I preferuari i femrave më të njohura të botës së modelingut, aktrimit dhe showbizit, fotografi i famshëm shqiptar Fadil Berisha, vjen në një intervistë ekskluzive për Elegance. Nga larmia e subjekteve që ka fotografuar ndër vite, tek projekti i fundit që mban firmën e tij. Zbulojeni se për çfarë bëhet fjalë, në përgjigjet për revistën tonë!
“Talenti vjen nga Zoti dhe ai duhet të jetë origjinal që të jesh i suksesshëm”!
Është një nga ato shprehjet që të mbeten në mendje, dhe kur këtë frazë e lidh me figurën e autorit të këtyre fjalëve, nuk ka vend për mëdyshje, por e konsideron si konfirmim të famës dhe suksesit të tij. Po flasim për Fadil Berishën, fotografin shqiptar, që përtej lentes dhe fokusit të tij profesional, rrëfen në rreshta se cili është realisht raporti i tij me të bukurën, diçka që e mishëron mjeshtërisht pas çdo seti fotografik.
Është i famshëm dhe një nga personazhet më të dashur në botën e fotografisë. Ka diçka të adhurueshme në punën tij, diçka që qëndron praktikisht në themel të përditshmërisë së stilit të punës. Dëshira për të nxjerrë emocionin dhe doemos të bukurën prej çdo personazhi që shkel në studion e tij. Motivimi për projekte të reja, dëshira për nisma profesionale që në fokus të tyre kanë promovimin e të bukurës shqiptare, jo vetëm përmes tiparesh femërore të modeleve të njohura, e vendosin Fadilin sërish në krye të misionit të tij prej fotografi profesionist.
Në këtë intervistë për Elegance, ai tregon shumë detaje interesante, thuajse të parrëfyera më parë në një media shqiptare. Nga fotografia e parë e shkrepur gjatë viteve shkollore, te fotografia e aktores së famshme Halle Berry, që u përdor në kopertinën e prestigjiozes “People Magazine”. Fotoja e tij u përzgjodh për të treguar 50 personazhet më të bukur në botë. Një mishërim i bukurisë me talentin në aktrim, që i dha gjithë famën e dëshiruar fotografit shqiptar. Por, jo vetëm! Ai ka ndër duar një projekt grishës, pikërisht një libër që promovon bukuritë dhe natyrën shqiptare.
A është e vërtetë që kur merrni aparatin fotografik në dorë, ju e vendosni veten në një tjetër pozitë?
Mendoj se është e vërtetë. Ndihem më rehat me aparatin në dorë. Kamera më jep mundësinë të lidhem me emocionet e njerëzve që fotografoj.
Çfarë raporti keni me fotografitë personale për veten tuaj?
Në të vërtetë nuk bëj foto personale.
Cilën do të veçonit si fotografinë më speciale tuajën, atë që mbart një histori ose kujtim të veçantë?
Kam disa foto të preferuara, por, mund të veçoj një: Gona dhe Hasna së bashku, njëra nga Shqipëria e tjetra nga Kosova. Është e veçantë kjo foto pasi unë kam punuar gjithë jetën time si fotograf që të tregoj bukurinë shqiptare rreth e qark botës. Zgjedhja e vajzave në 10 më të bukurat në botë është një moment i veçantë emocional dhe artistik. Ndaj ky imazh, qëndron në hyrje të studios time dhe sa herë e shoh më sjell sërish atë kujtim të bukur.
Subjektet që bëhen pjesë e fokusit tuaj, a është kusht që të jenë të bukura fillimisht?
Nuk është kusht që artistët që fotografoj unë të jenë domodoshmërisht të bukur! Unë gjithmonë përpiqem të nxjerr të bukurën nga ata.
Modelet, ikonat e bukurisë janë shpesh subjektet më të promovuara nga ju, qofshin ato huaja, por shpesh edhe shqiptare. Pse kjo qasje?
Unë në të vërtetë fotografoj talente të ndryshëm, jo vetëm modele.
Ngjyrat janë dominuese në galerinë e fotove, por ju punoni edhe në linjën bardhë e zi. Cila prej tyre është e preferuara juaj?
Më pëlqejnë të dyja format, varet nga fotografia.
Portreti është pika juaj e fortë në gamën e fotografive, kjo sepse depërtoni më shumë në personalitetin e personazheve apo…?
Më pëlqejnë emocionet, ekspresiviteti i fytyrave, më pëlqen të nxjerr në pah emocionet çfarëdo qofshin ato.
Si ndiheni në epokën e ashtuquajtur të virtualitetit?
Nuk jam i shqetësuar nga fenomeni aktual. Talenti vjen nga Zoti! Talenti duhet të jetë origjinal, që të jesh kësisoj i suksesshëm. Teknologjia e sotme i jep mundësinë kujtdo të provojë fotografinë.
Cila fotografi mendoni se ju ka dhënë famën e dëshiruar?
Fotografia e Halle Berry-t që u përdor si faqja hapëse në “People Magazine”. Halle Berry fitoi Oscar-in si aktorja më e mirë në “Monster Ball” dhe fotoja ime u përzgjodh për të treguar 50 personazhet më të bukur në botë. Aty ishte një mishërim i bukurisë me talentin në aktrim dhe kjo do t’i tregohej publikut me foton e saj të realizuar nga unë. Ishte vendi i duhur dhe koha e duhur.
A është piktura, një frymëzim për ju?
Po sigurisht! Madje, disa herë fotografitë e mia i punoj si piktura, duke luajtur me ngjyrat.
Është dikush që gjithmonë keni dëshiruar ta fotografoni gjatë gjithë karrierës suaj profesionale?
Më pëlqen të fotografoj Angelina Jolie!
Cila ka qenë femra e parë që keni fotografuar?
Ka qenë një projekt shkollor. Duhet të gjenim modelen vetë dhe ta fotografonim. Unë fotografova një modele me një shall në kokë. Shall me pika dhe fotografia ka qenë bardhë e zi dhe më kujtohet momenti që fotoja po zhvillohej e teksa dilnin sytë e saj në letër, profesori më lavdëroi para klasës e fotoja vërtetë ishte si Vogue cover.
Sa mendoni se ka ndryshuar imazhi i femrës dhe koncepti i bukurisë ndër vite?
Gjithmonë ndryshon, por, prapë kthehet te klasikja. Sikurse reklama e Carmen Dell’Orfice për Rolex që thotë: “Class is forever”.
Këshilla më e mirë që keni dhënë mbi kapjen e “esencës” së çdo subjekti?
Të marrësh emocionet nga subjekti. Një foto pa emocione nuk është fotografi.
Nismat tuaja për promovimin e bukurisë shqiptare ndër vite, janë kaq të shumta. Çfarë ju mban kaq fort të lidhur pas vendit tonë?
Pasioni për njerëzit e mi. Të shoh sukseset e tyre, t’i frymëzoj që të ndjekin ëndrrat.
Cili nga projektet që keni promovuar ndër vite, mendoni se ka pasur rezultatin e duhur në kulturën tonë?
Dokumentari “Dear Albania” ishte një realizim i përkryer për të treguar historinë, kulturën dhe traditat tona.
Keni ndonjë projekt të radhës në po të njëjtën linjë, që synon promovimin e vlerave të traditës dhe kulturës sonë?
Po punoj për një libër me fotografi që tregon bukurinë dhe natyrën shqiptare. Kombinim i njerëzve me vendet.
Ju keni fotografuar shumë nga femrat më të bukura të botës, ama foto me bashkëshorten apo fëmijët janë shumë rralla. Zgjedhje e juaja apo rastësi?
Siç thotë edhe një shprehje: fëmijët e këpucarit s’kanë këpucë!
Çfarë raporti keni me fëmijët?
Kam raport shumë të hapur. Shpesh me duket sikur i kam shokë.
E merrni punën me vete sa kohë jeni diku në udhëtim, apo dorëzoheni në pushime?
Besoj se e marrë punën me vete. Puna e artistit është e tillë, nuk ka ndalime.
Çfarë trendesh dominojnë në gardërobën tuaj?
Më pëlqen e zeza.
Keni një markë tuajën të preferuar, nën etiketën e së cilës ndiheni komod gjithnjë?
Në të vërtetë, jo!