Javier Marias i njohur në Shqipëri me librin “Nesër në betejë mendo për mua” vjen sërish në shqip me librin më përfaqësues të tij “Një zemër kaq e bardhë”. Një lexim i bukur, një rrugëtim në skutat me të thella të nënvetëdijës njerëzore. Në fakt libri nis me një tragjedi, që megjithëse e tillë, nuk është baza e romanit, por grepi që të tërheq më pas në një udhëtim sa filozofik aq edhe real në botën e njeriut të zakonshëm, në atë që ndjejmë përditë e nuk e themi ose mbase nuk dimë si ta themi. E s’ka si të ndodhë ndryshe me një shkrimtar të kalibrit të Marias, i biri i filozofit të famshëm madrilen Julian Marias, nga i cili duket të ketë jo pak ndikim, ndihet ai filozofimi elegant, i kujdesshëm në çdo fjalë e frazë, në çdo pasazh të rrëfimit. Një vajzë e re, e bukur, e dashur, e çlirët dhe e lumtur (në dukje), sapo është kthyer nga muaji i mjaltit të një martese me dashuri të madhe, largohet nga tryeza ku po ha drekë me të sajtë, merr pistoletën e të atit dhe ia fut vetes. Tronditëse kjo nisje, po pikërisht këtu merr hovin një diskutim i thellë mbi te vërtetën dhe atë që ajo shpeshherë shkakton. Ky është një roman mbi dashurinë dhe vdekjen, mbi atë që nuk duhet thënë dhe atë që nuk dëshiron ta dish, i strukturuar mrekullisht tek të gjithë personazhet, me dyshimet e tyre dhe shkëmbimin e mundshëm, të cilët transmetojnë tek lexuesi një sens paqetie të thellë, një ndjesi realiteti jo komod, të vështirë për t’u shpjeguar e po aq i vështirë për t’u pranuar. “Një zemër kaq e bardhë” është një citim nga “Makbethi”. Lady Makbeth, pasi mori vesh për vrasjen e mbretit Dunkan nga i shoqi, i drejtohet me këto fjalë: “Duart e mia janë si të tuat, por kam turp të kem një zemër kaq të bardhë”…