Zhaklina Gjolla në 10 pyetje nga Elegance

Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni aktualisht?
Aktualisht jam duke punuar për dy programe të përditshme; çdo paradite në 9.30 flasim për mënyra të ndryshme jetese në ekranin e RTSH1, për ushqime, shëndet, pasione dhe sporte. Ndërsa kam fatin që nga ora 15.00-18.00 të prezantoj pranë Enkel Demit, në radion kombëtare Club Fm, “Makinë me dy timonë”, një program më shumë se 10 vjeçar që satirizon aktualitetin, mbushur me kuriozitete interesante, por mbi të gjitha shumë i dashur për dëgjuesit.

Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Do veçoja vendimin që marr çdo ditë për të qenë falenderuese, për të buzëqeshur sa më shumë, për t’u nisur me mendime pozitive dhe pa u panikosur përballë problemeve. Një vendim i përditshëm për të ndihmuar ditën time të mbyllet sa më mirë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Kur e ndjeni veten të lumtur?
Kur më realizohen ose realizoj dëshirat apo objektivat e mia, kur njerëzit e mi janë të lumtur e shumë raste të tjera.

Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Sa herë që kuptoj që padrejtësitë më të mëdha bëhen nga njerëzit, ndaj njerëzve, edhe ne rastet kur mund të shmangen. Dhe të gjitha herët që diçka nuk shkon mirë.

Çfarë nuk do të kishit hedhur kurrë poshtë?
Njerëzit me të cilët ndaj (marr dhe jap) emocione.

Kë doni më shumë?
Nuk do veçoja dot… familjen. Veten. Por edhe të afërt që më zbukurojnë dhe plotësojnë jetën. Macen time, Mika <3

Cila është ajo gjë për të cilën do të thoshit: nuk do ta bëj kurrë?
Kurrë nuk do të bëj diçka për të lënduar dikë. Kurrë nuk do bëj diçka që s’do doja të ma bënin.

Cili është mëkati më i madh për ju?
Kam vrarë njëherë një hardhucë, që nuk e nxirrja dot nga shtëpia 😛

Cila është blerja juaj e fundit?
Gjeta një komplet skish me ofertë të mirë. Të shohim dimrin tjetër nëse do i përdor për ski apo për t’u ulur në borë :P.

Cili është qëllimi i jetës?
Mendoj që nuk e zbulojmë për sa kohë mund ta themi. Por jam e sigurt që asgjë nuk është rastësore, prandaj për sa kohë nuk e dimë, të mundohemi të gëzojmë çdo ditë dhe çdo gjë që kemi.