Dëborë & Ski në Zermatt, Zvicër

Çfarë të vizitoni: Me shtrirje gjeografike në këmbët e maleve më të larta në gjithë gamën e Alpeve dhe terrenit malor të Evropës, Zermatt është një nga ato vende që nuk mjafton vetëm një herë për të përjetuar emocione dhe adrenalinë të pashoqe. Është si tërheqje magnetike! Ndërsa, dimri, temperaturat e ulëta dhe flokët e dëborës e mbulojnë me një bardhësi pas të cilës, vështirë të mos magjepsesh. Lokalet ofrojnë ambiente të ngrohta, ku shërbehet çokollatë e shkrirë, birrë e freskët, dhe zjarr bubulak pranë oxhaqeve që qëndrojnë të ndezura për orë të tëra. Vilat alpine, peizazhet dimërore, gjithçka në këtë qytet grishës të bën për vete, dhe të fton në përjetimin e një aventure turistike të rrallë. Nëse vendosni ta vizitoni Zermatt-in, bëjeni këtë sezon dimëror, sepse është periudha ideale e vitit për të shijuar pushime të bardha, pse jo unike. E veçanta tjetër qëndron në luginën e mbyllur mes maleve të pjerrëta, një nga atraksionet turistike më të frekuentuara në dimër. Kryeqyteti i sportit të alpinizmit, është gjithashtu një nga vendpushimet e mëdha ndërkombëtare të Zvicrës. Mali Matterhorn është pika strategjike, që ofron një panoramë mbresëlënëse për të gjithë vizitorët. Mund të lëvizni me makinë, dhe afro pesë kilometra larg Zermattit futeni në fshatin turistik, që mirëpret të gjithë turistët që vizitojnë këtë vend në çdo stinë të vitit. Mund të zgjidhni transportin edhe me teleferik, çka ofron një mundësi të artë për të shijuar natyrën alpine dhe për të kundruar nga afër të gjitha shtigjet e mbuluara nga dëbora, njëherësh edhe njerëzit e pasionuar pas sportit të skive. Zermatt është vërtet një vend alpin magjik. Ju keni luksin e përzgjedhjes në stilin e pushimeve që dëshironi, qoftë ata që duan të zbaviten në pistat e skive(amatorë apo profesionistë), për të tjerë që akomodimin luksoz dhe rehatinë e kanë parësore në udhëtimet e tyre, gjithashtu ky vend jua ofron pa kursim. Krahas shijes speciale të gatimeve të veçanta, në restorante të ndryshme që mund të zbulohen nga ju, nga kafene të ngrohta ku mund të gjerbni një çaj ose një çokollatë të shkrirë, me disa biskota të shijshme.