Bota fantastike e Hana Noka

Hana Noka është një vajzë tejet e talentuar, e cila gjithmonë ka në mendje një projekt të ri, në të cilin fokusohet me mish e me shpirt dhe sigurisht, falë përkushtimit dhe dashurisë që tregon, angazhimet e saj janë jashtëzakonisht të suksesshme.
E rritur me shumë dashuri dhe përkujdesje; e mbështetur nga të shtrenjtët e saj; e frymëzuar nga mbretëresha Teutë dhe gratë e fuqishme të historisë sonë; me dëshirën e madh për të lënë gjurmë e impakt në jetën e vajzave dhe grave në mbarë botën, Hana me krenarinë tipike shqiptare, na krenon për çdo arritje dhe ngjitje në karrierën e saj.
Duke gjetur kudo të bukurën, në çdo sferë, artistja kosovare na tregon prapaskenat si aktore, regjisore, shkrimtare dhe sipërmarrëse.

Të njohim si modele, shkrimtare, aktore dhe regjisore të talentuar, si dhe si sipërmarrëse të suksesshme, por nuk dimë si ka nisur rrugëtimi yt në secilën fushë ku ke shkëlqyer. Sigurisht, duam të dimë çfarë fshihet në “prapaskenat” e jetës tënde dhe si ke mbërritur deri këtu?
Fillimisht duhet ta ndiej projektin thellë në shpirt dhe më pas, i përkushtohem tërësisht.
“Prapaskenat” e çdo angazhimi dhe projekti është fokusimi me gjithë qenien time.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Ke nisur modelimin që në moshën 7-vjeçare, duke marrë pjesë fillimisht në reklama, për të mbërritur në sfilata prestigjoze si ajo e LA Fashion Week. Si ka qenë fëmijëria jote mes kamerave dhe hapave të parë të karrierës? 
Po, pasioni dhe lidhja shpirtërore me kamerën më kanë shoqëruar që nga mosha e hershme. Fëmijërinë e kam pasur shumë të bukur. Në moshën 4-vjeçare kam nisur të luaj tenis profesional.
I ndjeri babi im, më shoqëronte te trajnerët më të mirë të mundshëm nga mbarë bota.
Më pas, agjentët e kompanisë “Pars McCann Erickson” në Stamboll më përzgjodhën në shkollë dhe kështu nisa aktrimin nëpër reklama, teatro të shkollës, etj. Angazhimet e prindërve të mi, në lidhje me mua, kanë qenë të ndara. Me babin në tenis, me mamin në sferën e aktrimit.
Fatkeqësisht, në moshën 15-vjeçare, humba babain nga sëmundja e kancerit dhe që atëherë, tenisi mbeti vetëm një hobi. Angazhimet e mia vijuan në televizionin “RTK”, duke udhëhequr emisionin “TEEN”, si dhe angazhime të tjera si modele për brand-e të ndryshme, nëpër qendra të ndryshme europiane, për të mbërritur në SHBA.

Foto nga Fadil Berisha

 


Prej kohësh karriera jote është vendosur në Los Angeles. Pse ky vendim?

Kam lindur në Stamboll, qytet shumë i madh. Kam kryer studimet në Dublin, Irlandë, në “Griffith College Dublin” për degën e gazetarisë dhe media vizuale.
Pas diplomimit, praktikën e kam kryer në Londër, në një produksion të madh. Duke jetuar në qytete të mëdha, e kam ndjerë se vendet e vogla disi më ngulfatin. Në kokë, kisha përherë projekte gjigante dhe ndieja se në vendet e vogla, zëri im do të mbetej përherë lokal.
Hollywood-i është epiqendra botërore e industrisë filmike, ndaj erdha këtu me shpresën se zëri im do të jehojë ndërkombëtarisht.

Çfarë të mungon më së shumti nga Kosova?
Në Kosovë kam gjyshin tim 90-vjeçar, Prof. Dr. Skënder Rizaj, i cili më ka dhuruar shumë dashuri, përkushtim dhe orë edukimi nga historia shqiptare. Nga Kosova, ai më mungon më së shumti. E telefonoj çdo ditë, e kam pjesë të rutinës. Gjithashtu, më merr malli për shoqërinë dhe të afërm të tjerë.

Nga modelimi, kalojmë në një sferë tjetër ku ti ke treguar se ke një talent të jashtëzakonshëm: kinemaja. Si lindi dashuria për ekranin e kinemasë dhe për regjinë?
Gjatë studimeve, kam zbuluar fuqinë e prapaskenës dhe e pashë sa shumë më intrigonte i gjithë procesi i krijimit të një vepre artistike, të quajtur film.
Fakti që bota e filmit të jep liri dhe në asnjë rast nuk të kufizon në shprehjen e kreativitetit, më ka shtyrë që të dy dashuritë: para dhe prapa skenës, të jenë pjesë e pandashme e personalitetit tim.

“Hana” është një film i mrekullueshëm, i cili të sjell në rolin e regjisores dhe vjen si një letër dashurie drejtuar industrisë së modës. Ku je frymëzuar për të realizuar një film të tillë, i cili ka për subjekt stilin dhe ndjesitë që të dhuron moda?
Me filmin “Hana” dëshiroja që audienca të kuptojë ndikimin e modës nga këndvështrimi im. Moda është më shumë se një etiketë në brendësinë e një veshjeje.
E veshur në të kuqe, ngjyrë që paraqet forcën, lirinë dhe fuqizimin e gruas, kam dashur të tregoj se secila vajzë, apo grua mund të bëhet superheroina e vetes. Kjo është “porosia” dhe mesazhi kryesor.

Foto nga Morgan Demeter

Je vlerësuar me një sërë çmimesh duke prekur kategori si: Best Cinematography, Best Editing and Best Music. Cilat janë emocionet që përjeton një regjisore kur sheh se i vlerësohet maksimalisht puna e saj?
Kur e kam marrë lajmërimin zyrtar për nominimet, emocionet ishin në kulm. Në ditën kur kam prezantuar filmin para audiencës, në festivalin “La Jolla”, ndjenja më e mirë për mua ka qenë shpalosja e shqiponjës shqiptare, e cila ka qenë në brendi të veshjes së kuqe nga filmi.

Pandemia e COVID-19 ka prekur të gjithë globin, duke mos kursyer as publikimin e “I, woman”. Si ka ndikuar kjo periudhë te ti, duke pasur parasysh reflektimet personale dhe marrëdhëniet me të tjerët? Kur do të mund ta shohim “I, woman”, filmin tënd të ri, për të cilin nuk kemi dyshim se do të jetë një kryevepër?
Akoma nuk e besoj sa i papërgatitur ishte i gjithë globi për pandeminë që kaploi botën. Më shumë se tre muaj vetëizolim është një periudhë kohore tejet e gjatë. Në fillim, e morëm me sportivitet, duke shpërndarë video, foto e meme, e më pas i thashë vetes se dua ta kthej situatën në pozitivitet.
Me ditë të tëra, nga makina, i kam xhiruar rrugët e zbrazëta të Los Angeles-it dhe pastaj i editova pamjet dhe prodhova filmin dokumentar “Ode to the City of Angels”. Në të njëjtën kohë, kam punuar online me ekipin e produksionit, në editimin e filmit “I, woman”, xhirimet e të cilit i kemi përfunduar vetëm disa ditë përpara fillimit të vetë-izolimit.
Premiera e filmit ka qenë e planifikuar me tapet të kuq, në një mbrëmje luksoze, por për shkak të pandemisë, të gjitha planet e industrisë së filmit në Hollywood dhe nëpër botë, janë anuluar për një afat të pacaktuar. Si pasojë, premiera e filmit “I, woman” do të jetë shumë shpejt në platformën Amazone Prime Video.
Plani i PR është në përfundim e sipër dhe do të lajmërojmë premierën nëpër media sociale, si dhe do të konkurrojmë në shumë festivale të filmit nëpër botë për vitin 2021.

Kemi kaq shumë për të folur rreth teje, pasi je vërtet një vajzë mega e talentuar. Letërsia është një tjetër fushë ku ke korrur sukses dhe je vlerësuar me çmimin “Beverly Hills Book Awards ‘20”. Libri yt, “Besa Po” sjell në vëmendje mbretëreshën Teutë, një grua të pathyeshme për historinë tonë. Pse kjo zgjedhje? A e gjen veten në karakterin e papërkulshëm të strateges Teutë?
Pas vdekjes së babait, gjyshi im përpiqej të më jepte kurajo nëpërmjet tregimeve të femrave të fuqishme të historisë shqiptare. Tregimi i mbretëreshës Teutë, më ka kapluar vëmendjen dhe para tre viteve e ndjeva fuqishëm nevojën të ulem e ta shkruaj librin. Jam tejet e lumtur që e përçova tregimin e saj nëpër botë, e gjithashtu lexuesit më dërgojnë mijëra mesazhe e falenderime.
Gjatë ditëve të para të pandemisë, mora lajmin zyrtar për vlerësimin me çmimin prestigjoz “Beverly Hills Book Awards 2020”, të cilin vendosa t’ia dhuroj Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, si mesazh për vajzat e reja, për t’u treguar se çdo gjë është e mundur. Tashmë, është punuar edhe skenari për filmin që bazohet në libër, por për shkak të pandemisë, xhirimet do të nisin gjatë vitit 2021.
Në karakterin e mbretëreshës Teutë e kam gjetur veten që në momentin kur kam dëgjuar tregimin e parë nga gjyshi im. Në fakt, deri tani, të gjitha projektet e mia mbajnë paralelen e gruas së fuqishme shqiptare.

Si je ndjerë për vlerësimin e “Besa Po”? A do të lexojmë një libër të ri nga ti?
Të fitosh vlerësime prestigjoze në fillim të karrierës profesionale në SHBA, paraqet një motivim dhe frymëzim të pandalshëm. Për momentin, do të fukusohem në xhirimin e filmit “Besa Po”. Një projekt serioz, kërkon përgatitje serioze. Më pas, do të shoh në cilat projekte do të më dërgojë kreativiteti dhe frymëzimi, pse jo edhe të shkruaj një libër të dytë.

Karriera jote është e gjatë dhe tejet e suksesshme, por nuk je ndalur me kaq. Je gjithashtu CEO në “PinkMoon Global”, agjencia e cila realizon video kreative për produksione të ndryshme, përfshirë edhe filmin tënd “I, woman”. Sa e vështirë është të jesh aktore, modele, regjisore, shkrimtare, por edhe një sipërmarrëse?
Nuk është e lehtë t’i kryesh të gjitha këto funksione, por dashuria për gjithë procesin e filmbërjes në tërësi, më bëjnë që t’i gëzohem çdo ditë të re dhe të vazhdoj të përmbyll projekte të reja. Në fakt, të gjitha janë fryt i dashurisë.

Përsa i përket familjes, si mund ta përshkruash raportin tënd me të afërmit, por edhe me bashkëshortin? Si ka ndikuar mbështetja e të shtrenjtëve të tu në çdo hap që ke ndërmarrë?
Kam pasur fatin që jam rritur nga dy femra të forta: gjyshja dhe nëna ime. Përkrahja dhe mirëkuptimi i tyre në të gjitha fazat e jetës, më bëjnë të hedh hapa të sigurt, të eci pa frikë, t’i besoj zërit të intuitës dhe të luftoj për veten.
Më pas, në jetën time hyri Bini, bashkëshorti im, me të cilin gjetëm sinergjinë dhe e përkrahim maksimalisht njëri-tjetrin. Dashuria, mirëkuptimi dhe përkrahja, shkojnë bashkë dhe pikërisht këto elemente qëndrore përbëjnë bazamentin e lidhjes sonë.

Foto nga Justin J

Je një vajzë që frymëzon dhe një model që duhet ta ndjekim të gjithë. E konsideron veten feministe dhe cili është mesazhi që mund të përcjellësh për gratë shqiptare dhe më gjerë?
Po, jam feministe! Mendoj se fuqia e femrës është e nënvlerësuar gjatë shekujve. Steriotipet e plasuara nga meshkujt kanë bërë që femrat të prezantohen si objekte dhe jo si subjekte. Historia ka vërtetuar se gratë janë udhëheqëse të shkëlqyera në të gjitha sferat, që nga mbretëresha Teutë e deri në ditët e sotme.
Madje, edhe pandemia e tregoi aftësinë menaxhuese, zotësinë dhe lidershipin e grave, duke marrë shembull ilustrues: Zelandën e Re, Gjermaninë dhe Islandën.

Intervista mbërriti në fund, por jo dëshira që të të pyesim gjatë për gjithçka! Cilat janë planet e tua? Do të vijosh të japësh më të mirën në fushat e artit, të biznesit, apo do provosh diçka të re?
Kudo që të ndodhem, në asnjë çast nuk e harroj se në venat e mia rrjedh gjak shqiptar. Jam patriote e mirëfilltë në shpirt. Edhe për këto pak vite në Los Angeles, në çdo rast e kam përmendur me shumë krenari se jam shqiptare, kudo: në emisione televizive, radio, intervista të shumta.
Cilido projekt filmik, apo më gjerë që do ta punoj në të ardhmen, përherë do t’i mbajë dy paralele qëndrore – fuqizimin e gruas dhe krenarinë për gjakun tim shqiptar.

Foto nga Fadil Berisha

___________________________________________________________________________

Cili është qëllimi i jetës tënde?
T’i inspiroj dhe influencoj vajzat e reja shqiptare dhe më gjerë.

Kur ndihesh shumë e lumtur?
Lumturinë e kuptoj si një grumbull çastesh të bukura, që pëbëjnë një tërësi. Mund të jetë një perëndim dielli, një buzëqeshje, apo një fjalë e bukur. Një lule, një këngë, një varg.

Cila është arritja jote më e madhe?
Për këtë pyetje më mirë do t’ju përgjigjem pas nja 50-60 viteve.

Cila është ideja jote mbi perfeksionin?
Nuk mendoj se ka perfeksion, por ka vetëm tentativa të përhershme për ta arritur atë.

Cili është personi që admiron më shumë?
Janë Fonda, Audrey Hepburn dhe Oprah Winfrey.

Si mund ta përshkruash veten me 3 fjalë?
Këmbëngulëse, optimiste dhe mendjehapur.

Çfarë të pëlqen më shumë te vetja?
Jam shumë mendjehapur. Gjithmonë tentoj ta kuptoj edhe anën tjetër. Kam mësuar dhe vijoj të mësoj shumë nga kjo.

Cila është motoja jote?
Edhe një person i vetëm mund të bëjë ndryshimin.