Historia ka dëshmuar se njeriu ka një lidhje shumë të ngushtë me kristalet dhe vetitë e tyre çudibërëse. Në ditët e sotme, duket se tradita vijon dhe “Gur Element”, një sipërmarrje shumë e veçantë, na sjell krijime fantastike, të punuara krejtësisht handmade.
Si gjithmonë, Elegance është në kërkim të talenteve të tilla, kaq unike, andaj kemi shkëputur pak nga koha e vajzës së talentuar që “fshihet” pas “Gur Element”.
Në rreshtat e mëposhtëm do të gjeni intervistën tonë me të.
Si lindi ideja për një sipërmarrje të tillë?
Varëset kam filluar t’i bëja mbi njëzet vjet më parë, kur isha në vitet e para të gjimnazit. Përdorja argjilë natyrore, së cilës i jepja forma të ndryshme e më pas e piqja dhe e ngjyrosja me tempera apo guash.
Më vonë, fillova të punoja gurët e plazhit, fillimisht duke i ngjitur e më pas duke i shpuar vetë e duke zbuluar teknika të reja, pasi e kisha më të lehtë të gjeja materiale dhe mjete pune jashtë vendit. Mund të them që punimet e tanishme të Gur Elementit kanë lindur natyrshëm e kanë pasuar tërheqjen që kisha për kristalet, të cilat kam filluar t’i kthej në stoli para dy vitesh. Ndërkohë që kisha mjaft mjete nga puna me gurët e plazhit, koleksioni i kristaleve u zgjerua aq shumë, sa fillova të mësoja se si mund t’i ktheja në stoli.
Pse pikërisht një emër i tillë, “Gur Element”?
Fillimisht, para 6 vitesh hapa faqen me emrin e thjeshtë dhe të bukur shqip “Gur” pasi punoja me gurë plazhi.
Pavarësisht se nuk kam publikuar shumë stoli të asaj periudhe, isha mjaft e përfshirë në punimin e gurëve. Fjala “Element” që iu shtua asaj “Gur” pasi atëherë Instagrami kërkonte domosdoshmërisht emër+mbiemër dhe guri ishtë pikërisht elementi qendror i punimeve të mia.
Vite më vonë vazhdova të postoja stolitë me kristale pikërisht te faqja e hapur prej kohësh.
Historia ka dëshmuar një lidhje shumë të ngushtë mes kristaleve dhe njeriut. Beson se kristalet përçojnë një forcë të tillë e cila ndikon drejtpërdrejt në atë çka tërheqim nga universi?
Njerëzimi ka qenë i lidhur ngushtë me kristalet, që në fillimet e veta. Prej atëherë, kur besohej në vetitë shëruese të tyre, e deri në ditët e sotme, kristalet vazhdojnë të na shoqërojnë në formë stolish, dekoresh, hajmalish, etj. Ka baza shkencore se si e përse ndikojnë në mirëqenien tonë fizike e mendore. Struktura kristalore, ngjyra, prejardhja e përbërja janë katër tipare që përcaktojnë ndikimin e një kristali te njeriu. Ai është formimi më i qëndrueshëm në planet dhe nëse përfytyrojmë një gjë të qëndrueshme si kristali afër një organizmi të paqëndrueshëm si trupi i njeriut (i cili sëmuret e ndryshon shpesh gjendje, duke ditur që jemi mbi 70 përqind ujë), atëherë ajo çka është e paqëndrueshme “detyrohet” të rregullohet e të përputhet me strukturën e qëndrueshme.
Në mjekësinë kineze, kristale të ndryshme përputhen me organe e pjesë të ndryshme të trupit, në sajë të dridhjes dhe valës që emeton çdo kristal. Shpesh, ata që janë skeptikë, si dhe jo të hapur ndaj metafizikës, më pyesin “çfarë energjie kanë kristalet?”. Pavarësisht se ka studime të pakundërshtueshme për energjinë e tyre, unë pyes: “pse vetëm shkenca perëndimore duhet të ketë ekskluzivitetin e përdorimit të fjalës “energji”?.
Kur flasim për energjinë e kristaleve, duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me energji shumë të imëta dhe duhet të jemi të hapur ta mësojmë e ta kuptojmë këtë. Gjithashtu, duhet të jemi ne që punojmë me mendimet tona e e afrojmë veten pranë fuqisë së kristalit. Unë i konsideroj si një nga mjetet e shumta të mrekullueshme që ka krijuar natyra e që mund t’i përdorim për t’u kujdesur për mirëqenien tonë.
Cili është materiali yt i preferuar?
Padyshim vetë kristalet, por vetëm me kushtin që të jenë të papërpunuara, pra jo të ngjyrosura, të patrajtuara me nxehtësi, etj.
Sa zgjat përgjithësisht procesi i krijimit të një bizhuterie, që nga ideja deri te finalizimi?
Procesi krijues nis në mënyra të ndryshme për mua. Shpesh skicoj në bllokun që mbaj përherë me vete dhe kjo më ndodh kudo që të jem. Shumicën e kohës, figurat më lindin papritur në mendje dhe duhet t’i hedh menjëherë në letër. Por gjithashtu, më ndodh jo rrallë që kur ulem të punoj me kristalet, ato vetë më tregojnë format sesi t’i ndërthur.
Disa nga krijimet më të dashura më kanë lindur gjatë punës, duke kompozuar kristale, rrathë e degë e duke lënë veten të udhëhiqet nga rastësia. Frymëzimi kryesor janë vetë kristalet të cilat janë në dy forma: gjeometrike dhe të çrregullta. Kështu, format gjeometrike përsëriten vazhdimisht te krijimet e mia. Gjithashtu, dashuria për natyrën dhe veçanërisht për bimët më çoi te përdorimi i degëve dhe gjetheve, duke shkuar dhe me format e çrregullta të vetë kristaleve. Ka raste që ulem e e punoj diçka brenda ditës e herë të tjera disa ditë rresht.
Cilat janë vështirësitë që ke hasur në sipërmarrjen tënde të re?
Nuk e konsideroj si sipërmarrje pasi pasioni për të punuar me kristalet është aq i madh dhe është kthyer në domosdoshmëri për mua. Gjithsesi, është e vështirë të merresh me një pasion të tillë në një vend si i yni ku mungon baza materiale. Veç fare pak veglave të punës, gjithçka tjetër duhet ta blej online dhe kostoja rritet shumëfish për shkak të transportit dhe doganës.
Si funksionon “Gur Element”, krijimet janë idetë e tua që ia servir klientëve, apo janë dëshirat e klientëve?
Ndërkohë që krijimet e mia janë ato që përmbushin pasionin tim, është kënaqësi e veçantë të punosh diçka enkas për një klient (unë parapëlqej t’i quaj miq). Gjithashtu, punoj me shumë gëzim kur dikush sjell një kristal që e ka përzemër e do ta mbajë si varëse a një stoli tjetër.
Si i kanë pritur miqtë dhe klientët krijimet e tua?
Jam e gëzuar që në kaq pak kohë kam arritur të njoh e madje të lidh dhe miqësi me shumë njerëz të apasionuar ndaj kristaleve. Është një botë e bukur dhe ka pafund gjëra për të ndarë e mësuar rreth tyre dhe vërtet mendoj se atyre që ju rezonon puna ime, në një mënyrë ose një tjetër, arrijnë të më gjejnë.
Mineralet, kombinuar me pasionin dhe artin tënd janë fantastike dhe unike, por cilat janë planet për të ardhmen?
E tashmja është ajo që ekziston; do t’ia lë 2027-ës të më tregojë se çfarë do të ndodhë.