ARTMAGNIFIER “Gallery 70” British Council in the Western Balkans
“Gallery 70”, është një ndër galeritë e pakta bashkëkohore në Tiranë që synon të ndërtojë marrëdhënie afatgjata me artistët vendas dhe ndërkombëtarë. Me një aktivitet multidisiplinar dhe edukativ, “Gallery 70” prej vitesh ofron një qasje inovative, dinamike dhe tërheqëse, ku të gjithë mund të zbulojnë, eksplorojnë dhe aksesojnë artin, duke i qëndruar edhe motos së galerisë: “Arti është unik, është dhurata perfekte, është për të gjithë, është magjik, pasionant dhe i vërtetë!”
Së fundimi, “Gallery 70”, në bashkëpunim me British Council, ka realizuar një format të ri prezantimi të artistëve dhe veprës së tyre. Si pjesë e “Creative Producers”, “Gallery 70” ka prezantuar nën emrin “ARTMAGNIFIER” një seri me filma të shkurtër mbi jetën dhe aktivitetin artistik të artistëve Jon Kraja, Ergys Zhabjaku, Martin Stommel dhe Morag Caister. Pikërisht për të zbuluar në shumë rreth kësaj iniciative dhe perspektivës së këtij formati, kemi intervistuar galeristen Lauresha Basha, e cila tregon më shumë rreth kësaj eksperience dhe perspektivave që ofron për artistët vendas.
“Gallery 70”, prej kohësh është shndërruar në një pikë reference për evente dhe ngjarje të jetës kulturore të kryeqytetit, mes shumë ekspozitave, promovimit të artistëve të rinj, investimit për të çuar jashtë kufijve punët e artistëve vendas dhe për të prezantuar artistë të huaj brenda vendit dhe tani vjen me një risi, në hap me galeritë ndërkombëtare. Po flasim për “ARTMAGNIFIER”, një seri me filma që dokumentojnë jetën dhe krijimtarinë e artistëve rezidentë dhe atyre që kanë ekspozuar në “Gallery 70”. Si lindi “ARTMAGNIFIER”?
L.B: “Artmagnifier” si ide ka nisur para gati dy vitesh. Është pjesë e strategjisë së “Gallery70”, për fuqizimin të artistit dhe kompletimin e profilit të tij me një film të shkurtër. “Artmagnifier”, konceptuar si një rrëfim në pesë-gjashtë minuta, shërben si një lupë zmadhuese për të depërtuar në botën e madhe të artistit e për të zbuluar detaje personale. Shumë muze e galeri ndërkombëtare e bëjnë një gjë të tillë. Filmat e shkurtër vendosin një dialog mes artistit dhe audiencës, shpesh shndërrohen në katalizatorë të karrierës së artistit dhe falë teknologjisë janë të aksesueshëm nga një audiencë globale. Fati e solli që në fund të vitit të kaluar British Council organizoi një thirrje të hapur për producentë krijues në Ballkanin Perëndimor, ku ne aplikuam dhe u përzgjodhëm. Mbështetja përmes grantit na dha mundësinë që të fillojmë projektin mbështetur nga një grant i akorduar prej British Council.
Deri më tani janë realizuar 4 filma, respektivisht për artistët Jon Kraja, Ergys Zhabjaku, Martin Stommel dhe Morag Caister, le të ndalemi pak te disa elemente që secili prej tyre ka prezantuar në këto filmat, çfarë e pret publikun?
L.B: Besoj se gjëja më e veçantë për secilin artist është komunikimi shumë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Ata e ftojnë publikun në bisedë dhe i rrëfejnë se ku e gjejnë frymëzimin, si e nisin një vepër, çfarë roli luan ngjyra, si kërkohet drita.
Kjo bisedë ndodh në studio, në kopshtin e shtëpisë, në galeri apo thjesht në shëtitjen e mëngjesit me qenin. Këto momente që publiku shpenzon në hapësirën intime dhe personale të artistit janë një eksperiencë unike. Ne shpresojmë që duke përjetuar eksperienca të tilla frymëzuese, njerëzit të kenë dëshirën për t’u rikthyer te vepra e artistit, për të shpenzuar më shumë kohë për ta kuptuar, njohur e pse jo, koleksionuar veprën e artistit.
Interesant dhe gjithmonë kontroversal Jon Kraja, ndryshe nga artistët e tjerë vjen me një film performativ, ishte zgjedhja e tij skenari “pa skenar”, si u zhvillua ky film?
L.B: Siç e përmenda, artistët vijnë me rrëfimin dhe përballjen e tyre personale me publikun në këta filma të shkurtër. Jon Kraja dhe kineasti britanik Richard Lipman propozuan këtë përqasje. Është një gjetje artistike që qëndron mirë me secilën nga gjetjet e artistëve të tjerë.
Këto filma vijnë siç ju e përmendët në kuadër të bashkëpunimit me British Council in the Western Balkans, si pjesë e programit “Creative Producers” në Ballkanin Perëndimor, mund të na tregoni pak më shumë rreth këtij projekti dhe qëllimeve të tij?
L.B: Thirrja e British Council kishte dy faza; faza e parë përzgjedhja dhe trajnimi i “Creative Producers” dhe faza e dytë, aplikimi për grant. Eksperienca e trajnimit ishte shumë e dobishme jo vetëm për të kuptuar më mirë si funksionon bota e produksionit, por dhe për të krijuar një network me kolegë nga Ballkani dhe Britania e Madhe. Ne fazën e dytë, ne përzgjodhëm të aplikojmë me “ARTMAGNIFIER” se besojmë që është një risi për tregun tonë. Kontribuon në njohjen dhe promovimin e artistëve, por mbi të gjitha ka shanse të rritet në mënyrë organike dhe multidimensionale, e të shndërrohet në një platformë dinamike që kontribuon në ndërveprimin e artistëve, brenda Ballkanit Perëndimor, brenda Europës dhe më gjerë. E rëndësishme për ne është se vendosëm një standard estetik dhe profesional dhe këtë standard ia komunikuam publikut. Besoj ishim me fat që u mbeshtetëm nga British Council, që falë eksperincës shumëvjeçare, na vuri në dispozicion mekanizma për të ndërtuar modele që shohin drejt së ardhmes.
Filmat për “ARTMAGNIFIER”, si rrjedhojë e programit “Creative Producers”, sollën një bashkëpunim me dokumentaristin dhe kineastin Richard Lipman, si ishte për të kërkimi dhe zbulimi i artistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë në kontekstin vendas?
L.B: Kërkimi i një bashkëpunëtori britanik për “ARTMAGNIFIER” ishte një sfidë e vertetë. E para, sepse kishim shumë pak kohë në dispozicion, dhe së dyti fondet ishin modeste për ambicien që i kishim vënë vetes. Shumë telefonata, shumë e-maile me të njohur dhe të panjohur, me artistë dhe jo artistë dhe më në fund ia dolëm dhe përzgjodhëm Richard Lipman.
Fillimisht organizuam disa takime në “Zoom”, për të përcaktuar detajet e planin e punës dhe në prill ai erdhi në Tiranë për xhirime për tre ditë. Përfshirja e një profesionisti britanik në ekip ishte e rëndësishme për të sjellë një këndvështrim ndryshe për projektin, por edhe për të hapur mundësi të reja prezantimi në tregun britanik.
Ju thoni se këto produksione sollën një ndërveprim multidisiplinar me përfshirjen në produksion të artistit Boiken Lako dhe bashkëpunimin më kamerën e Arnold Halilit, të dy artistë disadimensionalë, si ishte ky bashkëpunim?
L.B: Bashkëpunimi me Boiken Lakon dhe Arnold Halilin ka qenë nga eksperiencat më të bukura të projektit. Ata janë dy profesionistë të palodhur. Qëlloi një periudhë shumë e ngarkuar, por kjo nuk i pengoi të dedikonin dhe orët e vona të natës për të krijuar dhe prezantuar në kohë një produkt sa më cilësor, e mbi të gjitha profesionalisht perfekt. Ishte interesant të shikoje se përkujdesja për detajet e secilit film dhe për secilin nga artistët shkonte përtej përgjegjësisë thjesht profesionale. Këtë lloj përkushtimi nuk e blen dot me para dhe besoj se dhe publiku e ka perceptuar.
A do të sjellë “Gallery 70”, të tjerë filma për të tjerë artistë?
L.B: Po patjetër! Në “Gallery70” përpiqemi të mos angazhohemi në projekte rastësore por t’i qëndrojmë besnikë strategjisë. Duam që “ARTMAGNIFIER” të bëhet një platformë dinamike dhe po punojmë që të sigurojmë partnerët e duhur për vazhdimësinë e projektit.
Cili është fokusi në vijim të këtyre promovimeve, të cilat kësaj radhe, u shfaqën në sallën e kinema “Milenium”, do të kemi një festival me filma mbi artistët?
Hapi i parë ishte prezantimi në kinema “Milenium”. Transmetimi i filmave në ekranin magjik të kinemasë ishte nje çast i mrekullueshëm për publikun. Emocioni që përjetohet përmes një eksperience në sallë kinemaje, nuk harrohet lehtë dhe besojmë se kështu japim një kontribut të rëndësishëm në edukimin e audiencave. Krijimi i një seksioni filmi të shkurtër për artistë pamorë brenda një festivali filmi është një nga projektet për të ardhmen.
Le të ndalim pak te kalendari artistik i galerisë, çfarë na pret këtë sezon?
L.B: Gjate verës do të qëndrojmë në një ekspozim të formatit “Sallon Arti” ku risjellim për publikun vepra të koleksionit. Në vjeshtë do të ketë dy ekspozita, njëra nga të cilat është OAS2022 – edicioni i tretë për prezantimin e artistëve të rinj në “Gallery70”. Ata përzgjidhen përmes një jurie ndërkombëtare. Këtë vit jemi shumë të lumtur që profesionistëve të galerisë i janë bashkuar në juri me tre artistë të rinj ndërkombëtarë: dy holandezë dhe një austriak, Jan Dirk Adams, Constantijn Scholten dhe Alex Iwanov, i cili do të jetë edhe kurator i ekspozitës. Aplikimet janë në fazë vlerësimi dhe artistët e përzgjedhur do të njoftohen në fund të muajit.