Bonum Experience, një oaz jo shumë i fshehtë, 10 minuta larg Tiranës

Pranë kryeqytetit, larg smogut
Tirana jonë kaotike, pa dyshim nuk ofron shumë gjelbërim e natyrë, por nuk ndodh aspak i njëjti fenomen me periferinë e saj. Shumë afër kryeqytetit, saktësisht 5 km larg tij, ndodhet një oaz shumë i këndshëm, i pagëzuar me emrin “Bonum Experience”.
Në këtë parajsëz tokësore, gjen vend natyra, egërsia e saj, “kokëfortësia” e këndshme e kafshëve dhe ndjesia e lirisë absolute – e llojit të lirisë ku shpirti bie në paqe, ku thjesht zeron çdo zhurmë përreth dhe mendja prodhon vetëm lumturi, e cila më pas, shpërndahet në çdo qelizë. Pikërisht këtë ndjesi na dha “Bonum Experience”, një fermë shumë e veçantë pranë Kasharit, e cila ngrihet krenare mbi kodrat e Tiranës dhe gjendet vetëm 10 minuta larg përditshmërisë.


Bonum Experience, krijimi më i bukur i Natyrës
Që në momentin e parë, kur nisesh, e di se do të përballesh me një përvojë shumë të veçantë dhe çlodhëse. Por pritshmëritë tona u rritën edhe më shumë, kur ndërsa përshkonim rrugën për në fermën “Bonum Experience”, dëgjonim blegërimat e bagëtive, të cilat duke komunikuar me gjuhën e tyre natyrore, na ngjallën nostalgjinë e fëmijërisë, ndjesinë e harruar të fshatit dhe na lidhën sërish me natyrën dhe me bukuritë e saj të paharrueshme. Blegërimat ishin ftesa më e bukur për në fermën pranë kryeqytetit.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

E më pas, u përballëm me fushat e mbjella me prodhime bio, ku gjithçka që del nga zemra e tokës, prodhon fryte të shëndetshme dhe plot shije. “Bonum Experience” e çmon shumë tokën, andaj në fermën e tyre do të gjeni vetëm prodhime bio, nga fushat që me shumë dashuri dhe bujari, na dhurojnë më të mirën e amës Natyrë.

Në fakt, ajo që na impresionoi dhe na la një shije shumë të mirë, ishte pikërisht rrugëtimi i këtyre prodhimeve, veçanërisht i bulmetit. Ferma e dashur shërben edhe si një strehëz shumë e këndshme e kafshëve të ndryshme, të cilat me përkujdesin e vazhdueshëm, servirin prodhime shumë të shëndetshme. Djathi, një prej përbërësve më të rëndësishëm të kulinarisë së popullit tonë, merrej nga dhitë, përpunohej me shumë mjeshtëri në disa varietete dhe servirej për klientët.

“Bonum Experience” ofron disa lloje të djathërave francezë dhe sigurisht, shijen fantastike të djathit të bardhë. Nuk mund të mungonin edhe prodhime të tjera të bulmetit, si: kosi, gjalpi, qumështi, etj; të cilat kanë të përbashkët vlerat ushqimore dhe ndijimin e paharrueshëm të produkteve bio.

Menuja e “Bonum Experience” është e pasur dhe shumë gjithëpërfshirëse dhe të lejon të provosh të gjitha specialitetet e stinës dhe të mjeshtërisë së Eri Kllogjeri, shefit të kuzhinës, i cili me buzëqeshje dhe shumë mikpritje, na rrëfen të gjithë procesin e përgatitjes së pjatave super të shijshme. Menuja e “Bonum” është tërësisht bio, duke nisur që nga larmia e djathërave, antipastave tradicionale, produkteve të mishit dhe ëmbëlsirave mahnitëse.


Arkitektura dhe interiori
Pjesë e rrugëtimit tonë u bë edhe “Integris”, studio e arkitekturës e cili ideoi “Bonum Experience”. E frymëzuar prej bazilikave, lidhjes së tyre të ngushtë me natyrën përreth dhe trajtës së tyre të veçantë, “Integris” mendoi që të risillte një pamje të ngjashme edhe pranë Tiranës.

E pozicionuar në mes të gjelbërimit, në një formë rrethore dhe shumë të këndshme, ferma “Bonum Experience” është ndërtuar me një filozofi shumë të qartë: të respektojë natyrën! Edhe gurët, tjegullat, pemët dhe gjithçka që e përbën dhe e rrethon, është produkt i natyrës.


Si një shtëpi shumë e ngrohtë dhe familjare, ferma i fton të gjithë të vizitojnë vendbanimet e dhive, kecave të vegjël, si dhe të prekin nga afër bukurinë e tyre, duke u lejuar të njihjen me punët e fermës dhe me mënyrën e jetesës së kafshëve.

Duke qëndruar besnikë të traditës sonë, “Bonum” çel dyert për të na prezantuar me një interior shumë të këndshëm, në harmoni të plotë mes harqesh madhështorë, dritareve të harkuara, dritës natyrale, tryezave dhe karrigeve prej druri, oxhakut me zjarr bubulak, si dhe morisë së pjatave tradicionale, të cilat dalin plot shije nga duart e arta të skuadrës së kuzhinës.

Ngjyrat e këndshme, ku dominojnë nuancat e tokës dhe materiali i drurit, kombinohen në mënyrë shumë tërheqëse me të kuqen e zjarrtë në pjesën e oxhakut, i cili mbledh rreth tij tryezat e miqve, të cilët mbushin ambientin me historitë e tyre, të rrëfyera plot humor, të shoqëruar me një gotë verë.


“Bonum Experience” ofron një menu fantastike verërash, të cilat shkojnë më së miri me antipastat dhe pjatat e servirura. Verërat franceze dhe italiane i shtojnë më shumë shije tryezës dhe produkteve tërësisht bio, duke ju dhuruar një përvojë që do ta mbani mend gjatë.

Ferma “Bonum Experience” na dëshmon edhe njëherë se jo shumë larg monotonisë, madje, vetëm 10 minuta larg kryeqytetit, fshihen vende mahnitëse, të cilat duket se të shkëpusin nga realiteti, për të të lidhur ngushtë me natyrën, relaksin dhe qetësinë e ajrit të pastër, si dhe për të ofruar një shije që nuk e gjen rëndom nëpër hapësirat që Tirana mbart.

Nëse doni të përjetoni ndjesinë e lirisë dhe të rivendosni raportin më të bukur me natyrën, sugjerimi ynë është “Bonum Experience”.