“Dashuri në kohë Koronavirusi”, një libër që rizgjon shpresën në periudhën më të vështirë.

Sfidat e njerëzimit janë gjithmonë të vështira, por me dashurinë dhe pozitivitetin e të gjithëve, i kalojmë dhe mësojmë prej tyre. Ky vit, na solli një periudhë të gjatë reflektimi dhe shumë prej nesh gjetëm momentin e duhur për të realizuar ëndrrat tona. Një shembull frymëzimi është edhe Ambra, një shkrimtare e re dhe e talentuar. Ajo na sjell “Dashuri në kohë Koronavirusi”, një dëshmi që sjell histori njerëzore, drama dhe shpresë.
Elegance ka shkëputur një intervistë me Ambrën, e cila na rrëfen inspirimin e saj dhe na tregon më shumë rreth “Dashuri në kohë Koronavirusi”.

Si lindi ideja për të krijuar “Dashuri në kohë Koronavirusi”?
“Dashuri në kohë Koronavirusi” erdhi natyrshëm, u frymëzua dhe u bazua në rrethana të pazakonta të cilat, i përjetuam së bashku, ndonëse i jetuam “të ndarë” nga njëri-tjetri.
Është një rrëfim i dhimbshëm, një dëshmi e mirëfilltë e asaj periudhe, e cila lindi nga nevoja për t’u shprehur, për t’i dhënë trajtë dhe formë në letër ndjesive dhe ngjarjeve të cilat në asnjë mënyrë nuk duheshin lënë në harresë.
Përpara pandemisë po projektoja të shkruaja librin tim të dytë, i cili do të përmbante refleksione në fushën e psikologjisë, isha ulur ndërkohë në tryezën e shkrimit dhe kisha shkruar pjesën më kryesore të materialit, por situata devijoi, duke zgjuar një thirrje të brendshme shumë të fortë, që më shtyu ta shkruaja librin dedikuar pandemisë.
Shtysa u bë edhe më e fortë kur dorëshkrimit iu bashkangjitën rrëfimet e pacientëvë. Aty mendova që duhet ta ndaja me lexuesit këtë histori dhe nuk mund ta mbaja më vetëm për vete.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Libri është bazuar në histori të vërteta. Pse ke zgjedhur “të dokumentosh” një copëz të historisë që jetuam të gjithë bashkë?
Libri është projektuar për të dhënë mesazhe mbi vlerën e jetës dhe dashurisë, në kohët më të vështira, si një melhelm për të gjitha kohërat. Jo vetëm ngjarja dhe dëshmia, por edhe vlera dhe mesazhi që libri fsheh ne vetvete është shkruar për t’u shtrirë në kohë me jetëgjatesi, dhe për ta sfiduar këtë të fundit, me të gjjthë elementët që e karakterizojnë.

Si ka qenë periudha e COVID-19 për ty? Për çfarë ke reflektuar më së shumti?
Periudha e Covid-19 ka qenë një periudhë e vështirë edhe për mua, ashtu si për të gjithë ne, por jam munduar ta shfrytëzoj në përmirësim të vetvetes, duke pasur si avantazh më të çmuarën, kohën. Një periudhë pa përqafime, por me shumë dashuri, frymëzime dhe reflektime.
Unë vetë jam një lexuese e librit tim, kam qarë së bashku me personazhet, duke lexuar historitë e tyre, kam reflektuar dhe kam mësuar së bashku me ta, mbi vlerën e përditshmërisë sonë, të cilën e marrim si të garantuar por që ka një peshë dhe emocion tjetër, atje në shtratin e sëmundjes, në kufirin e hollë qe ndan jetën me vdekjen.

Në vepër shfaqesh si një dëshmitare që bashkëjeton me dramën globale. A është kjo një zgjedhje e jotja për ta përcjellë tragjizmin me nota më reale te lexuesi?
Rrëfimi është shkruar në pikën më kulmore të jetës në karantinë dhe më shumë sesa zgjedhje, ishte pjesë e vërtetësisë që unë ndaja me lexuesin. Unë shkruaja ndërkohë që po shkruhej historia, në të gjithë globin. Të qenit dëshmitare okulare në këtë rast nuk ishte zgjedhje, ishte e pashmangshme.

Rrëfimi yt vjen si një mozaik i cili prek jetën, viktimat, por edhe përvojën e vështirë të luftëtarëve në frontin e parë. Si është të shkruash për disa jetë në të njëjtën kohë? Çfarë ke përjetuar për secilën prej tyre?
Të prekësh nga afër dhe të udhëtosh me sytë e mendjes për të takuar jetë njerëzore që dëshirojnë të lidhen me njëra-tjetrën për të ndarë bashkë fjalët e fundit, ca thërrime dashurie si dozë medicinale, për të shëruar shpirtin. Kjo është e dhimbshme.
Lotët më mbulonin sytë shumë shpesh, kur lexoja dhe shkruaja, kur përpiqesha të jetoja nën lëkurën e tyre, për të përcjellë te lexuesi emocionin e një jetë të tërë, brenda një letre me disa faqe. Nga ana tjetër, e kam çmuar dhe konsideruar privilegj, mundësinë për të përçuar zërin e tyre, për t’i dhënë dritë mesazhit për vlerën e jetës dhe pendesës; zë që kumbonte brenda katër mureve të spitalit.

Mesazhet e tua pozitive dhe thirrja “Do t’ia dalim!” i ka mbushur me pozitivitet dhe shpresë lexuesit. Si të bën të ndihesh fakti që ke shërbyer si një dritë në një epokë të errët?
Të falenderoj shumë, uroj të jetë me të vërtetë, ashtu dhe mesazhi i librit të ketë shërbyer sadopak, për të ndriçuar dhe zbutur zemrat. Në boshtin ku mbështetet “Dashuria në kohën e Koronavirusit” gjenden fara shprese, mirësie dhe pozitiviteti, në shenjë të vazhdimësisë të jetës, e cila nuk ndalet asnjëherë, pavarësisht çdo gjëje. Ajo ka vetëm një mision, të vazhdojë. Ritmi i saj është i pandalshëm, ashtu si rrahjet e zemrave tona. Unë besoj me shpirt që ka një dritë të bardhë në fund të çdo tuneli, gjithmonë, por ne duhet ta krijojmë vetë rrugën për të mbërritur atje.

Cilat janë planet e tua për të ardhmen? Ku do ta shohim Ambrën?
Shkrimi nuk është vetëm një punë e imja, por pasioni im që në fëmijëri të hershme, që atëherë kur mund të kuptoja se të shkruarit përmbushte shpirtin tim. E ardhmja, shkruhet çdo ditë dhe motoja që unë njoh, është të punuarit fort me veten. Besoj dhe shpresoj që “Dashuri në kohë Koronavirusi” do ta pasojnë shpejt edhe botime të tjera.