Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Në rrjedhën e jetës. Ndjek poezinë e saj, herë të vrullshme, herë të qetë. Herë lakohet, herë hollohet, po gjithnjë më nxjerr diku, nuk ndalet. Si uji. Me fëmijët (poezi prej fryme, mishi e gjaku), me librin që do të vijë së shpejti, me përditshmërinë. Me jetën. U jap frymë pemëve dhe ato më japin mua.
Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Të jetuarit! Çdo vendim që më bën ta dua e ta kuptoj jetën, bëhet më i miri.
Kur e ndieni veten më të lumtur?
Në përqafimin e fëmijëve dhe prindërve të mi. Më lumturon njeriu kur e jep dashurinë pa kushte, në formën e vet më të kthjellët, sikur të jetë muzikë hyjnore, frymë e plotë. Është ndalim i botës në vend. Është oaz. Kur gjej poezinë aty ku për të tjerët nuk duket.
Kur e ndieni veten të trishtuar?
Kur dashuria nuk është kryefjala. Kur edhe gjërat më të vogla, edhe sendet e ndiejnë mungesën e saj. Kur mbyllen shtigjet e jeta mbetet në vend.
Çfarë nuk do të kishit hedhur kurrë poshtë?
Njeriun.
Kë doni më shumë?
Dashuria është aq e përveçme, ajo nuk është e krahasueshme. Njerëzit që duam vërtet e pa kushte janë një univers që përfshin ata dhe ne në një. Dashuria dhe ne jemi si matrioshkat. Po të na çelësh ne jemi brenda saj. Po ta çelësh atë, ajo është brenda nesh. Fëmijët, prindërit, motrën e mbesat, vëllezërit i kam dashurinë në një. Muzikën, poezinë, të bukurën, në një. Ata që duam, gjithsej çka duam, japim e marrim janë arkitektura e qenies së jemi. Unë nuk dua më shumë. Unë dua shumë, aq sa nuk krahasohet.
Cila është ajo gjë për të cilën do të thoshit: nuk do ta bëj kurrë?
Kthimin mbrapsht. Njeriu është i paracaktuar të shtillet, të rritet e të zbulohet bashkë me fillin e kohës. Pas nuk lë gjë, i merr me vete në të tashmen, për në të ardhmen.
Cili është mëkati më i madh për ju?
Urrejtja. Ajo shpërbën gjithçka. Sendet nuk urrejnë, kafshët nuk urrejnë. Urrejtja nuk është e natyrshme.
Cila është blerja e fundit dhe për çfarë shpenzoni më shumë?
Libra. Ime më thotë se do të vijë një ditë që në shtëpinë tonë do të ketë aq shumë libra sa do na duhet një dhomë veç për ta.
Sipas jush cili është qëllimi i jetës?
Një mozaik shumë i ndërlikuar që formohet e zbulohet duke jetuar, duke dhënë e marrë me gjithsej e gjithkënd na rrethon. Jeta vetë.
GRUA
Jam një krijesë e epërme
që gjatohem drejt reve
më e lartë se pemët,
më e hollë se fjolla.
Fryma ime
bëhet një litar i gjatë
ku mendimet i kacavirren
një butësie tjetër,
të panjohur ende.
Tingujt avullohen
e brazdat e heshtjes
kanë ngjyrë dheu të lagësht,
ndijimet fashiten mbi to
si zjarrmi në rënie.
Më shumë se hapat
ndiej qafën
ajo pulson ngadalë
teksa të gjitha krijesat e muzgut
pluskojnë në ajër
e tuten të më shohin.
Mes supit e fytit
formohet një diagonale e re
e barabartë me pjerrësinë e botës,
e pangjashme me gjithçka di e njeh
në këtë rrafshinë shpirtrash të vakët
që hasen udhës.
Aty mblidhen muzat
e këndojnë nën zë
një ninullë
për hapat e bukur të gruas
në rrugën e ngadaltë
me gurthe vetmore
e fjolla fjalësh përmbi.