Piktura abstrakte me konture të theksuara, përthyerje e shkrirje të ekzagjeruara trupash gjeometrike e Arben Golemit, zbulon arkitekturën dhe misterin e qytetërimit…
Fiks në orën 18:00, pasi i kam shtrënguar miqësisht dorën piktorit, të dy po presim pas shpinës së punonjëses së Muzeut Kombëtar, e cila kërkon në grumbullin e çelësave që mban në dorë, drynin e duhur: atë që na çon drejt ekspozitës së Arben Golemit “Misteret e një qyteti”. Ulemi në një kënd kolltuqesh të dalë boje diku në hyrje të ekspozitës, ndërsa mes broshurash has një listë me tituj pikturash dhe përbri një listë çmimesh…! Mbaj frymën për një çast teksa shoh se çmimet arrijnë në 42 mijë euro, shifër e cila nuk më duket aspak ngushëlluese edhe kur marr vesh se përmasat e pikturës (155×410) janë shumë herë më të mëdha në dimensione, nga ato që kemi parë rëndom në ekspozita. Pasi kemi nisur bisedën, duke tentuar të fsheh shqetësimin tim për çmimet e kripura dhe i nxitur nga misioni për të zbuluar misterin e vërtetë të pikturave që vlejnë kaq shumë, kuptova qysh në fillim të bisedës, se Arben Golemi, nuk është aspak një piktor si shumë syresh nga ata që ka metropoli, të cilët pikturën e kanë thjesht bukën e përditshme fizike, jo atë shpirtërore siç edhe gënjejnë me pretendimet e tyre …!
As nuk mund ta imagjinosh se pas një karakteri kaq të butë, ky mesoburrë i mençur reflekton njohuri të shkëlqyera të arkitekturës dhe letërsisë, të shpërhapura mes mijëra këndvështrimesh në pikturë. Madje mund edhe të habitesh kur zbulon se tek pikturat e Arben Golemit, njihesh me një karakter impulsiv, atë të një piktori, që siç edhe e pranon ai vetë, “nuk zbaton as rregulla, madje thyen edhe kanone”. Sigurisht, kjo e bën atë të jetë krejt ndryshe nga të tjerët: jo për format apo konturet e theksuara, as për thyerjet dhe shkrirjet ndoshta të ekzagjeruara të trupave gjeometrike, brenda të cilave mund të gjesh copëza të arkitekturës dhe qytetërimit. Arti i vërtetë dhe vlerat qëndrojnë në faktin se pikturat e tij janë një konfigurim i stërholluar dhe i abstraguar i realitetit, sa vetëm një mendje e mprehtë dhe një sy i stërvitur mund të kuptojë gjithë mesazhin, pa këqyrur më parë titullin e tablosë varur në mur. Gati të gjitha pikturat janë në kapërcyell të ekspresionizmit dhe ekspresionizmit abstrakt. “Ky proces i pikturës tek unë kalon nga figura infinit drejt abstraktes. Cikli “Misteret e një qyteti” ka 10 vjet që po punohet derisa më në fund është gati. U mendova gjatë, derisa vendosa të vija këtu me një titull, nëpërmjet të cilit dua të tregoj misteret e dy qyteteve: Beratit dhe Nju Jorkut”- rrëfen për Elegance piktori Arben Golemi. E në fakt, çdo kush do të kishte menduar se përse dy qytete, përse brenda fabulave të pikturës së Golemit, fshihen kaq shumë objekte ndërtimi të lashta apo moderne qofshin ato? Është fare e thjeshtë! Përveç se një piktor, profesioni i parë i Golemit është arkitektura, prandaj ai arrin të përthyejë në mënyrë të përkryer format dhe trupat gjeometrike, të cilat nëse arrin t’i bashkosh me kujdes me sy, ngjyrat dhe konturet janë filli që jep tablonë e qartë të Beratit, mozaikun e plotë të gradaçelave të Nju Jorkut. “Zakonisht ekspozitat e mia kanë pasur në qendër një trekëndësh Berat-Nju Jork-Paris apo Berat-Paris-Romë, por këtë herë ishin vetëm dy të parat. Ajo që synoj nëpërmjet kësaj ekspozite, është që të zbuloj misteret e këtyre qyteteve, vlerat e tyre të fshehura, ato që shumica ndoshta nuk arrijnë t’i shohin, prandaj edhe unë sjell një arketip nëpërmjet pikturave të mia në këtë ekspozitë”.
Por më e veçantë në këtë koleksion pikturash, ashtu si edhe në të mëparshmit, bie në sy Berati, qyteti i lindjes që duket se mbetet një imazh gjithmonë në evoluim tek punët e Golemit, duke habitur edhe kritikët e huaj me frymëzimin e vazhdueshëm që ka me vendin e kodikëve të purpurt: “I frymëzuar nga qyteti mesjetar i Beratit, ku ai u rrit, kompozimet e Golemit mbi kanavacë janë abstraksione që transmetojnë një ndjenjë të njëkohshme të historisë dhe imediatetit. Ai e kryen këtë sintezë impresive, nëpërmjet një stili që mund të krahasohet për nga potenca e saj e drejtpërdrejtë grafike me atë të ekspresionistit abstrakt amerikan Franz Kline”- thekson kritikja amerikane Jeannie McCormack. Por ndryshe nga vepra monokromatike e Kline me abstraksionet bardhë e zi, Golemi është një kolorist i butë dhe tërheqës, madje edhe kur ai zgjedh të punojë në monokrome.
Në pikturat si “Romeo dhe Xhulieta” apo “Foletë e dashurive të humbura”, të duket sikur në këtë përzierje ngjyrash në kanavacë nuk do të gjesh asnjë imazh të saktë intimiteti mes dy të dashuruarish. Por kur depërton thellë formave, kontureve të forta, shpesh me një shkëlqim të fortë, madje edhe brenda ngjyrave të errëta, arrin të zbulosh mozaikun e vërtetë dashuror, arkitekturën e përqafuar në mënyrë perfekte. Kjo padyshim është edhe merita e Golemit, i cili abstragon me format gjeometrike për të konturuar atë që syri i lirë nuk mund ta shohë dot. Madje edhe piktori e pranon se piktura nuk është një mall konsumi për të gjithë. “Artisti në një pikturë dallohet nga mjeti, duke e zbuluar atë që do nëpërmjet një imazhi që e ka në mendje. E rëndësishme për mua është që të përçoj strukturën arkitekturore në një vepër të strukturuar sa më mirë. Piktura është një evolucion i lidhur fort me piktorin, një lidhje sintetike brenda së cilës shkrihet poezia, duke i dhënë pikturës vlera të mirëfillta”- thekson Arben Golemi.
Por a ndihet keq piktori kur para tablove të tij, vizitorët kalojnë me vrik, pa u ndalur asnjë çast para tyre, pasi nuk arrijnë të depërtojnë në brendësi, nuk munden të marrin asnjë mesazh nga ngjyrat dhe format, ndoshta pasi ky abstraksion u duket një gjuhë e panjohur? “Nuk më vjen aspak keq për këtë gjë. Vepra ngrihet mbi mediokritetin. Unë vij nga një zonë elitare dhe bëj pikturë elitare, jo me porosi dhe as për mbijetesë, pasi ideja e krijimit, nuk ka lidhje me ekzistencën”- rrëfen Golemi. Duket paksa e çuditshme se si një piktor, tablotë e të cilit kushtojnë kaq shumë, nuk i kushton aspak vëmendje vizitorëve, që ndoshta edhe mund të duan të paguajnë mijëra euro për një pikturë me firmën e tij. Kjo është filozofia me të cilën ai bën art, i cili e diferencon në mënyrë direkt nga tregu aktual shqiptar, duke e renditur në listën e artistëve të suksesshëm në rajon që shesin tablo për muze, galeri apo koleksione private, për ata që vërtet ia dinë vlerën punëve të tij. “Shitja e një pikture, e cila vendoset brenda mureve të shtëpisë është një sëmundje shqiptare. Çdo pikturë me vlera e ka vendin në galeri apo muze dhe sa më publike të jetë ajo, po kaq vlera dhe rëndësi ka. Unë ndihem krenar që pikturat e mia janë pjesë e koleksioneve të galerive apo muzeve të njohura si në: Gjenevë, Stamboll, Amerikë, Paris apo Madrid”. Për më tepër në listën e koleksionistëve që mbajnë piktura të Golemit janë: Silvio Berlusconi apo Richard Hollbruk.