Është një libër i mbushur me ndjenja, është një histori dashurie pasionante, por sidomos një himn për leximin, si një nga çastet më të bukura shoqërore që mund të provojë njeriu. Të gjithë janë në kërkim të recetës vetjake të lumturisë dhe të shërimit të shpirtit përmes librave. Një nga romanet më të shitur në mbarë botën, i mbushur me aventura dhe ngrohtësi vjen si dhuratë mençurie e shpëtimi, për ndjenjat e humbura e të gjetura sërish, për shpirtrat e trazuar, dhe për shpresën, ajo që do të mbushë shpirtrat e dorëzuar të secilit prej nesh. Proza impresioniste e Nina George-it e shoqëron lexuesin në një udhëtim jo vetëm në vendet më të bukura të Francës dhe në magjinë e librave, por në tërësinë enciklopedike të emocioneve njerëzore. Secili, përmes këndvështrimit të tij për botën, bëhet pjesë e farmacisë letrare, dhe e një bote, që pa ata, do ishte shumë e trishtë dhe e pagëzimtë. Në një barkë në brigjet e Senës, gjendet një librari lundruese fare e veçantë, me emrin “Farmacia Letrare”, një vend kulture, ku librat nuk janë thjesht për lexim. Zhan Perduja, librashitësi i saj, mendon se çdo libër është balsam për shpirtin dhe çdokujt që hyn në librarinë e tij, si një shërues i mirë, i jep librin e duhur për çdo vështirësi në jetë. I vetmi njeri që, mesa duket, nuk po gjen shërim përmes letërsisë është ai vetë…Prej njëzet e një vjetësh, ai jeton me kujtimin e së dashurës së tij Manonit, e cila ishte zhdukur një ditë krejt papritur duke i lënë vetëm një letër. Atë letër, Zhani “e harroi” me dashje, sepse ai e kishte dashuruar Manonin me gjithë shpirt, duke lënë veten krejtësisht pas dore e duke iu përkushtuar dashurisë së tyre sublime…Një zbulim rastësor e i dhimbshëm për të dashurën e tij, do ta shtyjë të lërë brigjet e Senës dhe të ndërmarrë një lundrim nëpër lumenjtë e Provansës së bukur, një udhëtim i mbushur me ngjyra, aroma e shije të paharrueshme. Me të do të bashkohet Maksi, një shkrimtar i ri e i famshëm në kërkim të dëshpëruar të frymëzimit, si dhe Salvatore Vitale, një italian ëndërrimtar e simpatik, i dashuruar pas kuzhinës dhe sekreteve që fsheh ky art. “Letra e harruar” është një libër, thurja e të cilit, ngjyrat e aromat do t’ju bëjnë për vete dhe do t’ju përkundin në fuqinë shpëtimtare të dashurisë.