E HËNË
Javë e re, energji e re, kombinim i ri! Nise javën si duhet me një ndërthurje interesante të 2 ngjyrave. E zeza kombinohet me gjithçka, ndaj Keisi ka guxuar me “mistiken” që transmeton ngjyra më e errët dhe me ëmbëlsinë e rozës pastel. Një fund pastel, bluzë e zezë dhe çantë sërish në të njëjtën ngjyrë me fundin përbëjnë një trinom perfekt. Çizmet poshtë gjurit janë zgjidhja e Keisit, e cila i përshtatet tendencës së stinës.
E MARTË
Dita e dytë e javës nuk është dhe aq e tmerrshme, nëse ke gjetur kombinimin e duhur! Keisi ka menduar për një palë xhinse në stil “cowboy” dhe për një xhaketë me prerje klasike, e cila “modernizohet” në fund të krahëve. Kur bëhet fjalë për këpucët e duhura, Keisi nuk largohet nga e zeza dhe sugjeron taka të larta dhe të mbyllura në pjesën e përparme. E zeza e klasit thyhet bukur me një çantë në ngjyrë silver, e cila e bën këtë veshje edhe më perfekte.
E MËRKURË
Mesi i javës na gjen sërish me klas dhe komoditet. Fustani i gjelbërt është opsioni më i mirë për të pritur pranverën, për më tepër është i rehatshëm dhe tejet i kombinueshëm. Për të qëndruar në tonet neutrale, vajza e “5 ditë me stil” ka zgjedhur të plotësojë veshjen me një pallto të lehtë në ngjyrë gri dhe me çizme deri te kyçi, të dizenjuara me printe gjarpri. Mos harroni çantën e vogël, e cila mund të jetë në ngjyrë të zezë.
E ENJTE
Java po mbaron, ndaj duhet t’i lejoni veten luksit e ndjesisë që ofron rehatia. Për ditën e enjte ju sugjerojmë të ktheni sytë nga stili casual dhe të zgjidhni një palë xhinse “mom”. Kombinojini me një bomber të zi, të ngrohtë dhe super stylish dhe mos harroni t’i qëndroni deri në fund stilit tuaj “të lirshëm”. Keisi ju sugjeron kambalet nude si një alternativë shumë e gjetur.
E PREMTE
Erdhi fundi i sugjerimeve tona, por jo i kombinimeve të pafundme! Mbylleni javën me ngjyrat e duhura, duke bërë një ndërthurje mes bardhësisë të një palë tutave të ngrohta, një bluze në tonet e ngjyrës së gjelbërt dhe një xhakete të lirshme me printe pranverore. Mos e neglizhoni shpirtin tuaj rebel dhe guxoni me një palë taka në ngjyrë nude, për t’i dhënë veshjes dozat e duhura të trasgresives.
Comments