Masur është një hapësirë e re në kryeqytet, një hapësirë që me siguri nuk e keni hasur askund. E ndodhur në rrugën “Pjetër Bogdani”, është e pamundur ta definosh saktësisht për çfarë shërben kjo hapësirë, ndaj nuk mund ta quajmë “bar”, “restorant”, “bar restorant” apo “atelier”, prandaj e quajmë thjesht “Masur”, një hapësirë jashtëzakonisht komode, familjare, e ngrohtë, e cila rikthen një traditë të harruar.
Së pari, duhet të shpjegojmë çfarë është saktësisht “masur”. Rrjedh nga gjuha jonë shqipe dhe është çikriku i cili mban peun dhe më pas thuren një pafundësi krijimesh si: qilim, thes dhe veshje. Pra, masur është zanafilla e diçkaje të vogël, e cila me durim dhe pasion kthehet në një rezultat mbresëlënës.