Njësoj si edhe dashuria e parë…Nuk harrohet kurrë dhe ke gjithnjë dëshirën për t’u rikthyer aty. Lioni është një nga qytetet më të famshme të Francës, me monumente të rralla historike dhe arkitektonike. Kulinari joshëse, vendtakime grishëse me artin dhe kulturën, si edhe një panoramë magjepsëse thuajse në çdo stinë të vitit.
Çfarë të vizitoni: Nëse thua Francë, jo domosdoshmërish ke thënë Paris! Një tjetër qytet po kaq emocionues, që ofron aventura fantastike dhe dëshirë të ethshme për t’u rikthyer gjithnjë e më shpesh aty, për të vizituar çdo cep tijin, dhe për të zbuluar shumëçka me një larmishmëri të pashoq…Ky është Lioni!
Instituti Lumiere
Në vendin ku vëllezërit Lumiere, Auguste dhe Louis, shpikën kinemanë, pra në shtëpinë e tyre, tashmë ky është shndërruar në një muze ku shfaqen produksionet klasike të filmave, si edhe ata bashkëkohorë, bashkë me një ekspozitë fotografish të vëllezërve në momente pune dhe në përditshmërinë e tyre.