Muaji maj vjen me sugjerime të reja, të cilat i gjeni në rreshtat e mëposhtëm.
Turpi
Emil Zola
Çmimi: 1,200 lekë
Ky roman mbresëlënës trajton vizionin e Zola mbi trashëgiminë dhe vlerën njerëzore; vizion ky që avancon edhe mandej në Rougon-Macquart.
Në këtë roman, Zola trajton obsesionet dashurore, fetare, mëkatet që njerëzit kryejnë, si dhe tematika të ndjeshme si: braktisja nga nëna, harresa nga babai, torturat në shkollë, si dhe trysnia e fesë protestante.
Personazhi që i përjeton të gjitha këto, Guillaune, do vetëm dy persona në botë: Zhakun, mikun e tij të vetëm dhe më pas, Madalenën, gruan me të cilën martohet. Kleçka është se Zhaku dhe Madalena njiheshin më parë.
Kokëmushkat
Edmond Budina
Çmimi: 1,000 lekë
Enkelejda Borshi përjeton një natë të gjatë pasioni e më pas, zhduket krejt papritur. I fejuari i saj Italian, Emanuele D., vihet në kërkim të saj dhe të së vërtetës dhe përpara i shfaqet një mur plot barriera, në një botë totalisht të panjohur. Si është zhdukur e fejuara e tij dhe ç’është më e rëndësishmja: pse?
Në këtë vepër do të gjejmë kalvarin e një vajze me një oqean ëndrrash dhe ndjenjash, e cila beson te dashuria, pasioni dhe mirësia; si dhe ndërthurjen e dy kohëve, të shkuarën dhe të ardhmen, në një mjedis real dhe surreal.
451 farenhajt
Ray Bradbury
Çmimi: 900 lekë
Sugjerim për muajin maj është edhe “451 farenhajt”, një roman i vlerësuar ndërkombëtarisht. I zhvendosur në një të ardhme distopike, romani na rrëfen historinë e zjarrvënësit Gaj Montag, i cili ka një mision shumë të rëndësishmë: të djegë librat e shtypur, së bashku me shtëpitë që i mbartin ato në fshehtësi. Montag nuk ka asnjë dilemë, nuk e vendos kurrë në dyshim dëmin të cilat veprimet e tij krijojnë, jeton çdo ditë në qetësi të plotë, por i palumtur.
Dhe faktin që është i palumtur e kupton kur takon Klarisën, një vajzë e vogël, e cila i tregon për të shkuarën, ku njerëzit kanë jetuar pa frikë, duke bërë një krahasim mes njërës kohë dhe tjetrës. E ky, është çasti kur Montag vë në dyshim gjithçka.