Me vetëm 500 dollar në xhep dhe një valixhe në dorë të mbushur plot ëndrra dhe projeksione profesionale, ajo tregon se përtej rrugëtimit prej “emigranteje” në tokë të huaj, diti si të materializoj vlerat prej artisteje me karrierën, duke u renditur sot në një nga zërat brilant të operistikës botërore
Nën petkun e Suzanës, konfirmoi edhe njëherë përtej çdo emocioni dhe duartrokitje të rrokur në skenën shqiptare, se asnjë realizim karrierist përtej oqeanit, nuk vlen sa vlerësimi i artdashësve dhe bashkë kombësve të vet. Përjetimet në fakt, i ngjanin të një tjetër sëre, aty ku edhe interpretimi artistik merr një tjetër vlerë, edhe pse ajo ka qenë pjesë e skenave operistike ndër më prestigjiozet në Evropë, e gjetkë. Oriana Kurteshi është sopranoja shqiptare rezidente në Itali prej shumë vitesh, por që e ka ndërtuar karrierën e saj kudo nëpër Evropë. E cilësua nga kritika italiane si një nga zërat më virtuozë të skenës, ajo tregon ecejaket e një rrugëtimi aspak të lehtë për një artiste shqiptare. Pozicionimi i një profili të mirëfilltë si soprano e afirmuar, projektet dhe bashkëpunimet muzikore, ekuilibrat e artë mes saj dhe familjes, si dhe planet e afërta për një rikthim në vendlindje, Tiranë. Oriana Kurteshi, vjen në një rrëfim interesant për ju…
Në rolin protagonist të Suzanës në operën “Dasma e Figaros”, si ishte për ju ky rikthim në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit?
Çdo rikthim në TOB e pres me shumë kënaqësi dhe emocion. Jo vetëm për faktin se kthehem në shtëpinë time, por ai teatër më ka rritur dhe më ka dhënë emocionet e para. Hapat e para në skenë dhe eksperiencën e parë e prekur pikërisht në TOB. Të gjitha rikthimet duke përmendur në këtë rast edhe këtë të fundit kanë qenë shumë të suksesshëm për mua, dhe të mbushur me plot emocione.
Aktiviteti juaj artistik është i fokusuar kryesisht në Itali, por edhe gjetkë në Evropë. Por, rikthimi në vendlindje ka gjithnjë tjetër shije apo jo?
Aktivitetet e mia nuk janë të fokusuara vetëm në Itali dhe Evropë…Kam kënduar në New York, Tel Aviv, Corea del Sud, Stamboll, Cape Toën edhe pse tani kam ulur ritmin, por rikthimi në Tiranë për mua ka atë shijen e mjaltit. Mendoj se TOB është është shtëpia ime, dhe e gjithë artistëve që ushtrojnë artin e tyre aty, dhe atyre që janë jashtë. Ne artistët jemi si ata zogjtë shtegtarë që fluturojnë e fluturojnë, por përsëri kthehen në atë folenë e tyre.(qesh)
Ju e keni interpretuar edhe herë të tjera këtë rol, në skenat botërore. Por, çfarë kishte ndryshe këtë herë?
Është një rol që unë adhuroj dhe që ka qenë një nga të cilët më ka ndjekur gjatë. U mundova ta sjell në Tiranë pikërisht atë mënyrën e të kënduarit Mozart, recitativet sipas mënyrës së “Beaumarchais” dhe “Dal Ponte” ku këndimi është komplet ndryshe nga ai i Puçinit dhe Verdit. Ishte një eksperiencë shumë e bukur me të vetmin ndryshim në Tiranë që konceptimi i regjisorit tonë Nikolin Gurakuqi ishte shumë më modern nga të gjitha produksionet e mëparshme.
Jeni një sopranot më të talentuara dhe më të njohura për momentin në Itali. Ndjesia e të qenit e famshme, si do të përkthehej tek ju?
Kam ndjekur thjesht atë rrugëtimin tim personal artistik, ashtu siç çdo artist tjetër me ngritjet dhe uljet që ka ky profesion. E vetmja dëshirë e imja ka qenë të qenit në skenë, dhe vetëm me talentin, studimin dhe punën time ia kam arritur. Duke studiuar pa fund dhe duke shijuar erën e teatrit. Unë bëj pjesë në atë brezin që jemi nisur dikur nga Shqipëria me anijet e para të 1992 dhe me një valixhe në dorë. Mbaj mend që prindërit më kanë dhënë me vete nga kursimet e tyre 500 dollarë dhe e vetmja dëshirë ka qenë të thithja sa më shumë njohuri, teknike vokale, dhe të bëhesha artiste jo e madhe, por e vërtetë! Duke parë veten në pasqyrë siç mund të themi mbas gjithë këtyre viteve më vjen mirë që puna ime sakrificat e mia dhe talenti im respektohet dhe vlerësohet si nga kolegët, por dhe nga artdashësit në Shqipëri.
Shfaqja e fundit e juaja në skenat e Evropës ?
Ka qenë recitali im në Strasburg me melodi të Rachmaninov, Strauss, Brahms, Mozart Chausson. Një program shumë i bukur që e kam ëndërr të mund ta ribëj edhe në Tiranë. Kjo për arsyen për t’u bërë të njohur studentëve të rinj të degës së kantos edhe anën tjetër të vokalit, dhe jo vetëm opera.
Duartrokitjet, entuziazmi, me pak fjalë si u pritët nga spektatori artdashës atje?
Strasburgu është shtëpia ime e dytë, tashmë dhe kuptohet që kam shume miq dhe artdashës që më duan dhe respektojnë shumë. Koncerti ishte i bukur. Pata shumë duartrokitje të cilat u shtuan akoma dhe më shumë mbas pjesëve të muzikës shqiptare që kisha vendosur në fund. Muzika shqiptare është identifikimi im jashtë vendit.
Çdo të thotë të jesh artist?
Artistët e vërtetë janë fare pak dhe të padukshëm. Artist lind dhe nuk mund bëhesh kurrë, por kur ke fat dhe shans atëherë lind dy herë mendoj unë. Artist nuk është vetëm ai që është në skenat më të mëdha të botës. Artist për mua është edhe një njeri i thjeshtë që ushqehet me art dhe kulturë çdo ditë. Mendoj se artist është edhe ai që vuajtjen dhe keq qenien personale arrin ta kanalizojë në diçka që ka një formë dhe një kuptim. Në diçka që mund ta shohësh dhe mund ta ndjesh. Të qeshësh dhe të qash. Të mrekullohesh. Në një farë mënyrë artisti është pacienti në universin tonë.
Si do ta konsideroje stadin aktual të karrierës tënde?
Unë jetoj me artin dhe për artin, por jo për tu treguar të tjerëve sa e madhe jam. Mendoj se kam qenë gjithmonë një ambicioze me limite. Sot në shoqërinë tonë të gjithë e ndjejnë veten artiste, të gjithë janë të famshëm, të gjithë e mbajnë veten për yje. Konstatoj në jetën e përditshme realitetin që ka përshkruar gjithë botën dhe degradimi që po bën shoqëria jonë në të gjitha fushat. Në fushën time ka nga ata që quhen artistë të mëdhenj dhe që s’kanë bërë një master klass, një Akademi, s’kanë asnjë njohuri dhe kulturë, por kanë gjetur agjentin më të fuqishëm për të qenë në merkatot lirike
Do ju shohim sërish në Tiranë me një tjetër performancë artistike tuajën?
Uroj gjithmonë të kthehem, dhe pres me kënaqësi, por kjo varet nga organizatorët e performancave artistike në Tiranë, dhe po ashtu nga programacioni i TOB.
Jeta juaj private?
Mund t’ju them me shumë kënaqësi që kam një familje të mrekullueshme. Një bashkëshort shembullor që më dhuron çdo ditë gjithë dashurinë, kujdesin dhe respektin sepse nuk është e lehtë të jetosh të përditshmen me një artist. Dhe kam një mrekulli të vogël siç është djali im. Të dy më japin gjithë lumturinë dhe qetësinë e botës.
Si e gjeni ekuilibrin mes familjes dhe karrierës profesionale?
Unë gjithmonë kam kërkuar atë bashkëjetesën shpirtërore me artin tim, edhe me të bukurën, me të vërtetën, me të vështirën, me kurajën, me frikën. Por, mbi të gjitha me jetën e përditshme që është familja.
E meqë jemi në sezon veror, a keni planifikuar pushime?
Pushimet janë të planifikuara gjithmonë sipas agjendës sime dhe bashkëshortit tim. Por, në verë mundohem të jem gjithmonë në Shqipëri, dhe aq më tepër që tani prindërit, familja ime mezi presin djalin, por edhe djali gjyshërit, tezen,dhe detin!