Edicioni i dytë i muzikës së vjetër baroke, erdhi me një tjetër koncept artistik të veçantë. Krahas tingujve të instrumentave, atmosfera e interpretuar në vendet me histori të rrallë të ikonografisë, dhe vlerave arkeologjike, e vendosi festivalin “Vox Baroque” në podiumin e një ngjarje që synon të promovojë krahas muzikës, dhe historinë e vendit tonë…
“I konceptuar në një mënyrë origjinale, këtë vit festivali pati misionin e promovimit të disa vlerave kombëtare, duke zgjeruar gjeografinë e shtrirjes së koncerteve. Kështu, krahas tingujve që sillnin instrumentat autentik, spektatori kish mundësinë të njihej me historinë e ikonografisë shqiptare, të vlerave arkeologjike, e deri bukuritë natyrore të bregdetit tonë”, me këto fjalë do e cilësonte pianistja Nora Çashku të gjithë subjektin që jehoi në edicionin e dytë të festivalit “Vox Baroque”. Dhe gjithçka falë idesë së spikatur të organizatorit, artistit të njohur shqiptar që jeton në Milano, klavicembalistin Jusuf Beshiri, i cili në këtë atmosferë të veçantë bëri për vete shumë artdashës. Ndërsa, grupet e huaja interpretuese u mahnitën nga historitë e rralla që mbartnin vendet ku ata luajtën tingujt e jashtëzakonshëm të muzikës baroke, duke u shprehur të gatshëm për të tjera bashkëpunime të radhës.
Edicioni i dytë i festivalit “Vox Baroque” mbylli dhe këtë vit siparin e tij duke i dhuruar publikut artdashës emocione të veçanta. Synoni ta ktheni këtë aktivitet kulturor në traditë të përvitshme?
Festivali i muzikës së vjetër “Vox Baroque” po kthehet tashmë në një aktivitet të përvitshëm, i cili mungonte në vendin tonë. Mendoj që vazhdimësia e tij do të afronte akoma më shumë publikun artdashës me njohjen e muzikës së vjetër siç është ajo e periudhës medioevale, rinashimentale dhe baroke.
Mendoni se i përmbushët objektivat tuaj artistikë?
Më duhet të pranoj me kënaqësi që edicioni i dytë i kaloi pritshmëritë e mia dhe të stafit sa i takon ndjekësve të këtij festivali. Pati nga ata që nuk ngurruan të na ndiqnin në itinerarin tonë kulturor për ditë me radhë, duke na dhënë kënaqësinë e të menduarit që dalngadalë misioni i këtij festivali për ushqimin e artdashësve shqiptar me tingujt barok dhe krijimin e ndjekësve besnik të kësaj muzike, ka nisur të përmbushet. Prania e shumë artdashësve të huaj si në rastin e Voskopojës ku koncerti përkoi me Konferencën e të Drejtave të Njeriut, si dhe e shumë personaliteteve si shkëlqesia e tij ambasadori gjerman zoti Hoffmann, ishte një kënaqësi e dyfishtë, duke e bërë këtë festival të ketë një impakt në shkallë ndërkombëtare. Një surprizë e veçantë ka qënë dhe prania e shumë të rinjve duke përmbushur dhe një prej synimeve tona, atë të edukimit të brezave, dhe largimin e tyre nga “klishe” si: muzika baroke apo klasike është vetëm për ata që thinjat i kanë mbuluar kokën.
Historia e ikonografisë, vlerat arkeologjike, bukuritë natyrore dhe bregdetare ishin secili syresh pjesë e performancës artistike të artistëve të huaj, të cilët u njohën nga afër me këto elementë mirëfilli shqiptar. Cilat ishin përshtypjet e tyre?
Të gjithë artistët e huaj u larguan me përshtypje të jashtëzakonshme nga Shqipëria. Për shumë prej tyre ishte hera e parë, por të gjithë shprehën dëshirën për tu kthyer sërish. Gërshetimi i muzikës mes atmosferës, rrënojave romake, ikonografisë, atmosferës ndjellëse të kishave se ajo e Shipskës në Korçë, një monument me vlera të rralla, ishin një burim inspirimi si për ata ashtu dhe për ne, duke na dhuruar një atmosferë tejet emocionuese.