Lioni, kryeqyteti i kulinarisë

Njësoj si edhe dashuria e parë…Nuk harrohet kurrë dhe ke gjithnjë dëshirën për t’u rikthyer aty. Lioni është një nga qytetet më të famshme të Francës, me monumente të rralla historike dhe arkitektonike. Kulinari joshëse, vendtakime grishëse me artin dhe kulturën, si edhe një panoramë magjepsëse thuajse në çdo stinë të vitit

Çfarë të vizitoni: Nëse thua Francë, jo domosdoshmërish ke thënë Paris! Një tjetër qytet po kaq emocionues, që ofron aventura fantastike dhe dëshirë të ethshme për t’u rikthyer gjithnjë e më shpesh aty, për të vizituar çdo cep tijin, dhe për të zbuluar shumëçka me një larmishmëri të pashoq…Ky është Lioni! Me vendndodhje në lindje të Francës, mes Parisit dhe Marsejës, ky qytet së bashku me rrethinat e tij formojnë zonën e dytë më të madhe metropolitane në Francë. Monumentet historike dhe stili i veçantë arkitektonik e rendisin në listën e vendeve të mbrojtura nga Unesco, si pjesë e Trashëgimisë Botërore. I cilësuar si kryeqyteti i kulinarisë, dhe vendlindja e kinemasë(vëllezërit Auguste dhe Louis Lumiere). Lioni është i vendosur në bashkimin e lumenjve Saône dhe Rhône dhe ofron një peizazh spektakolar të rivierës franceze. Ndërkohë, janë të shumta parqet, dyqanet dhe restorantet që gëlojnë nga turistët e shumtë, vendasit, me dëshirën për të zbuluar sa më shumë gjetje të reja kulturore dhe artistike të këtij destinacioni të famshëm francez. Dhe Prilli, duket se është periudha ideale që përkon me një gamë aktivitetesh që e “ndezin” Lionin me spektakle të njëpasnjëshme, opera, teatro, etj. Doni një shije të jashtëzakonshme në ushqimet që provoni? Lioni është kryeqyteti i vërtetë i gastronomisë! Një qytet me restorante të famshme, shumë të frekuentuara, ku ofrohet një llojshmëri shijesh sipas gustove personale. Lioni ka shefin më të famshëm të kuzhinës të pagëzuar me titullin “Papa i kuzhinës franceze”, Paul Bocuse. Ka mbi dy mijë restorante, 15 prej të cilave kanë yje Michelin. Ka 72 shefa kuzhine Michelin. Dhe në krye të listës, qëndrojnë elementët autentikë…Bare dhe restorante ku ofrohen copëza të mirëfillta nga tradita e këtij vendi. Por, krahas kësaj, pjesa më atraktive e Lionit, mbeten pikat më strategjike të qytetit, shumë të frekuentuara nga turistët e huaj.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Restorant Tetedoie
Eleganca dhe shija e rafinuar mishërohen më së miri në këtë restorant Michelin, ndër më të frekuentuarit në Lion.
Montée du Chemin Neuf

Sallatë lioneze
Mos ikni nga ky qytet pa provuar këtë sallatë të shijshme, e përgatitur me sallatë jeshile, selino, vezë, piper i zi, etj.

Patate me limon
Një nga gatimet më të shijshme dhe tradicionale të Lionit. Patatet e pjekura, me qepë të kuqe, limon dhe piper.

Le sud
Nëse dielli jashtë është rraskapitës, mbani frymën në restorantin Le Sud. Vendi ideal për gatime mesdhetare, ku produktet sezonale nga peshku, tek merluci dhe prodhime të tjera të detit shërbehen thuajse çdo ditë.
11 Place Antonin Poncet