Artisti nuk mundet kurrsesi të bëjë kompromis për artin, apo idetë e tij origjinale. Shembulli i përkryer i një artisti është fotografi Ergys Zhabjaku.
I endur mes pikturës dhe fotografisë, Ergysi ka gjetur këtë të fundit dhe e ka lidhur me shpirtin, duke krijuar një urë të qëndrueshme, me anë të së cilës komunikon me botën.
Fotografia është pasion, lindje, vdekje, rilindje, frymëzim, ide, qasje, pikëpamje dhe veçanërisht, ushqimi kryesor për shpirtin e etur të artistit.

Elegance i ka rrëmbyer pak nga koha Ergysit, për një intervistë ekskluzive rreth artit dhe karrierës së tij.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Padiskutim, arti është një thirrje e cila jehon në shpirt, por sigurisht e ka një zanafillë. Si ka lindur dashuria për artin?
Duke qenë se unë memorizoj shumë dhe gjithmonë rrekem ta risjell memorien dhe imazhet e fëmijërisë, mund të them se ka lindur si një thirrje për të shkrepur dhe për “të ngrirë” një ngjarje ose moment të caktuar. Mbaj mend që kam qenë duke zbritur Velipojën, po udhëtoja me makinë me familjen time, isha ulur në sediljen e prapme, kur dëshmuam një rit mortor të një gruaje. Mes karvanit të vargjeve 3-she të grave, kalon një burrë me një motor, i cili nxirrte flakë. Si duket, ia kishte dërguar dikush nga jashtë shtetit dhe për mua, ai moment shfaqi “pendesën” e parë se pse nuk kisha një aparat fotografik që ta shkrepja këtë moment.
Pastaj, ka qenë edhe kontakti me një foto e Steve Mccurry, e cila më hipnotizoi dhe më bëri ta dashuroj fotografinë. Sot, atë foto e kam në shtëpinë time, siç kam edhe shumë vepra të tjera arti të cilat më kanë shoqëruar në fëmijëri dhe kanë patur ndikim të jashtëzakonshëm në formimin tim.

Rrugëtimi yt prek fusha të ndryshme të artit, duke përfshirë edhe pikturën. Si ka ndikuar piktura tek fotografia? Dhe si është kryer transmetimi i kohës dhe dedikimit nga piktura në fotografi?
Edhe pse kam ndjekur degën e pikturës, e ndieja se nuk ishte mediumi im dhe se nuk e gjeja veten në pikturë. Gjatë universitetit, më shumë jam marrë me muzikë dhe me poezi, sesa me pikturë.
Unë jam i prirur drejt çastit, drejt diçkaje shumë të shpejtë siç është një shkrepje fotografie, nuk më pëlqen të qëndroj për një kohë të gjatë përpara telajos. Ashtu e shpreh brendinë time, në mënyrë të shpejtë, të beftë, duke iu dedikuar realitetit, duke mos e zbukuruar e as shëmtuar atë.

Disa piktura shumë interesante të tuat risjellin perënditë greke, duke i veshur tipare njerëzore. Marr shembull “Poseidonin xheloz” dhe “Icarius ëndrrimtarin”. A është kjo “blasfemi” e zbutur diçka që arti e kërkon?
Gjatë kësaj bisede, mund ta kuptosh se unë nuk jam një njeri që kam investuar dhe jam formuar në fushën time. Andaj, asgjë nuk i është lënë në dorë rastësisë.

Çfarë të frymëzon?
Më frymëzon dashuria për njerëzit që dua, për gruan time, për familjen, për miqtë e ngushtë, të cilët mund të mos i përkasin sferave të artit, por e gëzojnë dashurinë time.
Pastaj, si të mos frymëzohem në Shqipëri? Në vendin e kontrasteve, i cili është parajsa për një fotograf. Kam fotografuar kudo: në Vienë, në Milano, etj, por askund nuk frymëzohem si në rrugët e Shqipërisë, si në realitetin e saj, me të gjithë dritën dhe errësirën që reflekton.

Zakonisht, fotot e tua kanë një kombinim fantastik të ngjyrave të errëta dhe është tashmë një fakt që ngjyrat fshehin ndjesitë e artistit. Çfarë fshehin fotografitë e tua?
Një artist, i çdo mediumi artistik, shpreh ndjesitë dhe botën e brendshme në art. Fotografitë e mia janë gjuha që përdor për të komunikuar me botën, ndaj fotografitë e mia nuk fshehin, por rrëfejnë.
Në ciklin “Running of water”, kam marrë simbolikën e një peshku dhe të një shisheje bosh, të cilat qëndrojnë mbi ujë dhe kështu përbëjnë simbolikën e vdekjes dhe zbrazëtisë, të pamundësisë për t’u mbushur me ujë, pra me elementin e jetës. Por, që të vdesësh, duhet të kesh jetuar, ndaj është edhe jeta në mes. Cikli do të vijojë dhe do të sjellë edhe rilindjen, duke përcaktuar 3 fazat nëpër të cilat kaloj unë, kalon ti dhe të gjithë ne.

Gjithashtu, karriera jote prek edhe sferën e mësimdhënies, duke qenë se je pedagog në një prej universiteteve jopublike të Tiranës. Si është të jesh një pedagog arti dhe cili është raporti i studentëve shqiptarë me artin dhe estetikën?
Studentët shqiptarë janë pak dembelë, të prirur drejt Instagramit, drejt komerciales dhe realitetit që u serviret. Praktikisht, nuk bëjnë art, por i përshtaten rrymës, tendencave dhe atyre që u shfaqen në newsfeed. Nuk përjashtoj aspak mundësinë e studentëve të cilët duan dhe mundohen ta përqafojnë artin. Gjithsesi, ka të rinj që e duan artin në format e tij dhe reagojnë ndaj risive dhe ndryshimeve.

Cilat janë planet e së ardhmes?
Në planet e ardhshme, kam dëshirë të botoj një libër me disa fotografi që ia kam fshehur publikut. Libri do të jetë voluminoz dhe do të përmbajë një numër shumë të madh fotosh, të shkrepura kudo, e veçanërisht në Shkodër, në qytetin që mbart një dritë mahnitëse.

Leave A Comment

Your email address will not be published.

error: Content is protected !!