Athina mes antikes dhe modernes

 Athina, një ndër qytetet më të lashtë të botës, që viteve të fundit është përballur me një ndër krizat më të mëdha ekonomike dhe kulturore, nuk është mposhtur asnjëherë nga historia e saj e vështirë dhe e bujshme. Së fundmi, Athina është listuar si një ndër 50 qytetet që duhet vizituar patjetër një herë në jetë. E themeluar rreth 3400 vite më parë, Athina mbetet një ndër qytetet emblematike të historisë së njerëzimit.
Për të gjithë ju që mendoni se Athina është thjesht një foto e bukur në Instagram nga Akropoli, apo një pjatë me ullinj apo xaxiq, gaboheni. Pas kërkimeve, kemi zbuluar disa vende shumë interesante që turoperatorët nuk jua thonë, por që nuk duhen humbur në këtë qytet, që duket si i ngecur mes antikitetit të tij të lavdishëm dhe bashkëkohësisë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Çfarë të vizitoni në Athinë?
Athina, si qyteti që dominon të gjithë gadishullin e Atikës, ofron një mori vendesh, duke filluar nga sitet arkeologjike e deri tek jeta e natës dhe kulinaria e pasur.
Sounio është një prej këtyre siteve që ju ofron një këndvështrim ndryshe për qytetin antik. Gjendet 45 minuta larg qendrës së Athinës dhe është pjesë e qyetit historik, në qendër të Sounio-s do të gjeni “Tempullin e Poseidonit” dhe një seri plazhesh dhe rezortesh që shtrihen në detin “Aegean”. Nëse jeni një turist që nuk i pëlqeni klishetë, ju sugjerojmë ta vizitoni qytetin herët në mëngjes. Ju sigurojmë që panorama është magjepsëse.

Akropoli Citadel
Nuk mund të vinim në Athinë dhe të mos vizitonim Akropolin! E për ta realizuar siç duhet këtë vizitë, mënyra më e mirë është ta bëni sipas stilit athinas. Për të përjetuar panoramikën e jashtëzakonshme, duhet të ngjisni kodrën e qytetit në këmbë në mënyrë që të akomodoheni në njërin prej hoteleve “boutique” në majën e kodrës krah Panteonit. Kjo zonë është e pasur jo vetëm me histori, por edhe me bare dhe lokale, si për të konsummuar një kafe gjatë ditës, po ashtu edhe një koktejl të këndshëm në mbrëmje.

GazArte
Largohemi pak nga historia dhe antikiteti për t’iu dedikuar periudhës moderne të Athinës. E vendosur në një ndër rrugët më interesante të saj, GazArte është pjesë e lagjes së famshme Gazi, një ish zonë industriale që merrej me përpunimin e gazit, e cila prej disa dekadash është kthyer në një zonë që i dedikohet artit dhe kulturës bashkëkohore. Në këtë zonë do të gjeni galeri arti, teatro, librari dhe shumë ambiente rekreative.

Teatri Technopolis
I vendosur fare pranë zonës së GazArte, Technopolis është një hapësirë shumë e pëlqyer nga vendasit dhe të huajt. Muzeu industrial, i vendosur në qendër, është i hapur për të gjithë publikun nga e marta deri të shtunën, një ambient paralel me “MoMA PS1” i New York-ut.
Kjo zonë është e tejmbushur me evente të panumërta dhe është gjithmonë një vend kurioz për të zbuluar të rejat më të fundit rreth koncerteve dhe festave me performuesit më të famshëm sot në botë.

Pireus, porti më i madh në botë
Nëse po kërkoni të vizitoni një zonë pranë detit dhe gjithashtu të keni mundësi të jeni edhe pranë qendrave historike, porti i vjetër i Athinës, Pireus, është një zgjedhje perfekte. Porti i Pireus, një ndër më të mëdhenjtë në botë, ofron një pamje shumë skenike me rrugët e gjata që shtrihen krah tij dhe një zonë të hapur të këndshme që mban emrin “Vaekeio Theater” (gjatë periudhës së verës, në këtë zonë organizohen koncerte me muzikë tradicionale), por mbi të gjitha pranë portit do të gjeni restorantet më të mira të peshkut të freskët dhe me çmime mëse të pranueshme.

Tradita e rum-it në “Baba Au Rum”
Tingëllon shumë e pazakontë, por ky bar i veçantë në zemër të kryeqytetit ka në fokusin e tij një traditë të vjetër të servirjes së rum-it që në mesin e shekullit të shkuar. Rreth viteve 50-të “Baba Au Rum” do të sillte një ndryshim shumë të madh për të gjithë adhuruesit e pijeve të forta. I pozicionuar në një zonë pedonale pranë sheshit “Syntagma”, ky bar shumë i këndshëm i fton vizitorët të bëhen pjesë e traditës. Në menu-në e tij do të gjeni një koleksion të larmishëm rum-i nga Cuba, Trinidad, Meksika, Puerto Rico, dhe lista vazhdon e zgjerohet. Ndaj, gjatë vizitës suaj të parë në Greqi, nuk duhet ta humbisni këtë vibrim amerikano-latin dhe njëkohësisht shumë mesdhetar.

Për një kafe në “Glykys”
Konsumimi i kafesë tradicionale greke mbase nuk është një trend mes të rinjve athinas, por ne mbetemi të mendimit se kjo është diçka që duhet provuar. Kjo kulturë e importuar nga periudha otomane mbetet një traditë që zbatohet vit pas viti. E vendosur në “Plaka”, “Glykys” është një lagje e vjetër e qytetit e mbushur plot me kafeteri të vogla që të japin mundësinë të shohësh një pamje mbresëlënëse të Akropolit. E veçanta e kësaj lagjeje qëndron tek servirja e kafeve dhe kapuçinove më të mira në qytet, dhe sigurisht shumë uzo.

Sheshi Syntagma
Rikthehemi tek tradita dhe tek një prej atraksioneve më të mëdha të kryeqytetit helen, sheshi “Syntagma”, ose i njohur gjerësisht si sheshi i parlamentit. Sigurisht, ajo që e bën këtë shesh shumë tërheqës, është rituali shumë interesant i ndërrimit ceremonial të gardës kombëtare greke. Ushtarët me veshje tradicionale, çdo ditë në oraret e ndërrimit të turneve, realizojnë një paradë mbresëlënëse duke ekzekutuar lëvizje të sakta dhe ritmike. Figuracioni bëhet edhe më i plotë për shkak të veshjeve tradicionale që ata përdorin. Ky shesh njeh shumë ngjarje historike të Greqisë moderne, si marrja e pushtetit nga Junta Ushtarake në vitin 1974.

Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Greqisë
Për turistët që adhurojnë ekspozitat e artit, Athina, mbi të gjitha dhe “Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Greqisë” është vendi i duhur për ju. Një koleksion i pasur që nga artistët bashkëkohorë deri tek Antikiteti. Muzeu disponon gjithashtu fondin më të madh të koleksionit të periudhës Neolitike që datojnë në mileniumin e 7 para erës sonë.

Moussaka

Kulinaria e pasur
Athina është një vend që veç historisë së pasur, të jep mundësinë të ushqehesh shumë mirë dhe mbi të gjitha të shijosh Mesdheun në të gjitha trajtat e tij. Recetat tradicionale, ku dominon peshku dhe produktet e freskëta të kuzhinës mesdhetare, vijnë në qindra kombinime. Ndër më të famshmet është musakaja, një pjatë që në përbërjen e saj ka patëllxhanin, mishin e viçit të grirë dhe beshamelen e bërë nga duart e zonjave greke.

Një tjetër pjatë tipike greke janë edhe dollmatë me gjethe rrushi dhe oriz, të cilat shoqërohen në mënyrë perfekte me një gotë uzo të ftohtë dhe limon nga ai i kopshteve të shtëpive tradicionale.

Ku të qëndroni në Athinë
Palladian Home
The Athens Gate Hotel
Royal Olympic Hotel
Coco-Mat Hotel Athens
Electra Palace
Wyndham Grand