“Shfaqjet” Idlir Koka

Me Idlirin u takuam vetëm një ditë pas hapjes së ekspozitës së tij “Shfaqjet” në galerinë Zeta. Në fakt ishte një ftesë të cilën unë e shtyva për të patur mundësinë ta vizitoja e vetme me piktorin këtë shfaqje të vepres së tij që prej 6 vitesh i mungonte skenës pamore në vend. Në përpjekjen për të kuptuar se çfarë e shtyn një artist të nisë punën për një ide që mishërohet në sfumaturat e një tabloje, u përpoqa të eksploroj më shumë, fiks një ditë pasi shfaqja dhe zhurmat e promovimit mbarojnë dhe i lënë vendin analizës dhe konceptit që një pikturë a cikël pikturash përpiqen të rrëfejnë. Si një gjini që sipas tekstit kuratorial të Alban Hajdinajt, rreket t’i mbijetojë bashkëkohësisë dhe rrugëtimit të saj historik, piktura e Idlir Kokës është padyshim një hulumtin mbi shoqërinë e spektaklit dhe hipnozën që kjo e fundit krijon tek publiku.