Partners in Wine

Vera është konsideruar si “Pija e Perëndive”, ndaj adhuruesit e saj mund t’i gjejmë në çdo cep të botës. Njihuni me The Wine Society Albania, organizatën që flet gjuhë të ndryshme europiane dhe bashkon të gjithë adhuruesit e verës!

Ndonëse Shqipëria është një rajon shumë i pasur në prodhimin e verës, sërish ka mungesa të një njohje dhe promovimi serioz të prodhimeve “Made in Albania”.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Të frymëzuar nga Italia dhe me dëshirën e madhe për të servirur trashëgiminë e pijes që gjithë bota admiron, The Wine Society krijon një “sekt” i cili bashkon në evente plot klas admiruesit e verës, të cilët degustojnë dhe shijojnë mrekullinë e pijes më të lashtë, e cila vazhdon të mbajë fronin në mbretërinë e finesës.

The Wine Society beson fort se vera është një produkt me impakt shumë të gjerë në promovimin e një vendi, ndaj organizon trajnime të somelierëve të afirmuar dhe krijon hapësira të reja punësimi, duke inkurajuar të rinjtë të ndjekin një karrierë të re, të kërkuar nga tregu vendas dhe i huaj.

Sigurisht, për të shijuar mrekullinë e verës dhe për të marrë këshilla të vlefshme, nuk mund të mungojë një profesionist në prodhimin e verës, si Mourad Uoada, prodhues vere në të paktën 65 kantina në Francë, Itali e më gjerë. Prezenca e Mourad është e shpeshtë në eventet e The Wine Society, duke ndërthurur eksperienca me prodhuesit shqiptarë, të cilët aspirojnë që prodhimet e tyre të arrijnë nivelet ndërkombëtare.

Në planet e The Wine Society zë një vend shumë të rëndësishmë krijimi i një produkti turistik unik, i cili synon ripërtëritjen e territorit shqiptar dhe promovimin e etiketave “Made in Albania”, si një destinacion turistik i cili nuk duhet humbur. Në kuadër të “Turizmit të Verës”, organizata krijon një strukturë të veçantë, duke i kthyer qilarët shqiptarë në atraksione turistike për vendasit dhe vizitorët.

The Wine Society, e krijuar jo shumë kohë më parë, operon si një trinom shumë i nevojshëm në turizmin, ekonominë dhe kulturën shqiptare, andaj mund të themi se vera jo vetëm ripërtërin shqisat, por edhe vendin.