Nuk është aspak e lehtë të shkruash për Shtegun e parfumeve, këtë thesar të çmuar të emocioneve, me autore C. Cabonin, një grua e lindur në një vend si Cagliari, plot diell, plot aroma, përherë i lulëzuar. Në një vend ku gratë, që janë zemra e familjes, e kalojnë në heshtje dhimbjen e tyre dhe ecin përpara me një guxim nganjëherë të pashpjegueshëm, i natyrshëm për një popull të moçëm, që e njeh aromën e tokës së tij ashtu sikurse një i porsalindur aromën e të ëmës.
Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse në këtë roman autorja ka derdhur pa kursim gjithë pasionin dhe përkushtimin. Kush më mirë se ajo do të mund të mendonte dhe të shkruante një histori që zien nga aroma e kujtimeve dhe ndjenjat? E kush do t’i rezistonte simpatisë dhe ndjeshmërisë së menjëhershme për Elenën, protagonisten e romanit? Mënyra e saj e të menduarit, të ndierit, të reaguarit, duket sikur janë të tuat, i përjeton së bashku me të melankolinë, trishtimin, dhembjen dhe dashurinë. Megjithatë, kjo histori nuk i përket vetëm Elenës, ajo është historia e disa grave, të paepura, si gjyshe Luçia, nënë Suzana, stërgjyshe Beatriçja etj., parfumiere në kërkim të parfum të përsosur dhe të rrugës së brendshme për ta zbuluar atë. Lidhje të vështira familjare, dashuri për persona të rëndësishëm, dedikim ndaj një nëne apo gjysheje që ka qenë pjesë e pandarë në jetë e me të cilën janë të lidhura periudha të ndryshme, bota e parë fillimisht me sytë e një vogëlusheje e më pas me ato të një gruaje, gjëra të pathëna prej një jete, të fshehura në heshtje, e që papritur dalin në dritë falë kujtimeve që zgjon aroma e pranverës, aroma e një fushe ngrohur nga dielli apo aroma që vjen prej detit. Kujtim-parfum, një lidhje e pazgjidhshme. Një histori e bukur dashuri mes dy të rinjve: një gruaje sa të brishtë e të ndjeshme, aq edhe të fortë e luftarake si Elena, dhe një heroi romantik si MekLian, që i përket asaj kategorie njerëzish që gjithsecili prej nesh do të kishte dëshirë t’i ndeshte në çdo resht, në çdo libër; një burrë me një të kaluar të trishtë, që është i aftë të dashurojë pa kushte, t’i qëndroj pranë e t’i japë kurajë në momentet më të vështira gruas që i ka rrëmbyer zemrën.