Arkitekti zviceran Bernard Tschumi i njohur për “lojën” profesionale me format, ngjyrat e gjeometrinë, i gatshëm për të transformuar hapësirat private dhe publike, njihet si arkitekti i filozofisë së dekonstruktiktivizmit, me një gamë projektesh mbresëlënëse në mbarë botën .
Me praktikën e tij studentore, në vitin 1983, ai bëri bujë të madhe në radhët e arkitektëve profesionistë të kohës…I la të gjithë gojëhapur, pasi fitoi konkursin prestigjioz për “Parc de la Villete”, i konceptuar si një park kulturor me një sipërfaqe të madhe, si një hapësirë e shfrytëzuar nga artistë apo të rinj të talentuar që duan të motivohen në punën e tyre. Bernard Tschumi, arkitekti i lindur nga Zvicër, por me origjinë të përzier nga dy prindër parisien dhe amerikan, ndërthur në idetë e tij vizionare, konceptet e “ngjarjes” dhe “lëvizjes”, si dy themele të forta mbi të cilat mbështetet besimi dhe filozofia e tij e punës. Tschumi me një gamë të gjerë lëvrimesh profesionale nga arkitektura, tek referencat e tij në disiplinat e letërsisë apo filmit, e plotëson më së miri kuadratin e tij artistik, duke zhbërë polemikat që e sulmojnë shpesh në lidhje me tendencat e tij kulturore në projektet arkitekturore. Dizajnet e tij kanë shumë elemente intrigues. Ai konsiderohet si një arkitekt që i takon postmodernizmit, dhe kjo duket se nuk ka qenë kurrë pengesë në rrugëtimin e tij të hartës së punimeve arkitekturore, të cilat kanë zaptuar hapësira të jashtëzakonshme publike. Format gjeometrike, strukturat asimetrike, loja e bukur me detajet e jashtme të fasadave të xhamit, si një kontakt i drejtpërdrejtë me natyrën, bën që modelet e tij të qenësishme të jenë simbol i palëkundur i principeve që ai ndjek në stilin dhe mënyrën e të punuarit. Ndërsa, godinat apo ndërtesat e realizuara prej tij, duket sikur evoluojnë vit pas viti, pasi çdo themel i projektit të zviceranit të talentuar ruan funksionalitetin, përtej afeksionit estetik. “Mua nuk më pëlqejnë tullat. Janë një nga ato materialet që thuajse i kam përjashtuar në punimet e mia të njëpasnjëshme. Operoj me ide të qarta që në krye të herës, nga ngjizja e projektit në letër tek materializimi i tij në terren. Vetëm kur një ndërtesë ka superuar çështjen e funksionalitetit, pra është banuar apo është vënë në shërbim të individëve, atëherë godina merr kuptim. Arkitektura është një dialog mes lëvizjes së trupave dhe hapësirës. Dhe ky dialog i pandarë bën që kryeveprat arkitekturore të mbijetojnë dekadë pas dekade”, thotë ai.
Muzeumi “Alesia” dhe Parku Arkeologjik, Francë
Dy struktura të veçanta, por të lidhura me njëra-tjetrën, ku druri dhe xhami dominojnë si materiale parësore, për të ndërtuar një muze me standarde bashkëkohore. Rrethimi i jashtëm ngjan si fortifikim romak, ndërsa pjesa e sipërme e kulmit të ndërtesës përcjell një peizazh me pemë dhe bar të mbjellë.