Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Aktualisht ndodhem në Tiranë dhe jam duke punuar me disa projekte të reja.
Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Vendimi më i mirë, për të cilin jam shumë krenare, është nisma që ndërmora për t’u bërë pjesë e “The Voice Kids Albania 1” në moshën 10-vjeçare, duke nisur kështu rrugëtimin tim drejt artit, për të mos u ndalur më kurrë.
Kur e ndjeni veten të lumtur?
Ndihem vërtet shumë e lumtur kur kam pranë njerëzit më të dashur! Si një njeri që shijoj çdo moment, adhuroj të organizoj aktivitete që më mbushin ditën dhe gjithashtu kur bëj atë që di të bëj më mirë: të bëj muzikë.
Kur e ndjeni veten të trishtuar?
E ndjej veten të trishtuar kur lëndoj njerëzit që kam dhe më kanë përzemër.
Çfarë nuk do të kishit hedhur kurrë poshtë?
Nuk do të kisha hedhur kurrë poshtë miqësinë, dashurinë dhe ç’është më e rëndësishmja: familjen!
Kë doni më shumë?
Absolutisht dua familjen, e cila më ka përkrahur në çdo moment dhe kudo, si dhe njerëzit që më bëjnë të ndihem e realizuar.
Cila është ajo gjë për të cilën do të thoshit: “Nuk do ta bëj kurrë!”?
Jam një njeri i guximshëm e i sinqertë dhe zakonisht marr përsipër rreziqe për shumë gjëra, por një prej gjërave që nuk do të guxoja kurrë është braktisja e muzikës dhe pasionit për të, i cili shtohet çdo ditë e më shumë.
Cili është mëkati më i madh për ju?
Mëkat më të madh do të quaja tradhëtinë, jo vetëm në aspektin sentimental, por tradhëtinë që prek çdo marrëdhënie me njerëzit që dua.
Cila është blerja e fundit?
Blerja e fundit janë atletet Buffalo, të cilat i bleva në një dyqan në Budapest. Sapo i pashë, u dashurova kokë e këmbë me to!
Cili është qëllimi i jetës suaj?
Qëllimi i jetës sime është të vazhdoj të punoj dhe të jap maksimumin në atë çka di të bëj më mirë, të qëndroj e fortë përballë çdo situate dhe sfide, si dhe të jem përherë e plotësuar nga dashuria që njerëzit më dhurojnë.