Çdo krijim i realizuar nga ajo, është një pikturë unike, së cilës i ndryshon materja, herë akuarel, herë mëndafsh. Nga portretet e femrave, tek linjat e ngjyrave që ju ftojnë në një dimension  artistik dhe njerëzor

 Mes disa mesazheve qartësisht të lexueshme, dhe të tjerave që dalin përmes dimensioneve të fshehura në krijimet artistike, ajo i mëshon funksionit parësor të artit, me copëza kujtimesh të cilat seleksionohen mjeshtërisht nga vetë piktorja. Në veprat e Kongos, krijohet lidhshmëria ndërmjet spektrit vetjak dhe realitetit, ndjenjave me motive nga jeta e përditshme, si edhe një seri simbolesh që ajo i përcjell në telajo, krejt artistikisht. Në çdo prezantim të ri të krijimeve, ajo sjell aspektin estetik sa më frymëzues, plot perspektivë dhe me detaje të përfunduara në gjuhë sa më të përsosur. E tërhequr gjithnjë nga figura njerëzore, kjo e fundit është fokus absolut në thuajse gjithë punimet e saj. Ato të kujtojnë gjithçka, nga sakrificat tek dashuria, dhe çdo gjë tjetër të prekshme si pjesë e realitetit dhe përditshmërisë sonë. Dëshira për të mos i ikur realitetit dhe për të krijuar një tjetër të brendshëm, atë të vetvetes, e shtyn Violeta Kongon në krijimin e një ekspozite me plot krijime të veçanta, ku portreti femëror nuk është vetëm çështje frymëzimi, por stereotip ideal i brishtësisë, elegancës dhe amësisë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Një koleksion veprash artistike që vijnë në sytë e publikut artdashës, nën një emër “Notturno”. Si lindi kjo ekspozitë?
Pothuaj të gjitha tablotë janë ngjizur natën, sepse kur bie sipari i ditës, njeriu sheh me syrin e shpirtit. Në skenë dalin të tjerë aktorë. Regjisori, pra “syri i shpirtit”, e koncepton skenën ndryshe. Të tjera dhimbje zbulon, të tjera gëzime. Syri i shpirtit hyn thellë për të zbuluar dhe interpretuar ndodhitë e ditës. Bëmat dhe gjëmat. A nuk ka qenë një gjëmë e madhe ikja e shqiptarëve në vitet e 90-ës? Dhe ikjet ndodhin, zakonisht, natën. Ikën bijtë, duke lënë fillikat nënat, ikën prindër me fëmijë në krahë, ikën të rinj duke shpresuar për një botë më të mirë. Nga toka, deti, ajri… Ndaj dhe tema e emigrimit në këto tablo zë vendin kryesor, pasi unë e kam ndjerë në shpirtin tim dhimbjen e ikjes së bijëve.

Pse e sollët pikërisht në këtë moment të karrierës suaj këtë ekspozitë?
Asnjëherë nuk i kam planifikuar ekspozitat. Unë punoj çdo ditë. Takimin me penelin e përjetoj si një takim dashuror të zjarrtë. Dhe këto takime mbarsëse sjellin në dritë fëmijë (tablo). Kur tablotë shumohen dhe rriten cilësisht, bëhet i nevojshëm ballafaqimi me miqtë dhe artdashësit. Atëherë ekspozita kthehet në domosdoshmëri.

Të udhëtosh në pikturat tuaja, do të thotë të përjetosh një mori emocionesh, ndjenjash, të jetosh hyjnoren dhe gëzimin. Si arrini ta përcillni këtë gjendje pas çdo realizimi artistik?
Është e vërtetë që në këtë rrugëtim unë përjetoj emocione të forta. E kam thënë edhe më parë se, kur pikturoj, jetoj mes gëzimit dhe ankthit për t’u lidhur me diçka më të madhe se unë, me diçka hyjnore, që lëviz mes frikës dhe guximit, duke përqafuar të panjohurën dhe duke respektuar intuitën. Ky rrugëtim nuk ka një fund të përcaktuar. E panjohura të del në çdo çast të lëvizjes së penelit dhe çdo çast të kujton se në atë telajo mund të ndodhë gjithçka. Nëse të gjithë këtë arrij t’ua përcjell të tjerëve, atëherë lumturia ime është sipërore…

Mes linjash, ngjyrash dhe portretesh ju të ftoni në një dimension sa artistik aq edhe njerëzor. Është qasje personale që ju ka ardhur natyrshëm apo e keni projektuar të tillë që në krye të herës?
Nuk projektoj asgjë. Shtysat më vijnë natyrshëm. Natyrshëm ndalem te njeriu. Te shpirti i tij. Më intrigon shpirti që pasqyrohet në sy dhe në të gjitha tiparet e portretit, në plastikën e trupit. Më intrigon fakti se si mund të përthyehet një dramë apo gëzim tek njerëzit dhe se si mund të pasqyrohet me penel. Në formë, në ritëm, në ngjyrë… dhe filloj të abstragoj mbi to. Madje, abstragoj edhe duke pasur parasysh një poezi. Si mund të jetë, për shembull, në tablo, dyvargëshi im: “Plasat e derës grishin brerimën/ plasat e shpirtit ndjellin greminën”?… Dhe kështu, vazhdoj duke u marrë me njeriun. Pasi, mendoj se njerëzit nuk duhet t’i kuptojmë dhe pranojmë nëpërmjet vetes sonë, por nëpërmjet vetes së tyre, duke u strehuar edhe në shpirtin e tyre… E dua njeriun dhe universin e tij. Ndaj, ndoshta nuk do të heq dorë kurrë së pasqyruari në telajo.

Teknikat në të cilat ju punoni janë miks, akrilik, teknikë e përzier, karbon, akuarel në mëndafsh. Pse keni zgjedhur të punoni në disa teknika njëherësh?
Çdo piktor provon në të gjitha teknikat. Dhe unë kam provuar në shumë syresh… Por tani jam përqendruar te vizatimi, teknika e përzier, akriliku dhe mëndafshi. Të gjitha të dhurojnë emocione, por piktura mbi mëndafsh është një emocion më vete, i shpejtë dhe intensiv. I ngjan atyre netëve dashurore të zjarrta që zgjasin pak. Pasi mëndafshi është kaq i etur për bojën e tij të tejdukshme, sa kur e hedh mbi të duhet të tregohesh e kujdesshme, as mos ta mbysësh dhe as ta lësh të etur… Është një improvizim emocional tejet argëtues që mbaron dhe duhet të mbarojë shpejt. Kur punoj mbi mëndafsh përjetoj një festë ngjyrash. Ajo që më gëzon më shumë në lidhje me mëndafshin është fakti se gjithnjë e më shumë po e konceptoj jo vetëm si shall për vajzat, por si pikturë kavaleti, e cila kornizohet dhe varet në mur duke marrë vlerën e një akuareli të mirëfilltë.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë ekspozitë?
E vetmja dëshirë e imja është që njerëzit të ndalen para çdo tabloje për ta kundruar dhe të vënë diçiturën e tyre. Uroj, gjithashtu, që muri ta “mbajë” tablonë. Pasi, siç thotë miku im piktor, Adrian Devolli, po e “mbajti” muri, ajo tablo është artistiksht e realizuar.

Cila rrymë i përshkon tablotë e tua?
Unë admiroj në veçanti impresionistët. Monet, Cesanne, Pissarro, Degas, Van Gogh, Picasso, Braque, të cilët janë korifej të paarritshëm. Krijimtaria e tyre është një festival i jashtëzakonshëm impresionesh. Dhe do të desha që në vrapimin e syrit tim të shpirtit për të kapur impresionin, të mos rrëzohesha.

 

“E panjohura të del në çdo lëvizje të penelit dhe çdo çast të kujton se në atë telajo mund të ndodhë gjithçka”

 

A shërben nostalgjia  për të krijuar copëza të duhura të artit pamor?
Sigurisht! Kur them se syri i shpirtit vrapon, ai vrapon jo vetëm në kohën e tashme, por, sa shumë kthehet prapa! Siç thashë më lart, tema e emigrimit masiv të viteve ’90 përshkon një sërë tablosh. Por jo vetëm kaq. Syri qëmton deri në vitet e fëmijërisë. Në mbresat dhe objektet e asaj moshe. Kam realizuar disa tablo me kukullat e mia të fëmijërisë. Madje, kam realizuar një tablo me diciturën “Përralla e tymit”. Kur e kam realizuar atë, syri im qëmtoi në ndjesitë e fëmijërisë… Ishte koha kur nuk ishte bërë elektrifikim i plotë i vendit. Unë shkoja me pushime në fshat tek tezja ime. Pjesëtarët e familjes pinin duhan dhe në mbrëmje, nën një dritë të zbehtë kandili, që reflektonte të gjitha hijet në murin e errët të dhomës, hijet e tymit të duhanit që ngjitej nëpër trarë më mbërthenin syrin. Unë humbisja në dhelat dhe përdredhat e tymit. Para syve të mi formësoheshin personazhe që nxitoja t’i pagëzoja dhe të ngjizja një përrallë. Ishte shumë bukur! Unë isha mbretëresha e personazheve të mia!

Si është zhvilluar krijimtaria juaj artistike ndër vite?
Unë kam mbaruar për Gjuhë-Letërsi shqipe. Pra, jo pikturë. Dhe kam punuar gjithnjë me fjalën. Kam punuar në RTSH, si dhe në media të ndryshme të vendit. Por, piktura ka qenë pasioni im. Madje, në këto 20 vite që jam marrë seriozisht me të, kam kuptuar se paska qenë dashuria ime. Ndaj, dhe iu kushtova me gjithë shpirt për të rikuperuar vitet e shpërfillura. Dhe po jetoj një histori dashurie të lumtur. Kam hapur tre ekspozita personale dhe kam marrë pjesë në dy të tilla në grup.

Çfarë të influencon në artin tënd?
Tek unë ndikon gjithçka e bukur dhe me ngjyra që shoh, por mbi të gjitha, gjithçka e bukur që sheh syri i shpirtit tim tek shpirti i njerëzve. Por, po aq më ndikon dhe më trondit një shpirt gremisës. Në këtë rast, për ta shprehur trishtimin, marr karbonin dhe mundohem të “shquaj” brenda ligësisë.

error: Content is protected !!