Puglia: Kur bregdeti takohet me fshatin

Destinacioni tipik ku miksohen kodrinat me reliev të thyer, dhe plazhet e virgjëra. Shtëpi tradicionale trulli me çati konike, mure të bardha të lyera me gëlqere, vende ideale për t’u eksploruar dhe ushqim i shijshëm. Pushoni në Puglia dhe iu garantojmë se do doni të ktheheni sërish aty

Çfarë të vizitoni: I pozicionuar në “thembrën” e çizmes së Italisë, ky rajon me klimë të mrekullueshme, është një pikënisje aventureske për gjithë ditët e pushimeve tuaja. Mund të njiheni qoftë me trashëgiminë kulturore të tij, sikundër edhe me plazhet me ujërat e kaltra, që dominojnë dukshëm pjesën më të madhe të rajonit të Puglias. Harrojeni udhëtimin me makinë! Për të eksploruar këtë zonë, duhet shkelur në çdo centimetër të saj, për të prekur nga afër atë që dora e njeriut dhe natyra kanë ndërtuar në vite. Trullitë, shtëpitë tradicionale, të rrumbullakëta dhe me çati konike, janë një kuriozitet absolut për çdo turist që viziton për herë të parë Puglian. Ato janë ndërtuar gjatë shekullit të 14-të, dhe u krijuan si strehim që mund të shkatërrohet lehtë, duke bërë të mundur që edhe pronarët të shmangnin pagesën e taksave të përvitshme. Por, ato tashmë janë listuar në sitën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s si simbol i Puglias. Gëzojuni shëtitjeve të gjata në pyjet me pisha dhe plot bimësi, pasi cilësohen si një tjetër vlerë e shtuar në historinë e këtij rajoni italian. Shkëmbinjtë e thyer, plazhet ranore, kodrat e ulëta dhe arkitektura e veçantë,  do iu bëjnë të ndiheni si në një festë të përditshme. Kjo krahinë është sot një tërheqje e madhe turistike për turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët synojnë të kalojnë pushime të paharrueshme. Në Puglia mishërohen më së miri klima mesdhetare me terrenin e fshatit, dhe ky është një tipar dallues i zonës. Peshkimi është një tjetër ritual i pashmangshëm, të cilin mund ta praktikoni sipas dëshirës, sepse vendet janë me bollëk. Në jug të Puglias është qyteti me mure i Otrantos, i pozicionuar më së miri për të eksploruar gjithë jugun e Italisë. Po të ecësh deri në fund të bregut, arrin në Leçe, një vend i njohur për arkitekturën e stilit barok. Më në veri, shtrihet Ostuni, ose ndryshe “qyteti i bardhë” në sajë të ndërtesave të bukura të lyera me gëlqere, dhe plazhet me rërë të Torre Canne dhe Savellerti di Fasano. Një vizitë në zonën unike të Murge, është gjithashtu thelbësore në pushimet tuaja në Puglia. Një pllajë e madhe, ku historia e bujqësisë së rajonit, shkëlqen përmes ullishtave, fushave të grurit, pemët e bajameve, vreshtave, etj. Gastronomia e pasur është një tjetër element i rëndësishëm. Ushqimet që serviren në Puglia, janë mbi të gjitha të shëndetshme. Vaji i ullirit është i njohur, si një nga prodhimet pulieze, ndërkohë produktet e freskëta të detit, perimet, janë baza e recetave që shërbehen në restorante të ndryshme të këtij rajoni. Midhjet janë goxha të rekomandueshme për shijet e turistëve që vizitojnë Puglian, ndërkohë që makaronat orecchiette janë të shijshme, pasi prodhohen nga vendasit e këtij rajoni. Shoqëroni çdo ushqim në Puglia me një gotë verë të kuqe, e njohur si Salice Salentino dhe të kuptoni shijen e vërtetë të verës tipike italiane. Pra, nisni të shënoni të gjithë sugjerimet tona të mësipërme, dhe iu sigurojmë që nuk do të zhgënjeheni. Puglia është aty, iu pret për ta vizituar këtë verë!

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code