Çfarë të vizitoni: Në mbarë botën, ky qytet është i njohur për vreshtat e famshme! Kryeqyteti i rajonit Nouvelle-Aquitaine, me një trashëgimi prestigjioze arkitektonike, i quajtur ndryshe si perla e shek. të 18-të, qyteti i Artit dhe Historisë, në listën e Trashëgimive Botërore që prej vitit 2007, duket se i tërheq turistët si magnet. Dhe ka gjithçka për t’u ofruar atyre pa kursim! Nga soditjet përgjatë kalatës Garonne, rrugët elegante dhe sheshet me gurë dekorativ, mund t’i gëzoheni edhe një shëtitje në qendër të qytetit ku janë pozicionuar godinat më strategjike të Bordo-së. Do të shijoni sakaq pamjen e bukur të lumit, dhe një hapësirë të madhe të shëtitores së mbuluar me lule në të dyja anët, dhe dritat e rrugës që e ndriçojnë atë, sidomos gjatë muzgut, duke krijuar një pamje magjike. Teatri Kombëtar i Operës së këtij qyteti, me një kalendar të pasur ngjarjesh artistike, ofron gjithçka për të argëtuar artdashësit, por jo vetëm. Për ata që duan të njihen nga afër me fakte të rralla historike, një mënyrë e mirë për t’i zbuluar ato është edhe periudha mesjetare, me një prej objekte ikonë të këtij qyteti, siç është edhe katedralja Saint Andre. Në majë të kambanores së kësaj katedraleje mund të shijoni pamje që ju lënë pa frymë, duke nisur me pikat më kulmore të këtij qyteti, zona strategjike, etj. Por, duhet të bëni një sakrificë për të përmbushur këtë dëshirë…Duhet të ngjisni plot 231 shkallë të ngushta spirale! Ky qytet është ndër më grishësit e Francës, për faktin se i ka takuar të jetë në ristrukturime të vazhdueshme nga dora e njeriut, standarde këto që dukshëm i ka vendosur edhe vet koha. Fasadat fisnike janë gjurmë të historisë, ndërsa instalimi i tramvajeve i kanë kthyer qytetin rendin e tij urban dhe gjallërinë e pa munguar, që gëlon thuajse në çdo orë të ditës. Nuk ka kurrë moment të keq për të vizituar këtë qytet, pasi ndarjet sezonale nuk janë tërheqje parësore për turistët. Jua sugjerojmë të shkoni sa herë që keni kohë të mjaftueshme në dispozicion. Vjeshta dhe dimri janë në përgjithësi të butë, madje ka dhe ditë me diell. E imagjinoni, të hani një drekë jashtë në restorant në mes të janarit apo shkurtit. Ndërsa, Pranvera, është e bukur, sepse ndihet kudo…ndryshe nga stina e verës, kur të gjithë duan pushime në det, duke ju arratisur qytetit. Nuk është rastësi, që në këtë periudhë të vitit të gjeni restorante të mbyllura në Bordo. Mos e mendoni dy herë idenë e një udhëtimi të këtillë, ku veçmas kujtimeve të bukura, ju do të keni shumëçka për të diskutuar me miqtë tuaj rreth mbresave dhe emocioneve që vetëm një destinacion si ky mund t’jua ofrojë. Ne jua bëjmë më të thjeshtë udhëtimin, duke iu ofruar një guidë të plotë me vendet e duhura për t’u vizituar, ushqimet e shijshme për t’u provuar dhe një akomodim perfekt varësisht buxhetit që keni në dispozicion.