Dastid Miluka rrëfen rrugëtimin e tij artistik në një ekspozitë të veçantë.

Në lëmin e gjerë të fushave me të cilat arti bashkëpunon, së fundmi është shtuar edhe ajo e financës. Por si ndërthuren dhe bashkëpunojnë këto dy sektorë? Pikëtakimi është tejet interesant dhe unik: një ekspozitë e pagëzuar si “Fantazia 98-21”, e cila përmban plot 17 piktura dhe rrëfen rrugëtimin e piktorit të talentuar Dastid Miluka, i cili me shumë çiltërsi ndan me revistën tonë një intervistë ekskluzive, që rreket të njohë edhe më mirë ekspozitën dymujore, e cila do të mbahet në ambientet e bankës “Credins”.

Këtë radhë, vjen me një ekspozitë në një bankë dhe kjo duket interesante dhe tejet e rrallë. Si lindi ky bashkëpunim?
Në fakt, është e vërtetë, bashkëpunimi është pak i veçantë, sidomos kur bëhet fjalë për një bashkëpunim mes artistit dhe bankës. Dua ta nis me një shprehje të Oscar Wilde, “Kur artistët mblidhen për të ngrënë, flasin për para. Kur bankierët mblidhen për të ngrënë, flasin për art”. Aktualisht, nuk e di a kemi arritur në këtë stad, por duket një fillim i mirë. Pjesa tjetër, ishte që unë vizitova ambientet e bankës dhe pashë që edhe më parë, artistë të tjerë kishin ekspozuar veprat e tyre; hapësira ishte shumë interesante dhe m’u duk një ambient shumë interesant për të ekspozuar punët.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code


Sa të përbashkëta kanë sistemi financiar dhe artet pamore?
Janë të lidhura ngushtësisht të dyja. Të paktën, kur bëhet fjalë për artin, ky i fundit ka patjetër nevojë që të ketë mbështetje financiare. Nuk po flas për gjatë gjithë kohës, apo për shifra të caktuara, por përderisa bëhet fjalë për krijime të cilat mbartin në vetvete materiale dhe këto kushtojnë, atëherë ka një raport mes artit dhe financave.

Jam kurioze të di së pari, pagëzimi i ekspozitës si “Fantazi 98 – 21” (një cikël pikturash me 17 tablo), është një marrëveshje, apo një zgjedhje e jotja? Si dhe, a ka një lloj kurimi dhe çfarë trajtojnë dhe transmetojnë te shikuesi?
Ishte goxha interesante, pasi është prezantimi im i dytë në Tiranë, kishte nevojë të rrëfeja një lloj rrugëtimi të eksperiencës sime, nga vitet e Akademisë, të cilat përkojnë me vitet ’98 dhe deri në punimet më të fundit, ato të 2021-it. Mendoj se do të jetë interesante, pasi edhe publiku do të zbulojë përvojën time, duke e ditur se çfarë bëja në atë periudhë, eksperimentimet, etj. Për shembull, nga vitet e Akademisë janë përzgjedhur 2 punime, e më pas kalojnë në vitet e tjera, për të mbërritur në punët që bëj tani. Më duket shumë interesante që ta bëja këtë refleksion, edhe për veten dhe Tirana është vendi i duhur, sepse në Tiranë e kam filluar.


Dallohen ato elementet, një lloj naivizimi te trajtimi i figurave? Nëse unë si vizitor, do të vija sot dhe do të shihja ekspozitën, do ta shquaja gjurmën e koloriteve të ekzagjëruara, kaq prezente në artin tënd?
Patjetër! Duke nisur që në atë kohë, unë kam eksperimentuar goxha me teknikën dhe jam marrë me teksturën që përdoret, por edhe me ngjyrat. Kjo, ka një lloj abstraksioni apo ekspresionizmi abstrakt, por që është edhe figurativ, pra ka filluar kjo ndërthurja e figuratives me teknikën dhe kam ruajtur potencën e ngjyrës. Në rrugëtim, figura kthehet fuqishëm, por ngjyra është gjithmonë prezente. Në vijim, ka një lloj ekuilibri ndërmjet formës dhe ngjyrës, por është i gjithi një proces që bëhet në studio; është një lojë që më dhuron shumë kënaqësi, flas për pjesën e krijimit dhe të ndërtimit.

Zakonisht, në bankë vizitori vjen si klient, në përballje me paranë. A është një lloj relaksi mendor kur hyn dhe gjen një seri pikturash brenda?
Pyetje fantastike! Në fakt, nuk e kisha menduar këtë, por që është shumë e vërtetë, sepse në momentin që ti përballesh me një vepër arti, krijon një lloj komunikimi ndjesor me veprën e artit, ndërkohë që je në një ambient i cili përshkohet nga ajo që the më parë dhe mendoj se krijohet një balancë ndërmjet artit dhe pjesës monetare, e cila është pak më agresive.


Kjo do të thotë se arti i bën njerëzit më të mirë?
Absolutisht! Shpresoj që të funksionojë në këtë formë, pse jo.

Dua të ndalem pak te Covid-19. Është e pamundur që ta shmang si pyejte, kjo sepse artet në tërësi, e veçanërisht ato pamoret dhe ato skenike, e kanë vuajtur shumë këtë periudhë. Ti po më thoje edhe pak më parë që ndoshta në Shqipëri nuk është ndjerë kaq shumë izolimi, por në Belgjikë dhe në pjesën tjetër të Europës është përjetura shumë. Rrjedhimisht, muzetë dhe galeritë e arteve, kanë qenë të mbyllura. Si e përjetove të gjithën, si një proces introvert, në sensin që t’u krijua mundësia të reflektoje me veten dhe të punojë, apo gjithsesi ishte një proces mbyllës që solli bezdi dhe një farë lodhjeje mendore dhe shpirtërore?
Nëse e marrim me profilin që unë kam, pra, artet figurative, ne jemi mësuar që shumicën e kohës të krijojmë në studio, pasi krijimi është shumë individual, ndryshe për shembull nga muzikantët që duhet të japin koncerte dhe të përfshihen në grupime të mëdha. Fatmirësisht, ne kemi të tjera karakteristika dhe në një farë mënyre ka qenë edhe kjo shprehja “Një artist në një kohë pandemie është si një artist në kohë normale”, sepse vijon të krijojë dhe të punojë në studio, por ka një lloj ndikimi psikologjik, sepse artisti përjeton atë që përjetojnë edhe njerëzit në përgjithësi. Nga njëra anë e përjeton edhe më fuqishëm dhe kjo ka një impakt të madh në psikikën artistike, pra, në të njëjtën kohë dhe në atë çka krijon.

Ta bëra këtë pyetje edhe për të ditur nëse cikli i pikturave e përfshin këtë periudhë, pra, ke sjellë një element nga pandemia globale?
Ndoshta mund të ketë elemente, sepse është një rrugëtimi që mund të përfshihet në punimet e fundit, gjithsesi, mendova që të krijoja një lloj balance edhe brenda një pune, që do të thotë se mund të ketë mesazhe brenda, të cilat vijnë përmes formës, figurave dhe ngjyrës, por koncepti është i ekuilibruar, për t’i dhënë shikuesit një mesazh të qartë, që jo gjithçka është kaq tragjike sa duket, pasi jeta është me ngjyra dhe ka vazhdimësi.

Për sa kohë ekspozita do të jetë e hapur dhe a mund të vizitohet nga çdokush?
Ekspozita do të hapet në javën e parë të majit, shpresoj të hënën ose të martën. Do të jetë totalisht e aksesueshme për të gjithë publikun, sigurisht në oraret e bankës Credins, në Bllok. Kushdo që ka dëshirë mund ta vizitojë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy muaj, pra nga maji e deri në fund të qershorit. Ka goxha kohë për ta parë.

Pas kësaj ekspozite, ke menduar një rikthim në Shqipëri me një projekt edhe më të madh, për shembull në Galerinë Kombëtare dhe cila është marrëdhënia jote me këtë të fundit? Në një gjykim personal, hasemi me një problematikë, që është koleksionimi i piktorëve bashkëkohorë shqiptarë, ndaj dua të të pyes a ke marrë një ftesë nga ky institucion dhe a ke dëshirë të shprehesh më gjerë dhe më shpesh në Shqipëri?
Dëshira është shumë e madhe, ka qenë dhe ka ekzistuar gjithmonë. Kam pasur kontakte me Galerinë e Arteve dhe aktualisht, kjo e fundit është e mbyllur për shkak të rikonstruksioneve, të cilat besoj se do të marrin 1-2 vite për t’u përfunduar. Gjatë kësaj periudhe, mendoj se artistët duhet të gjejnë mënyra alternative për të ekspozuar punimet e tyre, edhe në ambientet e tjera, jo domosdoshmërisht në ato të Galerisë. Nuk mendoj se është vetëm ambienti i Galerisë që e vlerëson një artist. Për mua, ka shumë rëndësi kontakti im si artist me publikun e gjerë. Nëse publiku arrin të shkojë në një ambient të caktuar dhe të jetë përballë veprës artistike, hapësira shkon në funksion të kësaj marrëdhënieje.


Ti the që kjo është hera e dytë që ekspozon në Shqipëri. Si është raporti yt me publikun belg dhe me atë shqiptar?
Publiku shqiptar është si shpirt (qesh). Unë kam një marrëdhënie shumë të ngushtë me publikun shqiptar. Edhe pse u bën afërsisht 20 vite që unë jetoj në Bruksel, nuk i kam humbur lidhjet me Shqipërinë. Kam qenë gjithmonë prezent, qoftë edhe për vizita, pushime, etj. Jam goxha i lidhur dhe shoh shpesh se çfarë ndodh me realitetin shqiptar.
Ndërkohë, ka ndryshime mes publikut belg. Po ta them me pak fjalë, Shqipëria për mua është shumë shpirtërore, sepse në të jam gatuar dhe kam kaluar gjithë pjesën e fëmijërisë dhe adoleshencës dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse mbetet në bazë. Ndërsa në Belgjikë kam një tjetër marrëdhënie, por është po aq interesante. Në fund të fundit, kur bëhet fjalë për të qenë përballë artit dhe kulturës, publiku fokusohet dhe diskuton pikërisht për këtë tematikë. Nuk është thjesht një lidhje normale, përkundrazi, është ndjesore, shpirtërore. Ka edhe momentet e tjera që kur të pyesin si je e nga je, nis një tjetër histori.

Është ekzotike Shqipëria?
Është goxha ekzotike! Ka njerëz që e njohin, por edhe që pyesin shumë për të.

Ti si person i lindur, i rritur dhe i formuar në Shqipëri krijon një narrativë dhe histori, duke qenë se përballesh me Belgjikën, një vend konservator europianist?
Në fakt, Brukseli është kthyer në një qendër ku artistët nga e gjithë bota vijnë dhe sjellin artin e tyre. Artistët belgë janë më të qetë dhe më minimalist, ndërkohë që unë që vij nga një vend i ngrohtë, vibrant dhe shprehem shumë përmes ngjyrave. Por, në fund të ditës, është një qytet që të pranon ashtu siç je, nuk ka nevojë që të bësh atë që bën tjetri.

Pyetja ime e fundit lidhet me kthimin në Belgjikë. Do të kthehesh shumë shpejt në vendin ku banon, por a po punon aktualisht, ke ndonjë proces në duar?
Jam gjithë kohës në proces, madje mund të nis 2-3 projekte në të njëjtën kohë dhe kur mërzitem së punuari me njërin, kaloj te tjetri. Nëse nuk do të ishte kjo mënyra si punoj, do të ndihesha shumë keq. Më pëlqen fakti që jam gjithë kohës duke krijuar.