Nëse po kërkoni disa tituj interesantë për të lexuar gjatë muajit, ju sjellim tre të tillë.
Dy vjet, tetë muaj dhe njëzet e tetë net
Salman Rushdie
Çmimi: 1,200 lekë
Numri i faqeve: 380.
Subjekti: Në një të ardhme të afërt, qyteti i NewYork do të goditet nga një studi dhe kjo është pikënisja e disa çudive tepër shqetësuese. Një kopshtar, ndonëse është në tokë, kupton se shputat e këmbëve të tij nuk e prekin tokën; një autor librash me vizatime, sapo zgjohet nga gjumi, sheh se dhoma e tij është mbushur me qenie enigmatike, të marrë nga librat e tij.
Në zyrën e kryetares së bashkisë të qytetit, një foshnje ka një aftësi të paimagjinueshme: të zbulojë korrupsionin thjesht me praninë e saj, duke i “identifikuar” viktimat e saj me njolla dhe puçrra me qelb. E ndërkohë, një eksplorator detyrohet të luftojë kundër forcave, të cilat as nuk i kishte menduar ndonjëherë.
I frymëzuar nga tradita e përrallave të Lindjes, Salman Rushdie sjell një kryevepër moderne, mbi konfliktet e vjetra që pllakosin botën edhe në këtë epokë. Me një satirë shpotitëse, e mbushur me dinakëri dhe idiotësi, rivalitet, tradhti, karmë, fat, kënaqësi dhe ndëshkim, ky roman është i duhuri për muajin shkurt.
I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër
George Orwell
Çmimi: 800 lekë
Numri i faqeve: 235
Subjekti: Një kronikë e mbushur me humor të zi, e cila rrëfen jetën e rrugës dhe fatet e shtresave të ulëta në dy metropolet gjigante të Parisit dhe Londrës.
Në vitin 1928, 25-vjeçari, Eric Arthur Blair vendoset në Paris, në kryeqytetin e kulturës botërore dhe i shkrimtarëve dhe artistëve të talentuar, të mbivlerësuar, të pasur dhe të varfër, të cilët vijnë nga e gjithë bota.
Parisi i këtyre viteve ishte vendi ku pëlqente të jetonte Ernest Hemingway, Henry Miller, Gertrude Stein me bashkëjetuesen e vet Alice B. Toklas, Picasso, F. Scott Fitzgerald, Edith Wharton e shumë të tjerë. Shumë prej këtyre shkrimtarëve bënë libra të paharrueshëm për jetën e Parisit por është Eric Arthur Blair ai që me ka bërë kronikën më origjinale. Sipas tij, kjo “është një histori pak a shumë e parëndësishme që shpresoj se mund të jetë interesante, siç janë interesante ditarët e udhëtimeve”.
Një incident i pakëndshëm vendos në grackë shkrimtarin e ri dhe e zhyt atë në mjerim dhe rrjedhimisht, në kërkom të punëve të rëndomta. Shkrimtari më vonë u bë i njohur me pseudonimin George Orwell, nisi të zbulonte më shumë Parisin e mandej Londrën, nga sytë e një endacaku të mjerë dhe të varfër.
Ndadalësia
Milan Kundera
Çmimi: 800 lekë
Numri i faqeve: 143
Subjekti: Lexuesi, i magjepsur dhe i turbulluar, do të ndjekë rrëfimtarin e “Ngadalësisë” në një natë vere, ku dy histori joshjeje, të ndara nga një periudhë më shumë se dyqindvjeçare, gërshetohen dhe lëkunden midis sublimes dhe komikes.
Në bazën e kësaj fantazie libertine është një meditim i thellë mbi jetën bashkëkohore: për lidhjen e fshehtë midis ngadalësisë dhe kujtesës, për lidhjen midis dëshirës së epokës sonë për të harruar dhe mënyrës se si i jemi dorëzuar demonit të shpejtësisë, si dhe për “balerinët”, të mbërthyer në kthetrat e pasionit për të qenë kudo dhe kurdoherë ekzibicionistë, për të cilët jeta është thjesht një shfaqje e përhershme, e zbrazur nga çdo intimitet dhe çdo gëzim.