fuqi shprehëse dhe talent të padiskutueshëm. Një familje e bukur që prodhon një art shumë të bukur.
Duket sikur arti kalon në genet tuaja dhe gjen shprehi ne telajo dhe penela, duke qënë se ju jeni tri motra dhe të trija pikturoni, por çfarë është “Art Paja” konkretisht?
Art Paja, është hapësira e përbashkët artistike ku ne, tri motrat Paja: Natasha, Elsa dhe Fatma, shprehim ndjesitë, teknikat e pikturës, komunikojmë me anë të artit dhe për më tepër ndërveprojmë me njëra-tjetrën.
Çfarë ju frymëzon dhe sfidon njëkohësisht në Shqipëri?
Të lindura në një nga vendet më frymëzues te Shqipëri, në Belsh, kishim fatin të ishim shumë pranë natyrës që në vegjëli. Belshi është një vend që vazhdojmë ta duam dhe rrjedhimisht na frymëzon ende shumë shpesh. Ndonëse aktualisht jetojmë në Tiranë, na paraqitet një hapësirë shumë sfiduse dhe dinamike që na ofron ky qytet. Duhet theksuar faktikisht që Tirana herë na frymëzon e herë na plogështon.
Profili juaj shkollor lidhet me artin? Si jeni prezantuar me pikturën?
Studimet tona janë të ndryshme nga profili i pikturës, por që gjithsesi e kanë një pikë ku takohen. Natasha ka studiuar për Inxhinieri e Proceseve Kimike; Elsa për Inxhinieri Matematike Informatike dhe Fatma vazhdon studimet për Arkitekturë. Edhe pse profilet e ndjekura janë më shumë shkencore dhe teknike, përsëri bashkohen me artin te pika ku nevojitet imagjinata, pasi pa të asnjë nga profilet nuk ecën dot lirshëm.
Me çfarë merreni përpos pikturës?
Aktualisht përvec pikturës merremi dhe me dy orientime të tjera të artit vizual: fotografi dhe dizajn. Që në vëgjëli jemi spikatur si shumë të zonja në artet vizuale, edhe pse paralelisht ishim të dashuruara edhe me shkencat ekzakte, kështu e provuam veten në të dyja. Sot duket se arti ka mbizotëruar ndjeshem në jetën tonë.
Çfarë e rrëmben vëmendjen tuaj dhe ku fokusohen më tepër pikturat tuaja?
Jemi shumë të dashuruara me natyrën dhe kjo na ka bërë që në tablotë tona ta sjellim natyrën si subjektin tonë kryesor. Për të vazhduar më pas me frymëzimin që marrim nga objektet dhe vendet historike te Shqipërisë. Ndërtesat e vjetra, ato që përtej murit të tyre të vjetër mbartin histori, mister, bukuri arkitekturore janë për ne një frymëzim shumë i madh.
Kryeqyteti ju frymëzon? Gjeni ndërtesa të tilla me përmbajtje historike në Tiranë?
Për fat të keq, shumë pak! Na vjen shumë keq që sidomos në Tiranë hapësira të tilla po gjenden gjithmonë e me pak. Është e trishtë se si ndërtesa të tilla me kaq shumë vlera e histori të zëvendësohen nga pallate e qiellgërvishtëse. A thua sikur kaq pak e rëndësishme është historia jonë!
Cilat janë synimet tuaja referuar shprehjes në art të këtyre ndërtesave arkaike dhe shumë të rëndësishme për historinë dhe arkitekturën tonë?
Me përpjektjet tona gjithmonë jemi munduar që edhe me anë të artit të tregojmë vlerat e këtyre objekteve, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë rëndësinë e tyre, t’i duan ato dhe të kujdesen për to. Edhe pse këtu është shumë e vështirë të ndikosh te tjetri, por me sa kemi mundësi zërin tonë e kemi ngritur dhe do të vazhdojmë ta bëjmë kundrejt çdo padrejtësie shoqërore, kulturore apo politike. Një pjesë e madhe e të rinjve janë dorëzuar, një pjesë tjetër e madhe po largohen nga ky vend, kjo na prek shume, por që na jep edhe forcë për të luftuar më shumë, për ta përmirësuar situatën dhe për ta bërë këtë vend më të mirë. Shqipëria është e bukur dhe ne e duam shumë atë, s’mund ta lejojmë në dorë të një pakice që punon për të, por duke kontribuar gjithsecili për përmirësimin e saj në çdo aspekt. Nëse të gjithë ne punojmë, qoftë me art, qoftë duke u fokusuar te shkencat ekzakte dhe duke ndikuar sado pak në përmirësim, Shqipëria jonë e dashur do të jetë ndryshe dhe pasardhësit tanë do të jetojnë në një vend që i bën krenar.
Cili ka qënë kontakti juaj me pikturën? Keni ndonjë artist të preferuar, ku fillimisht keni marrë bazat dhe e keni ndjekur si një shembull?
Pikturën e kemi mësuar në mënyrë autodidakte, duke parë pafund mbi artistë të ndryshëm dhe duke “vjedhur” te secili ndonjë element apo teknikë, të cilat normalisht i kemi sjellë në formën dhe konceptin tonë. Do të vecoja Van Gogh, Monet etj.
A ka ndonjë diferencë në pikturat e Natashës, Fatmës apo Elsës?
Mes nesh tanimë diferenca në pikturë ka fillluar të ndihet ndjeshëm, por që bazat i kemi shumë të ngjashme, aq sa nëse ndonjëra prej nesh vazhdon pikturën e tjetrës askush s’e kupton që aty është më shumë se një dorë.
Bëni shpesh eksperimente në pikturat tuaja?
Kemi eksperimentuar me teknika dhe forma te ndryshme pikturimi; nga pikturat në mure, në gjethe, gurë, pikturat me kafe etj. Por gjithsesi baza mbetet te përdorimi i letrës dhe telajos, duke përdorur penelat dhe spatulën me piktura vaji, akrilik apo dhe ëatercolor.
Studio jonë zhvendoset here në natyrë mes maleve e lëndinave, herë mes rrugicave dhe ndërtesave të qytetit, kudo që gjejmë frymëzim, ne pikturojmë.
Ndikimi i Monet
Nëse jeni nostalgjikë ose adhurues i Monet, motrat Paja risjellin pak nga piktori francez në veprat e tyre të artit. Monet me pikturat imperialiste dhe “teorinë lëvizëse”që paraqet në pikturat e tij më të famshme, duket se ka frymëzuar edhe tri artistet e së njëjtës familje. Monet gjente frymëzim në natyrën e qetë franceze, mes lumenjve dhe luleve të livandës, situatave të shoqërisë franceze dhe dëshirës për të paraqitur në art një lëvizje të lehtë të ujit, të mimikave njerëzore, duke krijuar në këtë mënyrë një koncept unik në imperializëm, i cili u përhap masivisht dhe inspiroi brezat pasardhës. Ngjyrat dhe teknikat e përdrorura në pikturat e vajzave super të talentuara vijnë gjithashtu si një përkundje në natyrën e mrekullueshme të viseve të Shqipërisë, vendlindjes së tyre, Tiranës kaotike, duke u bërë një subjekt themelor i shprehisë të artit.
Ndikimi nga Van Gogh
Kur kujtojmë pikturën, nuk mund të harrojmë Van Gogh! Një prej personaliteteve më të rëndësishëm në artin e pikturës, me ndikim të padiskutueshëm në të gjithë piktorët që e pasuan. Në këtë vorbull ndikimi dhe admirimi ndaj gjeniut fatkeq Van Gogh nuk mund të mos bënin pjesë edhe personazhet e rubrikës “Art”, Natasha, Elsa dhe Fatma. Edhe pse ndikimi i Monet është më i ndjeshëm, sërish edhe ngjyrat e Van Gogh janë shumë prezente. Bluja, e verdha dhe kombinimi i tyre dominojnë disa nga pikturat e vajzave dhe ky ndikim e bën shumë interesante punën e tyre.
Teknikat
Nëse mendoni se të pikturosh në telajo është e vështirë, imagjinoni të pikturoni në një gjethe apo në një trung të prerë. Është një teknikë shumë e vështirë, duke konsideruar fillimisht përthithjen e bojës e deri te përshtatja e penelit me gjethen apo trungun.
Imagjinoni edhe një pikturë me kafe! Shumë e ndërlikuar dhe kërkon fokusim dhe precizion. Pikërisht këto teknika eksperimentohen nga Natasha, Elsa dhe Fatma, duke superuar idenë standarde të pikturës. Vajzat nuk kufizohen vetëm në telajo, por përfshijnë edhe natyrën, jo vetëm si subjekt i artit të tyre, por edhe si hapësirë ku mund të shprehësh talentin.